Një diplomat i mirë, por një kryeministër jo efektiv

Postuar në 09 Maj, 2019 00:22

Federica Mogherini përcolli në Tiranë mendimin se Shqipërisë duhet t’i happen negociatat. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme cilësoi se ajo shprehte në këtë rast mendimin e saj personal.

Pavarësisht sesa koniunktural, oportunist, personal është qëndrimi i saj dhe sesa do ta shfrytëzojë atë zoti Rama, kjo nuk ka rëndësi. Ne duhet të ndihemi mirë që Shqipëria, qeveria e saj, kjo që është, kështu si është, ka të paktën një mik atje në Bruksel. Sepse edhe miqtë në fund të fundit kanë preferenca interesa. Për Shqipërinë më mirë që ka një mikeshë të Ramës në Bruskel sesa të mos ketë askënd që e pret.

Mirëpo ky “incident” pozitiv në dukje sjell në vëmendje një tipar të qeverisë së z. Rama. Mungesën e një politike të jashtme aktive dhe të suksesshme. Kjo jo në planin e drejtimeve strategjike, por në zbatimin e saj. Shqipëria deklaron prej dekadash se ka si prioritet anëtarësimin në BE dhe NATO. Nga të dy objektivat vetëm një është realizuar, në kohën e qeverisë Berisha dhe kjo erdhi falë lobimit dhe interesave. Këtu hyn në lojë diplomacia dhe aftësia për t’u orientuar në kancelaritë e ndryshme dhe sidomos për ta shndërruar listën e miqësive personale në kapital për vendin.

Zoti Rama është një diplomat shumë i mirë, nuk kemi pse ta mohojmë. Ai ka mik të ngushtë, apo të paktën e ka pasur, presidentin e Turqisë, Erdogan. Nuk është pak një gjë e tillë. Ai arriti të sillte në Tiranë kancelaren Merkel në një mënyrë që u duk sikur ishte meritë e tij. Zoti Rama pozonte me Matteo Renzin në Tiranë dhe bënte gallatë lirshëm me të.

Po kështu kryeministri i Shqipërisë ka miqësi edhe presidentin serb Vuçiç që është patjetër një shembull që meriton vëmendje.

Por asnjë prej këtyre miqësive nuk ka sjellë ndonjë përfitim të dukshëm për Shqipërinë. E cila është e qartë se nuk ia del dot të përmbushë një për një standardet e kërkuara nga BE-ja, ndaj edhe ka nevojë për një dorë miqsh. Kjo nuk ka ndodhur. Më keq madje. Miqësitë e dukshme dhe shpesh publiçitare të z. Rama ashtu siç u shfaqën si meteor, ashtu edhe u zhdukën nga ekranet. Nuk është e sigurtë nëse kryeministri ka më atë miqësi me z. Erdogan apo atë simpati të kancelares Merkel. Në botën anglo-saksone siç edhe flet miku i tij i dikurshëm Spartak Ngjela, kryeministri nuk ka qullosur gjë, por kjo ndoshta ka të bëjë me traditën e marrëdhënieve tona. Miqësia e tij me ish-kryeministrin Blair është konsumuar përmes disa fotografive sportive në plazhet e Jugut, por nuk dihet se çfarë ka sjellë kjo përveç lëvrimit të kësteve për studion e bashkëshortes së z. Blair. Ajo që ka rëndësi është të nënvizohet dallimi mes diplomatit të mirë Edi Rama, hokatarit të salloneve, gaztorit të tavolinave të botës “së madhe” dhe suksesit në politikën e jashtme. Nga Turqia kemi dhuratë një xhami, nga Gjermania tani së fundmi një resort kazino kurse nga Brukseli fjalën e mirë.

Me Greqinë zotëria nuk arriti të gjente pipzat me Tsiprasin që e rivalizon si figurë me peshën e vet si kryeministër i një vendi që po përkëdhelet nga Perëndimi dhe me të cilin z. Rama nuk lejoi një marrëveshje dhe mirëkuptim që do t’i atribuohej ish-ministrit të vet të Jashtëm.

Sesa peshon personalizimi në politikën e jashtme le të shohim faturën që z. Rama ka sjellë për shkak të animozitetit të krijuar me kryeministrin e Kosovës duke dubluar ndaj tij me miqësinë me presidentin Thaçi, diçka që bota shqiptare e ka të panevojshme. Krejtësisht personale ishte edhe qëndrimi i mbajtur për projektin e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, sikundër jotransparent ishte qëndrimi për situatën në Maqedoni. Dhe pse është ndjekur ky kurs prej diplomati i një diplomacie të fshehtë, politika e jashtme ka patur fare pak sukses. Ose të paktën sukseset janë të padukshme.

Zoti Rama po, mund të ketë bërë miq të rinj. Atë edhe mund ta ftojnë nesër për leksione dhe konferenca me honorare të mira. Për të çuditur sërish me gallatat strategjike në të cilat është profesionuar kaq mirë, jo për peshën e fjalës. Sepse fjala merr peshë nga njerëz apo vende që kanë bërë diçka reale, ose që përfaqësojnë të paktën një përvojë të çmuar.

Comments

Submitted by Beni (not verified) on

Kur ka qene me aktive politika e jashtne shqiptare se sor mor?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.