Beteja për sovranitetin, heqjen e tutelës neokoloniale, kundër paternalizmit të Ti(Ramës)...
Deklarimet dhe diskutimet lidhur me të ashtuquajturën “marrëveshje finale” ndërmjet Serbisë e Kosovës tashmë kanë arritur vlera inflatore, gati të ngjashme me ish dinarin jugosllav në fundin e viteve e nëntëdhjeta. Nuk ka ditë që nuk flasin nga disa zyrtarë të Serbisë e të Kosovës për këtë temë, sikundër që nuk ka ditë që nuk flasin edhe nga disa ambasadorë, ministra, parlamentarë, kongresmenë e gazetarë të shteteve të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve e të Rusisë.
Vuçiqi si kampion i llomotitjeve
Të gjithë ata që flasin, pa përjashtim, realisht nuk e dinë se çka thonë saktësisht, pasi kakofonia e karakterizon secilin folës në këtë temë. Madje, edhe ata që llogaritet se do të duhej ta dinin se çka flasin, realisht flasin në tym: një ditë thonë një gjë, ndërsa ditën tjetër një gjë tjetër, duke ia kundërvënë kështu edhe vetes qëndrimet. Fjala vjen, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për çdo ditë flet për këtë temë dhe gati çdo ditë thotë gjëra të ndryshme, të cilat e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ai një ditë thotë se Serbia do ta mbrojë me çdo mjet integritetin dhe sovranitetin e vet, duke e ngritur edhe armatën në gjendje gatishmërie, ndërsa ditën tjetër thotë se Serbia i kupton edhe interesat e shqiptarëve dhe prandaj insiston në “marrëveshje kompromise”. Një ditë thotë se Serbia do t’i mbrojë serbët në Kosovë me çdo çmim, ndërsa ditën tjetër thotë se Serbia nuk merr pjesë në dialog pa u hequr taksa. Një ditë thotë se Serbia është e gatshme për dialog pa kushte, ditën tjetër thotë se ai nuk bën asgjë pa u konsultuar me Putinin, mandej thotë se e dëgjon se nuk del kundër qëndrimit të kancelares Angela Merkel. Në ndonjë miting në provincë flet për fuqinë e Serbisë, ndërsa në ndonjë panel luan rolin e viktimës, përlotet, dhe flet se si ai është i përkushtuar vetëm për paqe më shumë se Dalai Lama.
Në TV Pink thotë se angazhohet për “kufizimin etnik ndërmjet shqiptarëve e serbëve”, duke e zhdukur Kosovën nga harta, ndërsa në ndonjë medie evropiane flet për bashkëpunimin e mirë fqinjësor… Mund të bëhet një koleksion i gjerë i deklaratave të tij kundërthënëse, përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Vuçiqi flet pa pushim, thjesht llomotit, duke tentuar që – nëpërmjet të ashtuquajturës “fuqi e butë” – t’i joshë ndërkombëtarët, ndërsa nëpërmjet retorikës populiste-nacionaliste, t’i mbajë serbët për kapistalli.
Sa u përket ndërkombëtarëve, mund të thuhet se ai ka arritur njëfarë suksesi që t’i manipulojë, sepse shumë nga diplomatët evropianë dhe amerikanë e shohin Vuçiqin si “lider të moderuar” dhe Serbinë si “faktor stabiliteti në rajon”. Këtë e bëjnë jo që janë naivë e nuk e dinë se çfarë profili i politikanit demagog e rrenacak është Vuçiqi, por ngase janë bërë bashkëpjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale kundër Kosovës, më saktësisht me projektin për copëtimin e saj. Politikanë e diplomatë, si Kurci, Hani, Mogerini, Bolltoni, Pallmeri etj., janë bërë pjesë e një ndërmarrjeje kriminale, e cila synon që me një inxhiniering diplomatik ta dështojë shtetin dhe t’i jap Serbisë favore, për ta mbajtur atë disi në rrugën e integrimit evropian. Mbajtja e Kosovës në izolim total, duke mos ia hequr as vizat, është simbol i këtij projekti kriminal.
Paqartësia e presidentit Thaçi
Nga ana tjetër, homologu kosovar i Vuçiqit, Hashim Thaçi, ndonëse nuk flet çdo ditë për këtë temë, megjithatë ka dykuptimësi në deklarimet e tij. Në panele dhe intervista për mediet e huaja, ai e lë mundësinë e korrigjimit të dyanshëm të kufirit, ndërsa në mediet vendase flet vetëm për mundësinë e aneksimit të Luginës së Preshevës, pa i dhënë asgjë Serbisë. Po ashtu Thaçi flet me optimizëm kandidian mbi mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale brenda këtij viti, gjë që askush – përveç tij – nuk e sheh në horizont. Këtu ka vend për një analizë: nëse deklaratat e tij për aneksimin e Luginës së Preshevës nga Kosova shihen si kundërpeshë ndaj projektit serb për copëtimin e Kosovës, kjo mund të jetë disi e akceptueshme, por me kusht që të mos manipulohen shqiptarët e Luginës. Pra, të bëhet politikë me fjalë, por pa e rrezikuar ekzistencën e tyre në ato hapësira, duke i ekspozuar si “element jolojal” ndaj shtetit serb. Por, presidenti Thaçi tashmë e ka bërë atë manipulim me ta. Ndërkaq, nëse ideja e tij për aneksimin e Luginës së Preshevës paraqitet si komplementare me projektin serb për shkëmbimin e territoreve ose për “kufizimin etnik ndërmjet serbëve e shqiptarëve”, atëherë kemi të bëjmë me pjesëmarrje në diversion ndaj shtetit të Kosovës. Mediet dhe kundërshtarët e tij politikë gjithnjë e vënë në këtë kontekst, por Thaçi vazhdimisht e mohon këtë pozicion, madje edhe kur në ndonjë panel ose në mediet e huaja ka deklaruar botërisht se është në favor vetëm të një demarkimi të kufirit, që nënkupton dhe korrigjimin e dyanshëm.
