Berisha, Rama dhe mediat
Protesta e 13 prillit i solli pushtetit bilancin e dhunës së pakuptimtë ndaj gazetarëve të terrenit. Theksojmë, nuk ka të dhëna që të themi se ka qenë dhunë e qëllimshme, por ishte e pakuptimtë. Kjo është e dokumentuar me pamje, me raste konkrete si dhe ëhtë zyrtarizuar si fakt institucional qoftë nga një padi e Partisë Demokratike, ashtu edhe nga reagimi i Avokatit të Popullit. Dikush mund të thotë se këto janë qëndrime të njëanshme, por përtej kësaj, ato rrjedhin nga një realitet që u pa live gjatë protestës së fundit. Protestë e cila i është nënshtruar një gjykimi të dyanshëm: penal dhe politiko-mediatik.
Penal sepse qoftë opozita, qoftë qeveria po flasin për dhunën e saj të dyanshme. Politiko – mediatike sepse pjesëmarrja masive në të i jep asaj peshën e pamohueshme dhe e detyron qeverinë në operacionet e zakonshme të diskreditimit.
Ish-Kryeministri Berisha ka sjellë në vëmendje dhunën ndaj gazetarëve dhe qytetarëve. Si një njeri që e njeh pushtetin dhe levat e shtetit, Berisha e di shumë mirë sesi vepron policia. Dhe mjafton p.sh fakti që policia shoqëeroi të lidhur me pranga pas krevatit të urgjencës një protestues, apo fakti se policia mbante shënim në urgjencë emrat e të gjithë shtruarve, për të kuptuar nervozitetin e qeverisë.
Evidentimi i këtij realiteti nga Berisha, ndërkohë që p.sh organizatat e gazetarëve si Unioni i Gazetarëve, kanë heshtur, krijon problemin shtesë se e zhvlerësojnë krye-kartën e pushtetit në lojën mashtruese “i miri kundër të keqit”, ku i keqi ka qenë përherë Berisha. Sidomos në raport me gazetarët.
Por le ta themi këtu hapur: problemi i dikurshëm i z. Berisha – atij të parit sepse i dyti u bë “dashnor i fjalës së lirë” dhe sidomos mik i çdo lajmi, apo shumicës së pronarëve - ka qenë me gazetarët jo me mediat. Ai ishte problem mendësie jo nervozizmi, problem orientimi në një sistem të ri, jo problem i sekretit finnanciar.
Sot zoti Rama e ka lënë pas këtë aspekt. Ai ka një problem me Mediat si të tilla, jo me gazetarët. Zoti Rama ka qenë përherë politikani i lidhjeve të shkurtra me pronarët e mediave, ndaj edhe armiqësia e tij verbale me gazetarët në fakt është pakënaqësia ndaj një marrëdhënieje nga Lart që nuk po funksionon më sepse është ushqyer mbi dorovitje. Është e thjeshtë për t’u kuptuar se pushteti aktual e ka problemin strukturor, sepse shqetësimi i tij kryesor është kontrolli dhe menaxhimi i informacionit mbi paratë publike dhe shpenzimin e tyre.
Gazetaria shqiptare nuk ka prekur ende as 1/1000 e këtij sistemi që po gërryen përfundimisht ngrehinën shtetërore, që e ka shndërruar edhe procesin legjislativ në një shprehi qokash dhe lobimi. Por ajo shqetëson sepse po i afrohet kësaj rruge, edhe me iniciativa miope, keqdashëse, profesionale e deri diku edhe këmbëngulëse. Ajo po paralajmëron një betejë të një lloji të ri, ku ka vetëm një palë fajtore dhe potencialisht një palë viktimë.
Për ata që kanë merakun e gjakut në protesta dhe dhunës ndaj gazetarëve nga pushteti i sotshëm, këtu duhet ta kërkojnë arsyen e “liberalit Rama”, që me forcën e instrumenteve në dispozicion dhe peshën tradicionale të partisë që ka, ushtron ndikim korruptues, por edhe manipulues. Nuk duhet të jemi naivë e të besojmë se vret malokëria e Berishës. Kjo është të shesësh veten shumë lirë në pazarin e llogjeve, vret forca e gjërave, sidomos kur interesat që janë nga pas janë shumë të mëdha.
Ka gazetarë që i dinë shumë mirë disa gjëra dhe nuk flasin. Në fakt nuk janë të tillë, por thjesht lobues. Që nga njëri ekran në tjetrin, nga njëri shkrim në tjetrin, menaxhojnë mjedisin më të ndotur të këtij vendi: dhomën e rrëfimit të një kishe që kur vjen puna te pushteti përdor vetëm tym të bardhë. Por është një tym që tubon përherë e më pak njerëz, sepse shumica që po kthen kokën nga ana tjetër – kundër këtij pushteti jo detyrimisht nga opozita - po evidentohet përherë e më shumë si e tillë.
Comments
Shkrim pa kuptim
Shkruaj qarte ose nderro profesion. Nuk kuptohesh fare se cfare do te thuash sidomos ne fund. Gjithçka eshte pa lidhje.
Duke e shqyrtuar jam.
Duke e shqyrtuar jam.
Figuracion plot imagjinate
Shkrim koti. Figura letrare qe arrijne kulmin me "tymin e bardhe" qe zakonisht tregon se eshte zgjedhur papa i ri. Po c'lidhje ka papa i ri me protesten. Vetem skerdilajdi e di.
Add new comment