Rumiu...Njeriu ka nevojë për dy gjëra: Dashuri dhe sy të përlotur

Postuar në 10 Shkurt, 2019 11:40
Dorian Demetja - Drejtor i Kulturës dhe Arsimit, KMSh

Megjithëse kanë kaluar gati tetë shekuj nga koha e tij, mesazhet e Mevlanës nuk dinë të vjetrohen, duke ruajtur freskinë e gjallërinë akoma midis nesh. I destinuar që të bindë njerëzit se me dashuri mund të bëjnë mrekulli, Mevlana ka arritur që të studiohet ndër shekuj nga shumë universitete dhe studiues me emër në mbarë botën. Dashuria hyjnore, sipas tij, nënkupton dashurinë e dyanshme: Dashurinë e Zotit ndaj njeriut dhe të njeriut ndaj Tij. Një dashuri e tillë e dyanshme, ndërmjet Zotit dhe njeriut, ka një natyrë të përbashkët, ajo është dritë që ndriçon gjithkund dhe gjithmonë, ajo paraqet dritën e sinqertë të ekzistencës dhe të ftesës për ekzistencë në realitet. Sipas Mevlanës, rrugët që të çojnë te Krijuesi janë të hapura për të gjithë ata, që përpiqen mjaftueshëm. E vetmja gjë që duhet bërë, është të flaken përtej thesaret e kësaj bote, për t’u pasuruar me dashurinë e Zotit. Ashtu siç e theksonte gjithmonë ai: “Njeriu ka nevojë për dy gjëra: Dashuri dhe sy të përlotur”.

Në tekstet dhe poezitë e Mevlanës, gjejmë një realizim artistik që mishëron tërësinë e vetive shpirtërore të njeriut dhe veçori tipike të jetës shoqërore. Aty gjejmë edhe fjalë e shprehje të përdorura me kuptime të figurshme me një stil metaforik për të shprehur një ide, një ndjenjë etj., e cila i jep ligjërimit gjallëri të veçantë. Ata që erdhën më pas, gjetën tek Mevlana një reformues epokal të mendësisë njerëzore, të botëkuptimit të njeriut, të raporteve të tij me hyjnoren, me tokësoren, me jetën dhe vdekjen, me pavdekësinë dhe amshimin. Në objektivin final të tij, Mevlana kërkonte nga vetja dhe ndjekësit, afrimin me Zotin përmes njohjes së thellë. Njohja është prezente në forma të ndryshme: Njohje me inteligjencë, njohje me intuitë, njohje me entuziazëm, njohje me mëshirë dhe së fundi njohje me dashuri. Sigurisht të gjitha njohjet kanë rëndësinë e tyre. Për Mevlanën, për të arritur në njohjen e drejtpërdrejtë, duhen flakur kufijtë e arsyes. Funksioni i mendjes është që ta dërgojë njeriun deri në kufirin e dashurisë. Mendja të njeh me themelin e çështjeve, nuk shkon përtej. Ajo na dorëzon te dashuria dhe është dashuria ajo që na bashkon me Zotin. Ashtu si te gjithë sufistët[1], por me një dimension më të gjerë, mjeti që përdori Mevlana në kërkimin e së vërtetës, ishte aftësia e njohjes me dashuri. Sipas A. J. Arberry, në veprat e Mevlanës mund të gjejmë ngushëllimet dhe kurat shpirtërore për sëmundjet e shekullit tonë. Kurse Irene Melikoff thotë: “Nëse popujt e botës të përkthenin dhe të lexonin në gjuhët e tyre veprat e Mevlanës, nuk do të ekzistonte në botë e keqja, lufta, armiqësia, urrejtja, përbuzja.”

Jeta dhe vepra e Mevlanës, duhet të interpretohet në suaza të Kur’anit dhe Sunetit, sepse sufizmi[2] i tij, aty i ka rrënjët. Te veprat e Mevlanës dallojmë besim, urtësi, moral, art, filozofi, predikim, praktikë, porosi e këshillë. Këshillat e tij bazohen në mësime që kanë fuqinë për të frymëzuar dhe për të pasur një jetë më origjinale, të bukur, të dashur dhe kuptimplotë. Para se të njihej me Shemsi Tebrizin, Mevlana ishte një dijetar i madh dhe me zë. Por, pasi njohu Shemsin, brenda tij shpërtheu dashuria ndaj Zotit e njerëzores dhe poezinë e artin, ai e përdori në shërbim të fesë e frymëzimit.