Në tërë këtë llafazanëri bizare, më shqetësueset janë zërat nga administrata amerikane, e cila nuk e përjashton një marrëveshje që e merr para sysh edhe “adoptimin e kufirit” ose “shkëmbimin e territoreve.” Meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogariten si sponsor i pavarësimit të Kosovës, ky qëndrim i ri i SHBA-ve, realisht, është në kundërshtim me qëndrimet e administratave të mëparshme, që nga ajo e Klintonit, e Xhorxh Bushit dhe ajo e Barak Obamës. Shqetësues mbetet fakti që administrata e Trampit ka shpall diskontinuitet me politikat e pararendësve të vet edhe në fusha të tjera, që nga ngrohja globale, sigurimet shëndetësore, e deri në qëndrimet ndaj BE-së, Kanadasë dhe NATO-s. Meqë së paku dhjetë ish bashkëpunëtorë të presidentit Tramp janë duke u gjykuar për lidhje okulte me Rusinë dhe prokurori Myller është duke zhvilluar hetime edhe për lidhjet eventuale të Trampit me Rusinë, kjo duhet të paraqesë shqetësim shtesë edhe për Kosovën. Rusoflia e kësaj administrate, e mishëruar edhe me Xhon Bolltonin, paraqet jo vetëm problem, por edhe rrezik serioz për Kosovën. Ndërsa në Kosovë vazhdon ëndërrimi se SHBA-të janë sponsori i pavarësisë së saj, por në realitet presionet e administratës së Trampit nuk duken fare miqësore dhe as të motivuara për ta mbrojtur shtetësinë e Kosovës. Nga ajo që shihet në sipërfaqe, këto presione kundër Kosovës duken më shumë si një koncesion që planifikohet t’i bëhet Rusisë në Ballkan. (Nëse ka karta të fshehura nën mëngë, siç bëjnë zakonisht kaubojt në filmat vestern, ajo gjë do ta ndryshonte perceptimin.)
Sa do të shkëlqejë ylli i Haradinajt?
Në këtë sfond aspak të favorshëm për Kosovën, një yll i ri ka filluar të shfaqet në skenën politike – kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tash për tash është duke refuzuar dhe duke sfiduar jo vetëm presidentin e vendit, po edhe administratën e SHBA-ve. Refuzimi i kryeministrit Haradinaj që ta suspendojë taksën për mallrat serbe, ka marrë dimensione përtej atyre që ishin menduar në fillim: tashmë kjo masë e ka bllokuar dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës në Bruksel dhe po e pengon idenë e Bolltonit për të arritur një marrëveshje brenda pak muajsh, me mundësinë e shkëmbimit të territoreve e për ta firmosur në Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj, konflikti ndërmjet Kosovës e Serbisë ka marrë edhe nuanca të tjera: si konflikt ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, po edhe si konflikt i administratës së Trampit me qeverinë e Kosovës.
Nga ky përshkallëzim, tash për tash, është duke përfituar Serbia, e cila po bën sehir si “dreqi në stom”. Kushtëzimi nga Serbia i vazhdimit të dialogut me heqjen e taksës, tash për tash i ka krijuar Serbisë përparësi politike, ndërsa tërë presioni ka rënë mbi qeverinë e Kosovës. Por, Nëse qeveria Haradinaj reziston dhe nëse dialogu bllokohet, derisa të ndodhin ndryshime në Bruksel e, eventualisht, edhe në Uashington, kjo do të shndërrohej në fitore të pakthyeshme të Kosovës. Si? 1. Kosova do të dilte nga tutela neokolonialiste, ku e mbajnë SHBA-të dhe Brukseli tash e njëzet vjet.; 2. Kosova do t’i eliminonte nga skena e vet politikanët që nuk e durojnë presionin e të huajve; dhe 3. Kosova do të dëshmonte se i mbijeton presionet e Serbisë.; 4. Kosova do ta sfidonte edhe lidershipin e Tiranës, së paku këtë që e shohim në versionin e një lideri kundërthënës e aventurier, siç është Edi Rama, i cili është bërë palë me Vuçiqin kundër sovranitetit të Kosovës, siç ishte bërë një herë e një kohë edhe Enver Hoxha palë me Titon kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në gjithë këtë sfond, një gjë është e sigurt: Serbia nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Nëse arrihet një marrëveshje e detyrueshme, ajo do t’i shërbejë Serbisë për integrimin e saj në BE, e jo Kosovës. Prandaj, siç bien zerot e një bankënote me shkallë të lartë inflacioni, do të bien edhe fjalët nëse Kosova reziston dhe u mbijeton presioneve të sponsorit të deritashëm dhe të armiqve. Mision i vështirë, por jo i pamundur. Pra, kjo është beteja finale për shtetin e Kosovës, si shtet sovran, jashtë tutelës neokoloniale, jashtë paternalizmit të Ti(Ramës) dhe mbi të gjitha jashtë rrezikut aneksionist serbomadh e pansllavist.
Shenja.tv
Add new comment