Problemet reale dhe problemet e preferuara nga kryeministri në shërbimin e Jashtëm

Postuar në 25 Mars, 2019 12:33

Sot Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një aktiviteti për prezantimin e portalit të transparencës universitare se së shpejti do të nisë pastrimi i shërbimit diplomatik nga nepotizmi.

Për pak ditë do të ketë një thirrje tjetër për studentët që kanë mbaruar me 9-ta dhe 10-ta në shërbimin diplomatit, në ristrukturimin për të goditur nepotizmin dhe klientelizimin e së shkuarës. Kemi bërë një pastrim që nuk mjafton, pasi do të shkojmë më thellë. Edhe aty thirrja do të jetë për më të mirët. Edhe diçka doja të shtoja, bordet ndryshuan tërësisht, si reflektim i kërkesës së studentëve dhe që nuk u treguan në lartësinë e duhur në raport me përgjegjësinë

tha ndër të tjera z. Rama.

Historia e kësaj qeverie mund të përshkruhet edhe si një histori pastrimi, por ku çuditërisht mbeten ende gjëra për të pastruar. Kur vjen puna te shërbimi diplomatik z. Rama ndoshta tregohet i padrejtë dhe vepron përmes rrugës së shkurtër që siç dihet të nxjerr përherë më gjatë. Sepse ka disa të dhëna që duhen konsideruar.

Zotit Rama më shumë i duhen betejat e shpikura, që i nis duke propaganduar problemin, evidentimin e tij dhe mandej thirrjen për ndryshim. Në fund notën ia vë vetë vetes dhe sigurisht që ajo është përherë maksimale. Dy vjet më parë e bëri këtë gjë me diplomacinë, kur thirri në një takim ambasadorët e Shqipërisë të akredituar jashtë vendit dhe u dha leksion për diplomacinë ekonomike. Kryeministri kishte menduar edhe diçka shtesë. Në bashkëpunim me universitetin e Harvardit ai ofroi leksione “të thelluara” nën drejtimin e profesorit Ricardo Hausmann që u përmblodhën nën titullin: Përshpejtimi i progresit në Shqipëri. ResPublica ka raportuar më herët për këtë cikël kursesh.

Nga burime pranë Ministrisë së Jashtme u mor vesh se pas këtyre leksioneve ambasadorët iu nënshtruan provimeve apo më saktë testimeve me pyetje nga stafi i Hausmann të cilët edhe i korrigjuan ato. Nëse sheh pyetjet ato janë një fyerje për inteligjencën e dikujt që e ka marrë universitetin me nota minimale(shiko figurën më poshtë).

Megjithatë Ministria ka bërë me dije se në përgjithësi stafi diplomatik ka dalë shumë mirë në testim, ndaj nga kjo pikëpamje, pra e kualifikimit nuk ka probleme. Ajo që zoti Rama nuk do ta pranojë publikisht është se diplomacia ekonomike nuk është çështje teknike e disa diplomatëve shumë të zotë, por mirëfili politike. Është qeveria ajo që lehtëson punën e diplomatëve me projekte dhe krijim kushtesh, me besueshmërinë në aspektin ligjor etj., dhe jo e kundërta. Zoti Rama mendon se fajin e kanë diplomatët dhe ambasadorët, klientelizmi dhe nepotizmi.

Këto patjetër që janë probleme, por nëse në konsullatat shqiptare vazhdon korrupsioni i certifikatave dhe pasaportave, ndonëse është futur aplikimi online, kjo ndodh edhe sepse diplomati shqiptar trajtohet financiarisht si i fundit i të fundmëve. Patjetër që ka edhe probleme niveli, iniciative dhe burimesh njerëzore, por në fillim duhet të pranojmë se nuk ka politika të qarta për investimet. Që këtej rrjedh edhe injorimi i diplomatëve që shihen shpesh si shoqërues të familjarëve të pushtetarëve të Tiranës. Dhe që këtej buron edhe mendësia e stafit diplomatik që e sheh detyrën jashtë jo si mundësi karriere, por si mundësi shkollimi për fëmijët.

Në nëntor të vitit 2017, ResPublica i kërkoi Ministrisë së Jashtme të dhënat për stafin diplomatik në disa seli të Shqipërisë jashtë vendit. Në krye të listës për numrin e diplomatëve qëndron Greqia me 13 veta personel në ambasadë, ndërkohë që shumica e vendeve ku Shqipëria ka ambasadë funksionojnë me 3 - 4 veta personel. Pra ambasadori, shoferi, një sekretar. Më poshtë tabela e bën të qartë një gjë të tillë.

***

Zoti Kryeministër ndoshta i ka parasysh këto kur del dhe flet me të madhe, sikurse ka parasysh edhe rrogat, ka parasysh edhe se studentët ekselentë edhe në botë, jo më në Shqipëri, po synojnë përherë e më shumë kompanitë e mëdha. Kjo edhe për shkak se në sektorin publik paguhet dhe vlerësohet vendi i punës dhe jo Puna e individit. Ky nuk është problemi i kryeministrit në fakt, është çështje standardi. Z. Rama mesa duket kërkon problemin që i leverdis për ta shitur si objekt debati ku ai jep zgjidhjen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.