Kryeministri i paketave!
Kryeministri që kemi flet shumë, çdo ditë, nuk mbaron së foluri, madje është në inflacion me fjalën. Është një nga shpërdoruesit më të mëdhenj të saj. Ka 6 vjet që flet me orar pa orar.Ka luksin të merret me batuta dhe të përsërisë veten, edhe pse ata që ka përballë, audienca thjesht bën rolin e spektatorit.
Nuk ka rëndësi se çfarë thotë Rama, e rëndësishme është që ai të mendojë se po e dëgjojnë. Dhe në këtë pikë të ftuarit janë aktorë ekselentë, madje po t’u japësh mikrofonin vetësugjestionohen. Në fund të fundit e ndjejnë veten në një kategori me kryeministrin.
Ky i fundit ndonëse në inflacion me fjalën, të cilën e keqpërdor shpalli para pak kohësh paketën antishpifje për të denuar ata që me demek shtrembërojnë të vërtetën. Kë të vërtetë? Atë që nuk i pëlqen zotërisë, çfarë rëndësie ka. Ai, Edi nuk e duron dot shpifjen, fjalët e të tjerëve i ka bezdi, do vetëm të llomotisë ai. Sepse llomotitja ndryshon nga fjala. Fatkeqësisht kryeministri ka zgjedhur të llomotisë. Kërcënoi me paketë antishpifje, por duke qenë se i flet goja para veprave paketa ka mbetur rrugës, nuk dihet se si do i vejë fati.
Çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe ajo u harrua, por bojatisja e kryeministrit dhe të tjera ngjarje që i kanë prishur terezinë estetike mazhorancës ka rikthyer në gojën e kryeministrit fjalën paketë. Sot në parlament ai tundi paketën antikrim për ashpërsimin e masave ndaj atyre që dhunojnë zyrtarët, ku nga këto masa nuk do përjashtohen as deputetët, madje imuniteti i tyre do jetë i pavlefshëm nëse shkelin etikën parlamentare.
“Patjetër paketa duhet të përfshijë edhe vullnetin tonë për ta thelluar ndarjen e politikës nga krimi dhe të qeverisë nga kriminelët, e cila ndryshe nga sa është propaganduar gjithë këto vite ka filluar vetëm kur ne e kemi marrë mandatin tonë të parë.. Barbarëve edhe këtu në parlament, përgjithmonë nuk mundet deputeti të ketë imunitet për të goditur deputetin, për t'iu turrur foltores fizikisht, edhe kjo do të përfshihet në Kodin Penal. Nuk mund të vijohet më kështu”-deklaroi kryeministri sot ne parlament.
Pra kryeministri propozon që deputeti të zhvishet menjëherë nga imuniteti nëse bezdis kolegun me fjalë apo me ndonjë grusht të thatë. Boja në fytyrë e e ka shqetësuar shumë dhe kjo derdhi gotën mesa duket. U prek njëshi, ai, i paprekshmi. Nuk u shqetësua shumë dhe nuk reagoi kështu kur ish-deputeti i tij, Arben Ndoka boksoi në ambjentet e kuvendit kolegun e PD-së, Gent Strazimiri. Po ashtu para pak javësh mazhoranca forcoi mbrojtjen e deputetëve, duke vështirësuar procedurat për heqjen e imunitetit të ligjëvënësve që dyshohen si të përfshirë në vepra penale. Sa për paketat e tjera, janë ato financiare ku shpërndarja është me kritere që i di vetë kryeministri.
Add new comment