Mevlana Xhelaluddin Rumi, një biografi e shkurtër

Më 30 shtator të vitit 1207, lindi Mevlana Xhelaluddin Rumi, në qytetin Belh, në veri të Afganistanit. Në ato kohë, ky qytet ishte ndër qendrat e rëndësishme të zonës së Horasanit. E ëma quhej zonja Mumine, kurse i ati Bahauddin Veled, i mbiquajturi ‘Sultanu’l-ulema’[3, i përkiste një brezi familjar të zgjedhur e fisnik. Vëllai i madh quhej Alauddin Muhammed, kurse e motra, zonja Fatime.

Babai i tij Behauddin Veled, për shkak se gëzonte autoritet të madh në popull, sunduesi i Havarizmit, sulltan Muhamedi, e urdhëroi atë që të shpërngulet nga qyteti i Belh’it. Ai frikësohej se autoriteti i tij mund t’ia rrezikonte pushtetin. Në këtë kohë Mevlana ishte vetëm 12 vjeç. Disa thonë se në mendimin për ta shpërngulur të atin e Mevlanës është përfshirë jo vetëm sunduesi, por edhe dijetari i tij Fahruddin Raziu. Sidoqoftë, edhe vetë Mevlana e kritikuar Raziun për përdorimin e tepruar të logjikës në shpjegimin e të vërtetave të fesë. Ai, duke kritikuar dialektikën thotë: “Sikur dialektika të mund t’a zbulojë vetë të vërtetën e frymës, Raziu do ta arrinte të gjithën, por këmbët e dialektikëve janë drurëzuar dhe këmbët prej druri janë më të luhatshmet”.

Babai i Mevlanës u largua nga Belhi së bashku me familjen dhe një grup nga farefisi. Zonja Fatime u martua dhe mbeti në Belh me të shoqin. Ata dolën në udhë me synimin për të shkuar në haxh. Në çdo vend që arrinin, priteshin me interesim dhe respekt të madh. Ata si fillim shkuan në Nishabur dhe përveç tij vizituan edhe Kufën e Bagdadin. Në Nishabur takuan sufiun e madh Feriduddin Attarin. Attari iu drejtua Bahaeddin Veledit: “Çmoje këtë fëmijë, se pa kaluar shumë, ka për të lëshuar zjarr në zemrat e ashikëv4] të botës!”. Më vonë familja e Mevlanës u vendos në Bagdad, ku do të jetonin për gjashtë muajt vijues. Pastaj me të shkuar në Mekë, kryejnë haxhin. Më pas kthehen në Damask, ku takohen edhe me një dijetar të madh nga Andaluzia, Muhjiddin ibn Arabiun. Po kështu, edhe Ibn Arabiu, kur e pa Mevlanën e ri që po ecte pas të atit, tha: “Lëvduar qoftë Zoti, oqeani po ecën pas liqenit”.

Pas Damaskut, familja udhëtoi për në qytetin Larend, në Kahraman-in e sotëm, ku jetuan atje për shtatë vjet. Në vitin 1226, në moshën 19 vjeçare, Mevlana u martua me zonjën Xhevher. Nga kjo martesë lindën dy djem, Sulltan Veledi dhe Alauddin Çelebiu. Pas vdekjes së gruas së parë, Mevlana u martua me gruan e dytë, Kira Hatun, martesë nga e cila lindën djali Emir Alim dhe vajza Melike.

