Damian Gjiknuri si shembull i "industrisë" politike të riciklimit
Damian Gjiknuri e kaloi fazën e vështirë të heqjes nga detyra e ministrit. Ata që e njohin zotërinë në fjalë e përshkruajnë si njeri praktik që e di pse është në politikë, se çfarë duhet të bëjë dhe se për çfarë i shërben shefit.
Historiku i tij i ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës është udhërrëfyesi më u mirë për këtë. Zotëria e nis udhën mirë, me çështjen CEZ dhe 400 milionë dollarët e saj. E mbani mend si mbrohej juristi u shquar Gjiknuri kur u hapën dosjen në atë kohë?
“Ky është vendim i qeverisë dhe Parlamentit”, thoshte.
Tenderat e rrugëve janë errësira më e madhe e kësaj qeverie të miqve dhe klientëve. Aty ka qenë Gjiknuri, i qeshur, i thjeshtë dhe i përpiktë në firmat e veta. Thonë se është edhe korrekt me stafin, i sjellshëm sa më s’ka, por kjo nuk ngre peshë.
Është po ky njeri që u ngatërrua pa dashje në aferën 30 milionë euro të DH Albania, për të cilën edhe mesa duket iku.
Por korrupsioni – të na falë për lapsusin zoti Gjiknuri – njolla për korrupsion të mbron më shumë sesa të vret në politikë. Sot zoti ish-ministër është në krye të punës për reformën zgjedhore në PS. Njolla e tij është garanci se ai nuk do ngrejë kokë ndaj kryenjollaxhiut të Republikës, kryeministrit. Ndaj edhe mediat vërdallë PS-së kanë ca kohë që po e qarkullojnë ish-ministrin me kredencialet e teoricienit të zgjedhjeve. Në një intervistë të sotshme zoti Gjiknuri ka kapur veten në një moment inteligjence të rrallë kur propozon që opozita jashtëparlamentare të ketë një vëzhgues special në Komisionin e Reformës, “për të patur kështu një dritare”. Mirëpo kjo opozitë, pra Partia Demokratike, ka ngritur shpesh pretendimin se Gjiknuri është fotografuar në dreka e darka me njerëz të krimit për llogari të zgjedhjeve të shkuara. Akuza që kanë mbetur pa provuar, por që janë lëshuar prej saj.
Ndaj vetë prezenca e z. Gjiknuri në Komision është provokim. Ai mund të hiqet sikur asgjë nuk ka ndodhur në Shqipëri gjatë kohës që ka qenë ministër, se ai është më i varfër sesa kur u bë ministër, se thjesht ka qëndruar si guak apo fanatik i ligjit kur firmoste tenderat e rrugëve, apo edhe të HEC-eve përpara se të jepej leja mjedisore, por pakkush e beson.
Zotëria megjithë larjen dhe dubekun mediatik nuk tundet e as shkundet më nga vlaga e korrupsionit që ka mbingopur çdo perceptim. Zoti Gjiknuri e ka shumë të thjeshtë të rregullojë memorien e vet, pra çfarë duhet të mbajë mend dhe çfarë jo. Kjo ndodh te njerëzit që politikën e shohin si biznes. Por nëse opozita ka kushtëzuar aksionin e vet me kartën morale, ajo duhet të kushtëzojë çdo ofertë që vjen nga njerëz si ky Damian Gjiknuri.
Add new comment