Rojtari i qetësisë së kryeministrit

Postuar në 09 Maj, 2019 11:12

Qeveria ka kohë që operon me  gjuhën e forcës, madje kryeministri rekrutoi ish-këshilltarin e tij për t’u treguar qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë disponimin për dhunë. Zoti Rama nuk ka nerva të përballet më me njerëzit që e bezdisin, duke rikthyer shtetin policor si garanci për qetësinë e qeverisjes së tij dhe këtë natyrisht me kontributin e zotit Lleshaj.

Policia po përdoret për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë, për neutralizuar protestues apo për heqje tabelash natën dhe mesa paralajmëron ministri i Brendshëm, për të mbrojtur zgjedhjet lokale. Lleshaj doli këtë të enjte në një komunikim në rrjetet sociale për të folur për mobilizimin e gjithë aparatit shtetëror në luftën kundër kanabisit dhe ruajtjes së zgjedhjeve, duke treguar se është gati për betejë me forcat obskurantiste.

Me shumë gjasë në 30 qershor do shohim Renean në çdo qendër votimi për të ruajtur integritetin e votës. Këtë e kemi dhuratë nga Edi dhe këshilltari i tij. Zoti Rama vazhdon me kokëfortësi të shmangë çdo përgjegjësi për situatën politike dhe ekonomike ku ndodhet vendi pas djegies së mandateve të opozitës dhe gjithë operacionin ia ka lënë në dorë instrumentave të forcës. Zëdhënësi Lleshaj ka pikëpamjen e tij për këtë çështje. Sipas tij zgjedhjet si institucion qëndrojnë mbi kryeministrin, presidentin, ministrin, e këdo ndaj dhe Renea është gati.

Zgjedhja si institucion është mbi këdo dhe askush nuk duhet të ketë shans që të mendoje apo veprojë kundër integritetit të një procesi që është thelbi i demokracisë dhe kushtetutës së vendit. Duhet të garantohet mjedis i sigurt për zgjedhje, cdo drejtues dhe polic të jetë i angazhuar dhe motivuar që procesi të zhvillohet sic duhet. Roli i tyre është jashtë e përtej palëve, asnjë peshë politike, eshtë e ndaluar cdo përfshirje politike e cdo punonjësi të policisë. Detyra e vetme është të sigurojë mjedis të sigurt dhe detyrat specifike për zhvillimin normal të fushatës sa i takon sigurisë- tha Lleshaj.

Sipas tij, “policia është aty për detyrën e saj si strukturë e shtetit jo e partive, por shumë e qartë dhe e vendosur që ligji të mbizotërojë në çdo skaj të vendit që askush të mos ketë mundësi të interferojë në një proces që i takon shqiptarëve|.

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.