Shumë shpejt Mevlanës i vdes nëna dhe vëllai i madh. Kjo i solli dëshpërim. Në këto kohë, vizitoi qytetin një delegacion nga sunduesi i selxhukëve Alauddin Kejkubadit. Aty dëgjuan ligjërata mjaft tërheqëse. Pas raportimit te sunduesi i tyre për këtë rast, Sunduesi Alauddin e ftoi babanë e Mevlanës, Behaudinin, dhe tërë familjen e tij në Konja. Bahauddin Veledi u shpërngul me familje në vitin 1229 nga Kahramani në Konja. Sunduesi dhe mjedisi i tij e pritën familjen me respekt të madh, i treguan vendin për të banuar dhe bënë gjithçka që ata të ndjeheshin sa më mirë. Ato kohë, Konja, kryeqytet i Selxhukëve të Anadollit, ishte një vend ku për shkak të interesimit dhe inkurajimit që tregonin qeveritarët, shtegtonin dhe strehoheshin shumë dijetarë, sufistë, poetë, zejtarë dhe artistë, si dhe njerëz që iknin nga sulmet mongole. Sunduesi e vendosi familjen e Behauddinit në pallatin e tij, ku qëndruan përgjithmonë. Aty ai kreu detyrën e myftiut dhe myderrizit dhe formoi një rreth të gjerë simpatizantësh. Mirëpo, Behauddini, “Mbreti i dijetarëve”, në vitin 1230 vdes në Konja. Kur i vdiq babai, Mevlana ishte vetëm 23 vjeç. Mevlana, krahas gjuhës arabe dhe persiane, mësoi edhe gjuhën greke. Pasi Bahaeddin Veledi vdiq në Konja në moshën 80-vjeçare, deshën ta vënë Xhelaluddinin e ri në vend të tij. Përkundër kërkesave të simpatizuesve dhe miqve, Mevlana nuk e zuri postin e babait.

Në vend të postit, ai u dha pas disa mësimeve sufiste nga nxënësi i babait të tij shejh Burhanuddin Muhakkik Tirmidhiu. Ai e mori mbi vete edukimin moralo-shpirtëror të Xhelaluddinit, i cili deri në atë kohë kishte marrë mësime nga vet babai i tij dhe kishte arritur një nivel të përparuar në dituritë formale. Më vonë, sipas kërkesës së shehut, për ta plotësuar arsimimin, Xhelaluddini shkoi në Halep dhe Damask që ishin qendra arsimore me rëndësi të asaj kohe. Pas një jete të gjatë studentore, Xhelaluddini u kthye në Anadoll.

Shejh Burhanuddin Muhakkik Tirmidhiu ishte i mahnitur me dijen e Mevlanës dhe i sugjeroi që të kalojnë në njohjen e halit[5] dhe në fuqinë e oratorisë. E gjithë kjo periudhë mësimi e aftësimi zgjati gati 10 vjet. Kur Mevlana mbushi 33 vjeç, zuri postin e babait të tij. Ndërkohë dijetari dhe sufisti i madh Shejh Burhaneddin Muhakkik vdes në Kajseri në vitin 1240.

Periudhën vijuese, Mevlana e kaloi si profesor në Medrese. Ai filloi të japë mësim në Konja në dituritë fetare dhe të udhëheqë orientimin shpirtëror të popullit. Kishte arritur një gradë të lartë veçanërisht në dituritë e Fikhut dhe Hadithit. Ai kishte arritur në postin e Fetvasë, autoritetit të vendimit juridiko-fetar. Siç tregohet, kishte qindra nxënës. Fama i ishte përhapur gjithandej dhe studentët, pasuesit, i ishin shtuar. Mevlana, nga njëra anë angazhohej me mësim dhe edukim, nga ana tjetër preokupohej me bazat e sofizmit, të unifikuara me parimet fetare të Imam Gazzali.

Në një rast, kur po kthehej nga medreseja, u takua me një dervish endacak që quhej Shemsi Tebrizi. Si njohës i mirë i ilm’ul-batinit[6] ai ndikoi te Mevlana, madje aq shumë, sa ai i braktisi miqtë dhe mësimet në medrese, për t’iu përkushtuar jetës asketike dhe qëndrimit me Shemsi Tebrizin. Kjo gjendje i preku djemtë e Mevlanës, nxënësit e tij, por edhe qytetarët, të cilët u ankuan te sunduesi kundër Shemsi Tebrizit që ai të largohet nga Konja. Në këtë gjendje, Shemsi u largua nga Konja dhe u vendos në Damask.

