Evropa, le të shohim drejt së ardhmes
Sot, më shumë se kurrë, Evropa ka nevojë për ndryshim themelor politik, i cili do t’u sigurojë vizion qytetarëve. Duhet të largohemi nga rutina e ngurtë dhe nga slloganet e së shkuarës, të përsëritura në mënyrë papagalli. Kemi nevojë për një politikë të re radikale, të aftë për t’iu përgjigjur krizave të shumëfishta që po kalojmë. Janë pikërisht këto kriza që po përçajnë Evropën çdo ditë e më shumë. Kriza ekonomike nxori në sipërfaqe çarjen ‘Veri-Jug’, Brexit-i konfliktin ‘Qendër-Periferi’ (fenomen i cili lidhet edhe me ‘Jelekët e verdhë’), ndërsa rrymat e imigracionit dallimin perceptual midis Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore. Nëse këtyre u shtojmë edhe ndryshimet klimaterike si dhe Globalizmin kaotik me kosto të mëdha dhe humbës të shumtë, atëherë do të dallojmë qartë imazhin e Evropës së sotme, e cila ka nevojë për një përgjigje progresive dhe gjithëpërfshirëse.
Por çfarë është progresive sot?
Përballë ndryshimeve të mëdha që aktualisht po ndodhin; përballë një Evrope që dalëngadalë po zhytet në shterimin e vlerave brenda ndërgjegjes së qytetarëve, një Evropë së cilës po i vihet në dyshim vetë ekzistenca e saj, progresive është çdo gjë që ka në themel njeriun dhe të drejtat e tij. Çdo gjë që ndihmon në luftën kundër pabarazisë, kundër përqendrimit të pasurisë në pak duar dhe mjerimin e shumicës. Çdo gjë që kontribuon në forcimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të të drejtave, që lufton diskriminimin e çdo natyre dhe mbështet solidaritetin. Gjithashtu, progresivja konfirmohet praktikisht kur pushteti t’u kthehet qytetarëve dhe me krijimin e një shoqërie për të gjithë, në të cilën qytetarët ri-fitojnë jetën e tyre.
Fokusi i propozimit tonë duhet të jetë ndryshimi. Por një ndyshim, tek i cili është e nevojshme të besojmë dhe të përpiqemi për realizimin e tij. Sot kemi nevojë për një narrativë progresive evropiane, se çfarë Bashkimi Evropian është për qytetarët e vet, ku këta të fundit të marrin përsëri në duar fuqinë dhe zëri i tyre të dëgjohet. Përkundrazi, në epokën që po jetojmë është frika ajo që kultivohet vazhdimisht. Frika, e cila përbën armën më të fortë në duart e populistëve të ekstremit të djathtë, perceptohet e lidhur me mazhoranca të kërcënuara nga Globalizmi, mazhoranca që vetë-konsiderohen si humbëse për shkak të ‘elitave të korruptuara’, të të huajve, ‘pushtuesve’, e kështu me radhë. Të gjitha këto frymëzohen nga teori konspiracioni, të zakonshme në periudha krizash, që bëhen shprehëse të dëshirës për më shumë rend publik në një botë komplekse dhe multidimensionale.
Në bazë të frikës që kultivojnë, populistët angazhohen në drejtim të demokracisë anti-liberale, së bashku me ri-kthimin e sigurisë që në të kaluarën garantohej nga shteti-komb. Pikërisht përballë kësaj Evrope të frikës, të kthimit frikësues te shteti-komb, duhet të themi ‘JO’, duke paraqitur paralelisht axhendën tonë progresive. Kjo axhendë progresive përbën pronë të përbashkët të të gjithë forcave që kundërshtojnë botën ku shtresa të reja margjinalizohen vazhdimisht. Sfidat janë të mëdha dhe askush nuk mund t’ia dalë dot i vetëm. Nuk kemi si të biem dakord për gjithçka, nuk kemi të njëjtën pikënisje dhe as të njëjtën lupë analitike për fenomene të ndryshme. Megjithatë, ndajmë të njëjtin besim se Evropa duhet të dalë nga kriza më e fortë, më sociale, më e barabartë, më afër qytetarit dhe më e gjelbër. Ajo që kemi nevojë është të ndryshojmë modelin, të cilin të gjithë së bashku dhe në mënyrë të koordinuar mund të arrijmë ta implementojmë. Përballë nuk kemi vetëm forcat anti-evropiane, por edhe ato konservatore që nuk dëshirojnë ndryshime themelore.
Progresivja konfirmohet sot çdo ditë me vepra dhe jo me fjalë. Me përpjekje kundër çdo nacionalizmi, racizmi apo ksenofobie, me mbështetje për të dobëtit, me luftë kundër pabarazisë, me ndërgjegje ekologjike, me përpjekje për forcimin e të drejtave të njeriut dhe të drejta sociale për të gjithë. Progresivja nuk është tabelë dhe as një kostum që e veshim dimër-behar. Konfirmohet në jetën e përditshme te veprimet tona dhe në aleancat që lidhim për të realizuar qëllime të përbashkëta. E nevojshme është t’i japim sot kuptim progresives dhe të kthehemi në themel të demokracisë. Nuk ka receta magjike për probleme të mëdha. Duhet mobilizim dhe përpjekje të përbashkëta. Dhe veçanërisht, duhet të thyejmë frikën kundër ‘Tjetrit’, kundër të nesërmes, me anë të politikave që adresojnë rezultativisht pasojat e shumëfishta – sociale, ekonomike, mjedisore – të krizës evropiane.
Socialdemokracia nuk ka qënë asnjëherë utopi, por është bazuar gjithmonë në ‘Artin e të mundshmes, e fizibilitetit’. Sot kemi detyrë që të lemë mënjanë subjektivizmat dhe të dialogojmë: socialdemokratë, të majtë dhe të gjelbër. Pa harruar dallimet që na karakterizojnë, duhet që me autokritikë dhe frymë përgjegjësie, t’u bllokojmë rrugën konservatorëve dhe të Djathtës Ekstreme. Për më shumë, tashmë nuk mund të flasim më me togfjalësh duke hezituar. Në epokën e sotme, kur politika Blair e ka humbur ndikimin e saj në Britaninë e Madhe, kur influenca e politikës Schröder në Gjermani është dobësuar dukshëm, kur në Amerikë rryma radikale në Partinë Demokratike po forcohet dhe po promovon programin inovativ të New Deal-it të Gjelbër, vetë koncepti i qendrës po vihet gjithmonë e më shumë në diskutim. Në këtë periudhë radikalizimi, kemi detyrë të disponojmë përgjigje të qarta dhe progresive karshi problemeve të mëdha.
Në fund të fundit, në jetë duhet të zgjedhësh të konfrontohesh për të mbrojtur një të kaluar të ndryshme ose një të ardhme të ndryshme. Do të propozoja të flasim për të ardhmen. Dhe në këtë kontekst duhet të zgjedhim: majtas ose djathtas? Progres apo konservim? Përgjegjësia i përket secilit dhe secilës nga ne.
Përktheu nga greqishtja: Jordan Jorgji - Pedagog i Studimeve Politike në Universitetin Fan S. Noli, Korçë
Add new comment