Atlet(ja) i Perëndimit

Postuar në 01 Maj, 2019 22:14

Njësoj si në rastin kur në Gjermani e bënë për një lek pse portalet e tij sulmonin deputetin Krichbaum, edhe sot kryeministri i Shqipërisë, ka dalë në Facebook për të rrëfyer të vërtetën e tij të takimit të Berlinit. Sepse siç e do kjo e vërtetë, Të tjerët përherë i keqkuptojnë zhvillimet apo diskutimet…

Në një përgjigje ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që e akuzoi se i ka bërë presion për heqjen e taksës për mallrat serbe në Berlin, z. Rama nis me ofendimin personal ndaj Haradinajt që siç mund të pritet e përbuz.

Si rregull udheheqesit nuk i komentojne ne publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me teper pa rene dakord paraprakisht dhe lere pastaj t'i shtremberojne, duke genjyer per te dale "burra te mire" para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar. Me vjen sinqerisht keq qe miku im Ramush, nuk e ka mesuar ende kete rregull kaq te thjeshte, megjithese normalisht ky s'eshte as ndonje rregull udheheqesish ne fakt, po nje norme elementare mirekuptimi njerezor. Nuk eshte hera e pare qe e ben, po eshte hera me e gabuar dhe prandaj kete here, s'e kaloj dot ne heshtje si te tjera

shkruan  Edi Rama.

Zoti kryeministër në kësi qëndrimesh harron përherë – qëllimisht ndoshta sepse kërkon ta drejtojë diskutimin aty ku mendon se ka pikën e fortë, si qytetar apo si publicist – se pakkujt i intereson mendimi i tij. Sidomos pas gjashtë vitesh batërdie mbi Shqipërinë.  Atë le ta mbajë për vete, ta shprehë e ta shkruajë sepse demokraci është. Njerëzve u intereson dhe merren me Qëndrimet e Kryeministrit, jo me ato të Edi Ramës. Ndaj deformime të këtilla nuk pijnë ujë. E megjithatë, z. Rama ka qenë i detyruar më në fund të shprehet për taksën ndaj mallrave serbe me një qëndrim që tregon qartë se sa i lëkundur është karakteri i këtij njeriu dhe sesa spontane janë qëndrimet e tij. E megjithatë deliri në shfaqje nuk mungon, kur për të justifikuar veten merr rolin e një pedagogu të matur që i kujton Ramushit të mos e prishë me miqtë:

E kam mbeshtetur dhe e mbeshtes edhe sot taksen si nje "klithem" te Kosoves, qe ta degjoje bota dhe si te tille edhe e kam mbrojtur, kudo e me kedo. Po une di qe ajo eshte nje takse qe i eshte vene Serbise, jo nje mur qe i eshte vene Gjermanise, Frances apo SHBA, per t'i ndaluar ta ndihmojne e ta mbeshtesin Kosoven, ne rrugen e perpjekjes se mundimshme historike drejt njohjes perfundimtare nga gjithe bota. Dhe kur keta aleate te medhenj dhe te pazevendesueshem dot nga askush e askurre (pa te cilet jo Ramushin, po as Kosoven dhe te drejten e saj njeqind vjet te mohuar s'do ta njihte kurrekush ende sot), kerkojne thjesht pezullimin e perkohshem te takses, ne menyre qe te mund ta ndihmojne e ta mbeshtesin Kosoven drejt njohjes se saj te plote nderkombetarisht, refuzimi eshte i pakonceptueshem per mua

shton z. Rama.

Në fakt me këto lloj arsyetimesh zotëria mbrojti dhe instrumentalizoi edhe reformën në drejtësi në Shqipëri e cila solli asgjësimin e gjyqësorit dhe një krizë nga e cila vendi do vuajë gjatë. Ishte kjo reformë që e shndërroi Prokurorinë në seli të PS-së në vend se të LSI-së siç ishtge me Adriatik Llallën.

Kryeministri shton më tej se z. Haradinaj ka humbur një alamet shansi në Berlin, nga ato që z. Rama nuk lë rast t’i ikin.

…me ka mbetur gozhde fakti qe miqte e medhenj, hasen ne nje refuzim te pashpjegueshem edhe kur propozuan qe perkunder pezullimit te perkohshem te takses, nese ne fund te muajve te dialogut nuk do te arrihej objektivi final i nenshkrimit te paqes, atehere do t'i hapej perfundimisht rruge liberalizimit te vizave per Kosoven(!)

Këtu z. Rama na tregon një vendim mëse të drejtë të z. Haradinaj, i cili ka refuzuar ashtu siç duhet. E mbani mend kur Kosovës i thuhej se po të miratonte marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi do t’i liberalizoheshin vizat? E mbani mend ish-ambasadoren e BE-së në Tiranë, Vlahutin sesi thoshte se nëse miratohej reforma në drejtësi do të hapeshin negociatat?  Pse duhen kushtëzuar me njëri – tjetrin disa procese që në fakt shkojnë përpara jo duke i vendosur si mur, por duke i përfshirë vendet më afër Europës? Pse e gënjeu Kosovën BE-ja, mund ta shpjegojë këtë z. Rama, ky aleat i Perëndimit apo që shtiret si i tillë? Me siguri që jo, sepse sa herë që dështon del e thotë: Ne detyrat tona i bëmë. Thjesht BE-ja duhet të bëhet strategjike. Ndoshta I duhet të lexojë edhe kolegun e tij të afërt, Hashim Thaçin, që sot tha pikërisht të njëjtën gjë: BE mashtron. Të paktën një fije kurajo si shqiptar i paska mbetur, s’ke ç’thua, edhe pse e bën këtë pse ndihet komod me SHBA në tavolinë duke bërë Trumpin e Ballkanit.

Por pak kush qesh tashmë me këtë talent të strategjisë së gënjeshtrës. Në fund na shfaqet moralisti patriot që evokon detyrat qytetare:

Ai ka te drejten e tij te flase ne emer te Kosoves, po mua s'ma heq dot askush te drejten te flas per Kosoven

përfundon statusin e vet Edi Rama. I cili harron se nuk flet dot për Kosovën sa herë të dojë se është kryeministër, pasi si publicist mund të pajtohet sërish, qoftë edhe me pseudonim te gazeta e Nikollë Lesit, apo edhe të shkruajë opinione autorësinë e të cilave mund ta marrin edhe analistët e borderosë.

Nuk gënjen dot më njeri ky lloj i vjetëruar i kodoshit politik, që ndoshta i pëlqen që tani si veteran i politikës së zvarritjes të bëjë edhe një truk të fundit: ta quajnë mes ballkansve Atlet(e) të Perëndimit!

Comments

Submitted by Blanco 164 (not verified) on

Nëse ndërkombëtarët kanë kërkuar pezullimin e PËRKOHSHËM, si kusht për t'u ulur në bisedime, dhe shqiptarët kanë refuzuar, kjo është autogoli më i rëndë i dy dekadave në politikën e jashtme të dy shteteve shqiptare. Me një disfatë të tillë të gjithë protagonistët e këtij dështimi duhet të jepnin dorëheqjen. Mesa duket akoma shqiptarët nuk arrijnë ta besojnë që nuk janë më beniaminët e Perëndimit. Ecin tyryryry, deri sa tu dalë para një mur tullash.

Submitted by redaksia on

Taksa mund te pezullohet perkohesisht dhe pergjithnje. Por je sepse kete e kerkojne nderkombetaret qe meqe ra fjala nuk e kane per gje te kerkojne shume gjera. 

Submitted by XY (not verified) on

Me fal, a mund ta zevendesojme murin e tulles me nje grope haleje ?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.