Largimi, kusht minimal që investimi i opozitës të ketë kuptim

Postuar në 26 Shkurt, 2019 09:39

Në vitin 2001, pas zgjedhjeve të Dushkut, Sali Berisha, asokohe në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike ndërmori një tur në Parlamentin Europian dhe instanca të tjera për të dokumentuar siç thotë manipulimet elektorale. Me dosje në dorë ai trokiti nëpër zyra dhe në fund ia doli të merrte njohjen e problemit, një rezolutë të PE-së dhe marrëveshjen me Fatos Nanon. 

Sot, opozita shqiptare, ajo parlamentare, është riaktualizuar si faktor politik në vëmendje të të gjithëve, për shkak të një akti ekstrem siç është dorëzimi në bllok I mandateve. Dhe si pasojë e këtij akti befas Shqipëria është zbuluar si një vend që ka ndërmarrë shumë reforma, që ka ecur përpara pavarësisht problemeve. 

Asnjë prej aktorëve ndërkombëtarë që bashkëjetojnë dhe kultivojnë Shqipërinë e stabilitetit në mizerje nuk ka pritur mesa duket që Lulzim Basha të shkonte deri në këtë veprim. I vetmi që nuk po do ta shohë se ku ndodhet vendi është kryeministri që e trajton Shqipërinë si Bashkinë që Do. 

Mirëpi largimi i opozitës e ka delegjitimuar parlamentin shqiptar, një pjesë të aksioneve të të cilit e ka krimi, por po e çon edhe drejt defunksionalizimit faktik. Aktorët ndërkombëtarë që janë pjesë e teatrit të shëmtuar politik në vend nuk mund të vazhdojnë gjatë me thirrjet për reflektim. Herët apo vonë ata do të merren me gjendjen dhe do të kërkojnë negociimin e një marrëveshjeje. Kjo është edhe pika më kritike e asaj që po vjen. Pasi në këtë fazë opozita dhe z. Basha nuk kanë sqaruar që Edi Rama është detyrimisht i përjashtuar nga çdo negociatë përveçse të konsiderohet si një kryetar i partisë në pushtet, edhe ajo e drejtuar pa zgjedhje korrekte. Produkti gjysmak i kësaj krize është ajo që do kërkojnë aktorët e huaj që janë mësuar me popullin dele të vendit tonë dhe që e kanë sjellë situatën deri në këtë pikë do ta asgjësonte gjithë këtë investim. 

Ciladoqofshin sondazhet dhe anketat, çdo mendje racionale e kupton se problemi themelor, edhe për PS-në e ka emrin Edi Rama dhe se ai duhet të ikë nga detyra aktuale. Jo vetëm për shkak të akuzave që i bëhen, por sepse siç shihet ai drejton një qeveri personale, një qeveri e kostove publike që trajtohen si honorare prej miliona eurosh dhe përmbi të gjitha nuk është i aftë të ofrojë një marrëveshje rregullash. Ai lëshon aq sa i kërkojnë dhe vetëm kur e detyrojnë. Instalimi i krimit në pushtet nuk është spekullim, por realitet. Z. Rama përbën faktorin kryesor të prishjes së çdo mundësie bashkëjetese politike ndaj largimi i tij është kërkesa e parë nga e cila opozita e tanishme nuk mund të heqë dorë, veçse nëse ka vendosur që të marrë edhe 200 mijë vota më pak. Nga ana tjetër dorëzimi i mandateve parlamentare, duan apo nuk duan miqtë e Shqipërisë ka vendosur në tryezë pikërisht këtë kërkesë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.