Në anën tjetër, Mevlana ra në dëshpërim të thellë nga largimi i mësuesit të tij shpirtëror, u izolua nga jeta dhe vazhdonte të mos shkonte në medrese. Për ta shmangur këtë gjendje, Sulltan Veledi shkoi në Damask dhe e ftoi Shemsi Tebrizin që të kthehet. Madje i dërgoi dhurata nga nxënësit, si shenjë e kërkimit të faljes. Në maj të vitit 1247 Shemsi kthehet në Konja. Sërish më vonë, nën trysninë e miqve të Mevlanës, Shemsi do të largohet nga Konja duke mos lënë gjurmë dhe duke mos u gjetur më kurrë. Ka mendime se Shemsi është vrarë. Kjo ndodhi në vitin 1247. Në këtë mënyrë u zhduk nga sytë e botës Shemsi Tebrizi, por detyrën e frymëzimit ai e kreu siç duhej ndaj mikut të tij, i cili u bë shkak që Mevlana të zinte një vend dhe pozitë të lartë. Ndërsa Mevlana vetë, pas një sëmundjeje që vazhdoi disa kohë, ndërroi jetë më 17 dhjetor 1273. U varros pranë varrit të babait të tij në Konja të Turqisë.

Njohuri rreth veprave të Mevlanës

Mevlana Xhelaluddin Rumi është një dijetar dhe poet i madh, veprat e të cilit meritojnë të studiohen me seriozitet të plotë. Ai është një nga poetët më të mëdhenj të botës islame, i cili me poezitë e tij mistike dhe të shkruara me gjuhën universale të shpirtit, vazhdon edhe sot të lexohet anekënd në botë. Shumë dijetarë i kanë vlerësuar poezitë e Mevlanës si poezi të dashurisë hyjnore, të pasionit mistik dhe të dritës sekrete. Dhe, sigurisht, një nga arsyet pse pëlqehet kaq shumë, është aftësia e tij e shprehjes së qartë, të drejtpërdrejtë, e të biseduarit thellë brenda vetes rreth çështjeve të botës shpirtërore e të misticizmit. Poezia e Mevlanës ka fuqinë të tejkalojë mendjen dhe të derdhet drejtpërdrejt në zemër. Ky ishte një dijetar i shquar dhe poet, i cili me poezitë e tij mistike ka ngrohur shpirtrat e ashikëve për të vërtetën. Gjithashtu në poezitë dhe rrëfimet e Mevlanës, shprehet mirë ndjenja e mëshirës ndaj të varfërve, të dobëtëve ose atyre që janë në pozita të vështira. Brendia e poezive të Mevlanës dallohet qartë nga tone epike-lirike, të përshkruara nga filozofia e sufistëve që donin të pajtonin botën materiale me shpirtin.

Pas takimit me Shemsin, Mevlana u hodh në oqeanin e botës mistike dhe në mënyrë të natyrshme iu drejtua poezisë, si mjet i vetëm që mund t’u japë përgjigje emocioneve të një shpirti të pasionuar me ashk[7]. Ai me poezitë shprehu emocionet, entuziazmin, gëzimin dhe dëshpërimin, me to kërkoi ngushëllim e qetësi. Ai ligjëroi, predikoi, mbajti hutbe dhe këshilloi. Të gjitha këto, ai i shkroi në një mënyrë të veçantë, impresionuese. Veprat e tij vazhdojnë të impresionojnë jo vetëm myslimanët, por edhe lexuesin e jashtëm jomysliman. Rol të madh për të njohur më gjerë veprat e Mevlanës, luajti djali i tij Sulltan Veledi, i cili ishte edhe poet. Ai ka shkruar se Mevlanës i përkasin 7745 poezi të shkruara persisht. Ndërsa të parat përkthime që erdhën në shqip janë ato që solli të përshtatura poeti ynë i madh, Naim Frashëri si: “Fyelli”, “Zogu dhe djali” e përshtatur nga poezia e Mevlanës, si dhe “Këshillat e një zogu…”.

Divan-i Kebir (Divani i madh). Kjo vepër përmban më tepër gazelet dhe rubairat e Mevlanës. Është një vepër e madhe e përbërë prej afro 40000 vargjesh dhe prej 21 divanesh. Mevlana, si te “Divani” dhe “Mesnevija” ka përdorur si gjuhë persishten popullore. Megjithëse pak, aty gjenden poezi edhe në gjuhën arabe e greke. Në këtë vepër Mevlana ka përdor pseudonimin Shemsi, në shenjë respekti për të, prandaj edhe vepra gjendet me emrin “Divan-i Shemsi-i Tebrizi”. Pavarësisht së në lindje dhe në perëndim është e njohur më shumë “Mesnevija”, personalitetin e tij të vërtetë e paraqet vepra “Divani-i Kebir” apo “Divan-i Shemsi-i Tebrizi”, sepse në këtë vepër përshkruhet në hollësi transformimi i Mevlanës dhe, vetë ai tregon thellësitë shpirtërore të ndjera dhe të përjetuara gjatë këtij rrugëtimi. Kjo vepër ka ardhur me poezi të zgjedhura në gjuhën shqipe si botim i dytë në vitin 2011 nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”.

