Ushtria ka pastruar plazhet, sot bën roje në Rinas. Vetëm për kanabisin nuk u mobilizua ndonjëherë
Në Rinas u krye një grabitje spektakolare. U vodhën miliona euro. Personat ishin të armatosur. Qeveria përmes ministrit të Brendshëm deklaroi se nuk është cenuar siguria kombëtare. E megjithatë ajo urdhëroi - aktet përkatëse nuk janë bërë ende publike – vendosjen e ushtrisë në aeroportin ndërkombëtar, duke vlerësuar kështu rëndësinë e objektit.
Por nëse nuk është cenuar siguria kombëtare pse ndërhyn ushtria? Në kontratën koncesionare është e detyrueshme prania e forcave policore në aeroport. A ka të drejtë dhe tagër qeveria të angazhojë ushtrinë në këtë formë dhe për këto qëllime? Le të kthehemi pas në kohë. Disa vite më parë, ish-ministri I Drejtësisë Ylli Manjani kërkoi angazhimin e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, që është simboli i Shqipërisë së shekullit të 21-të. Propozimi ishte padyshim tendencioz, por ai u bë kur ishte e qartë se policia ose nuk donte, ose kishte dështuar në luftën kundër kultivuesve. Koha provoi se policia e Saimir Tahirit nuk kishte dashur ta luftonte trafikun.
Megjithatë shikoni sesi e komentoi asokohe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli kërkesën e Manjanit:
Gjërat serioze kanë të bëjnë më sigurinë e vendit. Punët në demokraci janë të ndara. Gjithkush bën atë punë që i takon
Është kjo ministre që mendonte se i takonte ushtrisë të pastronte plazhet e Shqipërisë vit pas viti që Shqipëria e z. Rama të kishte hapësira të bollshme për fotografi. Kujtojmë se zonja Kodheli është ministrja e mushkonjave , avionëve që fluturonin të lirë në qiejt shqiptarë. Mbushur me kanabis kuptohet.
Kush i vendos këto prioritete? Qeveria padyshim. Por në rastin e fundit qeveria duhet të respektojë një kontratë dhe gjestet e saj nuk trembin kënd. Nëse koncesionari ka shkelur kontratën, ka qenë detyrë e qeverisë të auditojë dhe të ngrejë pretendimet. Por siç e kemi parë kjo është qeveria e rrugës së shkurtër: burg për energjinë e marrë ilegalisht, burg për ndërtime pa leje, burg për këtë, e burg për atë. Në fund një vrimë në ujë dhe një sasi e shtuar letrash që quhen ligje e që vetëm hapin punë e flenë kot.
Add new comment