A do vijnë humoristët e Shqipërisë në pushtet?

Postuar në 22 Prill, 2019 19:46
Shaptilografisti

 

Satirë politike në kombinim me përhapjen në kohë rele dhe globale. Ja një realitet që po trondit themelet e establishment politik dhe ekonomik në mbarë botën. Komedianët – ata që të bëjnë të qeshësh duke menduar – janë shndërruar në pika referimi jo vetëm për të ankoruar kritikën e asaj që përndryshe nuk thuhet, por edhe për shpresën për ndryshim.

Filloi në Itali me të njohurin Beppe Grillo, një protagonist i vjetër i skenës italiane që më në fund falë mediave online, mundësive të internetit dhe aktivizimit fitkiv social përmes Facebook dhe tuitter, ia doli të shkallmonte politikën e vjetër italiane. Një tjetër shkatërrues është kryeministri grek Alexis Tsipras, sidoqoftë jo një komedian, por pa dyshim një aktor i përkryer i skenës publike.

Edhe Macron, sot i vetëshpallur ideolog i një Europe që duhet reformuar mbiu në skenë edhe falë botës së internetit që prodhon politikën e vet. Volodymyr Zelensky në Ukrainë është më i fundit, por jo më pak i rëndësishmi. Ai ka mundur një pasanik si Petro Poroshenko, përmes një emisioni humoristik që godet establishmentin por që paguhet nga një prej njerëzve më të pasur në Ukrainë. Është e vështirë të shpjegosh këtë që po ndodh. Elementi i parë, përcjellja e mesazhit është sqaruar tashmë. Mediat online dhe ato sociale kanë shkurtuar distancat dhe kanë deburokratizuar politikën. Ata që sot thirren “dukuri” nëpër këto media, në një botë të para 15 viteve do të ishin me gjasë askush në planin publik, ose do të kishin shumë pak mundësi të popullarizonin mesazhin e vet.

Statuset e goditura, denoncimet e korrupsionit, profilet anonime, imazhet dhe montazhet jo vetëm përhapin një lloj të ri të mesazhit politik, ato nyjëtojnë atë lloj shqetësimi, apo engledisjeje që deri më sot është konsideruar trivialitet, ose është anashkaluar si ekstrmizëm neurotik. Dikush si Donald Trump apo Matteo Salvini kanë patur intuitën për të kuptuar ekuacionin e barazvlefshëm mes likeve dhe followers me votat, mjafton që të kalohet nga teoria në praktikë.  Dikush tjetër ka bërë “të pamundurën” duke përfaqësur nevojën për ndryshim. Presidenti turk Erdogan thuhet se përfaqëson islamin politik që u margjinalizua gjatë nga Turqia laike e Qemalizmit, por ai po ashtu e gërshetoi këtë islam me përfaqësimin e periferisë.

Janë të gjithë elementë që në fund kanë prodhuar një kod të ri komunikimi ku hierarkia është filtër që në vend se të shërbejë për meritokracinë, po evidentohet si pengesë dhe kosto. Ku fituesit e këtij plebishiti virtual afirmohen në pushtet si njerëz që nuk kanë nevojë për demokracinë dhe rregullat e saj, të sfiduara nga një strukturë veprimi pa procedurë.

Se çfarë përfaqëson Zelenskiy kjo është e vështirë të thuhet. Por që edhe në këtë aspekt ka një degradim kjo mund të shihet më qartë mes rastit të Barack Obamës dhe Donald Trump në një vend të zhvilluar si SHBA. Obama ishte i pari që e përdori median sociale për shtuar mbledhjen e fondeve por ligjërimi i tij i përmbahej normave tradicionale të vlerave amerikane dhe politikës së saj. Trump, përkundrazi hyri në aksion duke mos i ndryshuar asgjë vetes, si një aktor që lexon skriptin e shumicës. Pa pyetur se shumëçka duhet kufizuar, jo për paragjykim dhe diskriminim, por sepse në kohë krize vihet në provë vetë shoqëria dhe vlerat e saj.

Nëse këta indviidë janë konfirmuar si zgjedhje spektakolare të “popullit” që nuk ndjen më nevojën e partive dhe institucioneve, është pak e vështirë të pritet se ata do të sjellin ndryshimin për të cilin janë besuar dhe votuar. Mund të flasësh për nevojën për ndryshim dhe kështu në fakt zbulon krizën e opozitarizmit në një rend konsumi ku të gjithë nuk besojnë në asgjë veç parasë.

