Rroftë sebepi i grabitjes
U desh një grabitje e përsëritur në Rinas që qeveria shqiptare të vërë në lëvizje një procedurë juridike që synon me gjasë zgjidhjen e kontratës koncesionare për aeroportin “Nënë Tereza”. Ose më saktë rishikimin e termave të kontratës. Përmes një vendimi Këshilli i Ministrave ka autrorizuar Avokaturën e Shtetit të kontraktojë kompani të huaja për të bërë mbikëqyrje juridike të kontratës. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e la pa sqaruar se çfarë do të thotë kjo asistencë e kërkuar juridike me urgjencë:
Përsa i përket një kontrate konsulence që Avokati i Shtetit ka aplikuar për zgjidhjen e problematikës që ne kemi me kontratën koncesionare, kemi të gjithë të drejtën si shtet të aplikojmë për ta pasur mbështetje ligjore nga studio të njohura ndërkombëtare dhe kjo nuk përkthehet as në zgjidhje të kontratës koncesionare
tha ajo.
Çfarë do të thotë kjo? Asgjë më shumë sesa presion ndaj koncesionarit që trashëgon në kontratë të drejta ekskluzive. Ky koncesionar është sulmuar gjatë në media të caktuara dhe nga ministra të caktuar të qeverisë Rama. Por deri më sot nuk është bërë asgjë. E ndërkohë që në Shqipëri është dhënë me koncesion një tjetër aeroport, ai në Kukës, duket se arsyeve personale të ministrave, apo atyre ekonomike të mediave, u shtohet edhe “konkurenca e ndershme” e aktorëve të tjerë.
Por pse duhej një grabitje që qeveria të zgjohej? Pse nuk u kërkua që në fillim asistenca e specializuar për të kaluar në skaner kontratën?
Një arsye është sepse një qeveri që do bënte këtë, do të duhet ta bënte me të gjitha kontratat që sulmonte kur ishte në opozitë. Shikoni se çfarë thotë pak javë më parë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja për koncesionin e dokumenteve të identifikimit:
Me PPP identifikohemi si shtetas brenda vendit dhe kur udhëtojmë jashtë vendit. Kemi letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Paguajnë qytetarët shqiptarë jo pak, edhe pse sot e kësaj dite nuk është përdorur asnjëherë asnjë nga dy chip-et elektronikë që ka letërnjoftimi, siç nuk është bërë ende ndonjë lexim biometrik i pasaportës shqiptare në ndonjë aeroport europian. Verifikoni letërnjoftimet që keni në xhep dhe do të shikoni se polikarbonati është i dëmtuar. Madje jo pak njerëz e kanë ndryshuar letërnjoftimin sepse është bërë i papërdorshëm. Dhe tani që ka një kërkesë të shtuar për sportele meqë do të duhet një rinovim masiv letërnjoftimesh, operatori, i përzgjedhur që prej 10 vitesh, nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj kërkesë të rritur në sportele. Këto dokumenta i mbajnë në xhep edhe politikanë të opozitave që nuk kanë lënë akuzë pa bërë për PPP-të e shëndetësisë si dhe opinionistë që nuk kanë kursyer asnjë lloj imagjinate pa zhvilluar për PPP-të e shëndetësisë. Tek-tuk kam parë apo dëgjuar të ndihen për letërnjoftimet elektronike qoftë si qytetarë apo qoftë si përfaqësues të publikut
A është kjo një manovër që synon të korrigjojë imazhin e dëmtuar të qeverisë Rama me koncesionet skandaloze në shëndetësi dhe për rrugët nacionale? Ndoshta, por për sa kohë që kjo gjë po bëhet ajo duhet parë edhe në sens pozitiv. Në fund të fundit, zotin Rama nuk e çon në këtë pikë vullneti I tij, por presioni publik në rritje dhe incidentet e ndryshme që i ndodhin rrugës.
E megjithatë duke mbetur te casus belli që është grabitja e Rinasit, qeveria sërish duhet të japë një përgjigje: pse nuk u kërkua asistencë e tillë edhe për koncesionin e skanimit kur thujase përditë nga porti i Durrësit kalonin tonelata me kanabis?
Add new comment