Mesnevi Manevi. Mesnevija është një kryevepër me afër 26000 vargjesh, ku përmblidhet pjesa më e madhe dhe më me interes e Mevlanës, në trajtimin e temave fetare, filozofike, moralo-etike dhe shoqërore. Në këtë vepër zë vend pothuajse çdo lloj çështje që i intereson individit dhe shoqërisë, me interpretimet më të bukura, me krahasime e shembuj të pashoq, si dhe me argumentet më të efektshme e bindëse. Mesnevija nuk mund të lexohet në rrafsh drejtvizor. Kuptimi i shqiptuar i tyre është kuptimi më i sipërfaqshëm. Kuptimet më të thella, gjenden të mbuluara prej fjalës së jashtme dhe kërkon kulturë letrare e fetare, njohje të historisë së qytetërimeve dhe të besimeve, si dhe njohje të stileve klasike. Kjo është arsyeja që zakonisht thuhet se Mevlana lexohet në mënyra të ndryshme, në mjedise kulturore të ndryshme.

Kjo vepër është lexuar nga myslimanët dhe të huajt, është përkthyer në gjuhë të ndryshme, si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht.., kurse me poezi të zgjedhura ka ardhur në gjuhën shqipe në vitin 2007 nga Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” dhe e plotë në vitin 2010 nga botuesi Logos-A, Shkup.

“Fihi ma Fih” (Gjëja brenda gjësë). Kjo është një vepër e shkruar në prozë që përfshin bisedat dhe pyetje-përgjigjet nga Mevlana. Vepra reflekton ngjarje të ndryshme, mendime, jetën, bindjet e tij, por edhe të kohës. Vepra përbëhet nga 75 kapituj, ku gjashtë prej tyre janë në gjuhën arabe dhe të tjerat në gjuhën perse. Kjo vepër është përmbledhur pas vdekjes së Mevlanës nga nxënësi dhe djali i tij, Sulltan Veledi, të cilët më parë i kishin mbajtur shënim bisedat e tij.

Mexhalisi seb’a (Shtatë kuvende). Kjo është një vepër që përmban predikime dhe ligjërata të Mevlanës nëpër xhami dhe ka shtatë kapituj, të shkruara si shënime nga nxënësit e tij. Përveç komentimit të ajeteve dhe haditheve sipas tematikave, në këtë vepër iu është dhënë hapësirë poezive të Senait dhe Attarit, disa tregimeve nga Mesnevija, si dhe poezive nga Divan-i Kebir.

Mektubat (Letrat). Kjo është një vepër që përbëhet nga letrat që u ka shkruar Mevlana shumë personave për shkaqe të ndryshme. Një pjesë të tyre ua ka dërguar të afërmeve, fëmijëve dhe nxënësve. Ndërsa pjesën më të madhe të tyre ua ka dërguar drejtuesve dhe personaliteteve të rëndësishëm, për ti njoftuar në lidhje me kërkesat e nevojtarëve.

 

Koncepti i dashurisë sipas Mevlanës

Vetëm kjo frazë e Mevlanës në fakt flet shumë: “Çdo gjë që them duke përshkruar dashurinë, kur prapë vij përpara dashurisë, turpërohem për fjalët e thëna më parë”. Efektin dhe llojin e kësaj dashurie, djali i Mevlanës, Sulltan Veledi, e shpjegon kështu në librin e tij “Veledname”: “Qysh prej kohës së profetit Adem e këtej, kanë ardhur në botë shumë ‘njerëz të plotësuar’[8] dhe ashik të mbaruar, por mbi këta, ka edhe një botë shpirtërore tjetër, pozita e së cilës është më e lartë, sepse përmban ‘ashikun’ dhe ‘mashukun’[9] bashkërisht. Përpara daljes së Shemsi Tebrizit, kjo lloj bote e kësaj lloj dashurie, nuk dihej publikisht dhe nuk predikohej haptazi. Prandaj, mund të thuhet me plot gojën se Shemsi Tebrizi ishte një nga përfaqësuesit e fshehur të kësaj bote të panjohur, i cili erdhi dhe ja zbuloi këtë sekret Mevlanës, për ta pajisur me të. Në këtë mënyrë, Shemsi u paraqit dhe doli jo si ‘mbreti i ashikëve’, por si ‘mbreti i mashukëve’ dhe e frymëzoi Mevlanën me këtë frymë të re.

