Legjenda e burgosjes së Berishës...një bisedë prangash nga viti 1998
Kur nxehen gjakrat, në skenë dalin ata që dinë të heqin vallen e sherrit. Një nga këta profesionistë të zullumeve është Spartak Braho, Baba Taku me çantën e zezë siç thonë.
Z. Braho e ka në shënjestër përherë Sali Berishën. E quan se ai sjell të gjitha të këqijat. Para pak ditësh ai sqaroi se përse Berisha ka ndryshuar mbiemrin. U duk si lajm pa lidhje në fakt, por Berishës si duket i dogji dhe në Facbook u përgjigj se Braho vetë e ka patur emrin Zylyftar dhe se i thërrisnin Zylyf. Mirëpo në Skrapar Zylyftarit i thonë ose Tare, ose qameti Zake, ndërsa në Devoll, Zylo. Informacione të pasakta që nuk merret vesh se çfarë peshe ngrenë në politikë.
Z. Braho nuk e ka hapur ende çantën e zezë për z. Berisha. Por ai dje ka shkuar më larg; ka profetizuar se më 16 mars z. Berisha do palosë ndonjë demokrat për ta shpallur viktimë. Kështu i dërgohet paradhënie një mesazh ish-kryeministrit që të ketë kujdes dhe të mos bëjë më lodrat e së shkuarës.
Ky komunikim i koduar, absurd në vetvete për njerëz me këto përgjegjësi, na bën të kuptojmë se mes palëve në politikë elementi i shantazhit është ana tjetër e medaljes, që është Pazari.
Shumëkush pyet se përse Berisha nuk shkon në burg? Pushteti asnjëherë nuk ka dhënë një përgjigje shteruese, por është kapur tek alibia e gjyqësorit. Z. Rama që erdhi me këtë premtim, në fjalën e parë në Parlament si kryeministër, deklaroi hapur se ai ia lë historisë Sali Berishën.
Asnjë prej këtyre zotërinjve nuk do të hapë derën e burgut për tjetrin, sepse herët a vonë do të shkojë vetë brenda.
Për ta ilustruar këtë vlen një histori e rrëfyer në konfidencë nga një prej njerëzve më të afërt të Fatos Nanos.
Diku nga viti 1997 apo 1998, Nano, asokohe kryeministër kujtohet për një prej personave që e kishte dërguar sipas tij në burg padrejtësisht. Thërret mikun në fjalë, që mbante detyrë shumë të lartë dhe i kërkon largimin e personit.
-Ka bërë padrejtësi, thotë. Duhet të ikë.
Zyrtari në fjalë thërret personin që duhej larguar, ende në detyrë shtetërore dhe i këkron të largohet. Duke kërcënuar indirekt:
Ne jemi në pushtet. E di vetë ti.
Personi refuzon të largohet duke deklaruar se e mbron ligji dhe se madje as ka frikë fare.
Të shqetësuar dy socialistët e lartë mendojnë një zgjidhje tjetër: një bursë studimi jashtë. Dhe me marrëveshje u pranua që largimi të bëhej me dorëheqje.
Zyrtari socialist që rrëfen historinë thotë se firma e dorëheqjes u vu vetëm pasi përfituesi i bursës dhe burgosësi i Nanos, hipi në avion me letra në dorë. Para se të ikte ai më tha:
-Ju e morët në qafë këtë popull. Juve ju nduhet Sali Berisha që ta shtyni vetë dhe të vidhni.
-Do ta fusim në burg maskarain, ia ktheva.
-Vërtet, më pyeti?
-Po.
-Atëherë më lëni mua se shkoj dhe ja vë prangat që nesër vetë.
Nuk fola.
-Ju nuk doni, tha. Juve ju duhet ai jashtë.
Kjo është një bisedë e treguar vite më vonë me idenë se ishte Nano ai që bëri Pazar me Berishën, por jo socialistët.
E njëjta histori vazhdon sot. Z. Rama thotë se Berishën nuk e arreston prokuroria, se ai la mandatin se ka frikë nga drejtësia. Në të vërtetë këto janë gënjeshtra. Kryeministri e di mirë që me zullumet që ka bërë i duhet patjetër të sigurojë krahët nga ata që do vijnë nesër. Dhe këtu biseda e ’98-ës aktualizohet. Se xhanëm ku ka prokuror që të mbulojë thagmën e DH Albanias?
Rilindja e Shqipërisë? Ha ha ha. Fshati që duket nuk do kallauz.
Add new comment