Sot Shqipëria u bë më e ndarë sesa dje

Postuar në 23 Mars, 2019 13:48

Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj ka folur në aktivitetin e shpaklljes së tij si kandidat për Bashkinë e Tiranës për “ata që na kanë inat”. Kryeministri Edi Rama foli për prishjen “me se s’bën të Teatrit Kombëtar” dhe ka bërë ofertën që nëse opozita fiton edhe një bashki më shumë atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme në shtator. 

Socialistët ishin shumë sot, aq sa mund të thuhet se ata janë të tepërt në Shqipërinë që po shkon drejt greminës. 

Kjo sjellje demonstrative, ky provokim është në fakt një mundësi për të kuptuar se nuk mund të ketë dialog me një pushtet që kërkon ta shohë mbarë Shqipërinë poshtë vetes. Ta fillojë negociimin mbi këto pozita. 

Në një kongres shoshiten shumë gjëra, nuk renditen vetëm arritjet. Por Kongresi i socialistëve nuk ka zënë në gojë skandalet e pafundme financiare, korrupsionin e pandalshëm. Ai ka pranuar pikturën e Edi Ramës të një vendi që lulëzon. Sot Kongresi pushoi së qeni i tillë kur pranoi mashtrimin si tezë zyrtare, si të vërtetë ndaj së cilës duhet të konformohesh. 

Fryma e tij e bën më kategorike nevojën e angazhimit qytetar kundër kësaj partie, e përcakton me detyrim artikulimin e Ndarjes themelore mes Tyre dhe të Tjerëve që jetojnë në Shqipërinë e vjedhjes, të krimit dhe jo në parajsën e luksit të Shokëve Zengjinë.  

Nga buron kjo arrogancë, apo kjo shurdhëri për të vënë gishtin mbi plagët e vendit? Buron sa nga vokacioni i kësaj kaste, aq edhe nga etja për të mos lëshuar pushtetin e parasë publike. Kongresi nuk i ofroi asgjë Shqipërisë, Asgjë. Ai është ofertë për socialistët që të mbajnë parasysh se janë shumica dhe kështu duhet të mbeten, se ata duhet të hanë dhe pasurohen, ndërsa të tjerët janë qorra dhe keqdashës. Mesazhet e bashkimit tradhëtohen nga sjellja dhe mirëqenia, hipokrizia dhe mashtrimi. Sot Shqipëria u nda edhe më shumë, edhe më thellë se një ditë më parë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.