Por askush nuk e artikulon ndryshimin se çfarë është përtej denincimit asgjësues të korrupsionit të disa ministrave. Askush nuk ka një program ndryshe, as edhe jep të besojë se ka me të vërtetë mjetet për ta realizuar atë. Këtë e shohim të ndodhë edhje në Shqipëri, ku prej disa vitesh demokracia nga sfidë dhe domosdoshmëri është kthyer në libret politikanësh, demagogësh që janë në thelb oligarkët e vërtetë të saj. Kjo demokraci po instalohet e deformuar dhe pa shpirt, një kufomë e përshkruar nga rregulla dhe norma që riprodhohen parime funksionale, kur në fakt janë alibia e një megavjedhjeje.

Në botën shqiptare ishte Albin Kurti ai që doli i pari me artikulime antisistem. Madje duke referuar edhe filozofinë përkatëse korresponduese për këtë. Por z. Kurti veshi shumë shpejt kostumin e politikanit tradicional edhe për faktin se që të kesh sukses në botën e sotme duhet patjetër që të jesh në një masë të madhe, ose në aparencë një sharlatan që të mund të krijosh kiminë e duhur virtuale me turmën online.

Edi Rama po ashtu është politikani i rrjeteve sociale, por megjithë vanitetin e tij dhe kotësinë si person, zoti Rama ka një formim të vërtetë dhe ka një përvojë jetësore dhe politike që nuk i lejon të bufonizohet deri në atë pikë sa të asgjësonte identitetin e vet. Një kohë e re po troket. Një narrativë pa përmbajtje, thjesht "stilistikore", me fjali të shkurtra, gjysëm shqipe, pa ë, e pa ç, me thnx, e ty, XXo, lloj lloj shkurtesash të shekullit të 21-të.

Shikoni humorin që preferohet në botën shqiptare, shikoni se me çfarë qeshin shqiptarët e sotshëm, sesi “aktorë” humori, palaço rrugësh dhe lagjesh, përshëndeten si personalitete, shikohen me adhurim rrugëve për ta kuptuar se ku ka mbërritur nevoja e apelit politik. Se cila është gjuha me të cilin duhet të merresh vesh me këtë popull. Shikoni muzikën bio të shqiptarëve, sesi kokërruarit me tuta sporti e me një pistoletë të futur në brekët firmato, ngritur deri në kërthizë, angullijnë duke kënduar për një dashuri të papërballueshme për një zeshkane me buzë që po shqyhen dhe që si flamur personal kanë tangat që duken me sy të lirë nga larg.

Nga qoshet e një “nënkulture” këto manifestime kanë dalë në plan të parë të mediave kombëtare, janë shndërruar në modele. Sikur këta individë të dinin një shiqipe më të mirë sesa kjo shqipe zoologjike që përhfaqin sot, me siguri që do të kishim edhe ne Zelenskiyn tonë.

Politika shqiptare është kujdesur, apo ndoshta ka fatin që komedianët, apo humoristët vipa t’i ketë në krah të vetes. Ermal Mamaqi, sot një njeri që thonë se ka shumë humor, është në fakt në krah të progresit që ofron Rilindja. Ai është pjesë e Menusë së saj. Dukuritë e Facebook në botën shqiptare prodhojnë meme dhe manipulime banale që përcjellin ndonjë mesazh, por kësaj kundërvënieje i mungon një fytyrë referuese. Ato kundërshtojnë pa sfiduar, nuk mund të shihet aty një nivel që ta zotërojë teatrin politik. Apo të magnetizojë edhe brezin e ri. Por kjo mund të jetë çështje kohe. Ja, cigarja e parë hashash u ndez në studio televizve. Por kjo nuk ka rëndësi, sepse e rëndësishme është “se u thye një tabu”. U krijua një debat, nga ata të vërtetët, nga ata që shqetëson rininë shqiptare, me diplomë apo jo qoftë ajo.

Në fund të fundit nuk duhet të çuditemi sepse na duhet ta njohim historinë tonë. Monarkia në Shqipëri u pa si komedi e një populli të vonuar, komunizmi po ashtu ishte një eksperiment I patretshëm që u personalizua nga një delirant, ndërkohë që demokracia është me të vërtetë e papërshtatshme. Nuk është çudi pra që edhe në botën e re të tuiterit dhe facebook të jemi karikaturë edhe në raport me Zelenskiyn dhe Grillon që të paktën siç thamë të bëjnë të mendosh.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Vallahi, bilahi ne i kemi humoristet ne pushtet or ti Shapti. A ka mo qyfyrexhi se Edvini, po mo gallataxhie se Elisa, le pastaj kur shton kadoshin Erion (merreni ne dac per Lalin ne dac per Bracen).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.