Parimi sufist i Mevlanës dhe vija e tij, mund të shpjegohet në këtë mënyrë: Më parë dashuria hyjnore në sufizëm ishte e njohur me gjithë kuptimin e fjalës dhe e tretur në shpirtin e ‘dashuruesit’, i cili ia afronte këtë lloj dashurie Zotit të tij. Por Mevlana, me frymëzimin e Shemsi Tebrizit, nuk e la këtu. Dashurinë e Zotit e pajisi edhe me një kuptim të ri, ku tregonte se, jo vetëm ‘njeriu i plotësuar’ është ‘dashuruesi’ i Zotit, por edhe Zoti vet, kur i afrohet kjo dashuri nga njeriu, bëhet njëkohësisht edhe Ai ‘dashurues’ i tij. Ashtu siç shprehet edhe Zoti në Kuran: “Allahu i do ata dhe ata e duan Allahun[10], kuptojmë që dashuria në fillim i përket Allahut dhe Ai më mëshirën e Tij të pafundme e kthen atë te njeriu. Deri në atë kohë, kjo lloj dashurie reciproke nuk ishte komentuar dhe shprehur në këtë mënyrë si Mevlana, i cili frymëzohet siç thamë nga udhëheqësi i tij shpirtëror Shemsi Tebrizi.

Kurrë nuk është vonë të pyesësh veten: “A jam gati ta ndryshoj jetën që po bëj? A jam gati të ndryshoj nga brenda?” Pavarësisht moshës që kemi, sado që kemi gabuar në jetë, është gjithnjë e mundur të rilindim. Nëse çdo ditë e re e jetës tënde është kopje e ditës së kaluar, është për të ardhur keq. Çdo frymëmarrje është një mundësi për të rilindur. Ka vetëm një mënyrë për të lindur në një jetë të re: Të vdesësh para vdekjes. Meqenëse e dinte shumë mirë prirjen e njeriut për tu zhytur në gjumin e shpërfilljes, Mevlana ka përdorur gjithnjë një stil tronditës. Çdo fjalë e tij është një shpatë ‘plot perla ribashkimi’. Një shpatë kjo që i ‘rilind’ njerëzit. Ai i fton të gjithë ‘të vdesin përpara vdekjes fizike’. Ja pra, në këtë thënie fshihet një nga perlat më rrezatuese dhe një nga temat më të thella të oqeanit të diturisë, sepse ai që e vret në zemrën e tij këtë botë, e cila nuk është gjë tjetër veçse një fushë loje, do të lindë në një jetë krejtësisht të re. “Kjo botë është një burg, thyeji prangat dhe çliroje veten”, – thotë Mevlana. Njeriu do të rilind dhe do të fitojë gjallërinë e vërtetë, vetëm kur të ketë mposhtur egon, pra botën e tij të brendshme. E thënë ndryshe, njeriu që fiton betejën me botën e tij të brendshme, do të ketë një diell, që do të ndriçojë me risi botën e vjetër.

Që të mund t’i kuptosh fjalët shumë të thella të arifëve[11] si Mevlana, nën drejtimin e një të ‘plotësuari’ në atë fushë, duhet ndjekur një rrugë e tillë, ku të përjetohen përvojat shpirtërore. Sepse misticizmi është një dije që i përket gjendjeve shpirtërore. Prandaj Mevlana është i vetëdijshëm se jo të gjithë njerëzit mund t’i kuptojnë këto sekrete të zemrës dhe, kjo varet nga shkalla e aftësisë perceptuese dhe e ngritjes shpirtërore. Për më tepër, të kuptuarit vështirësohet akoma më shumë kur Mevlana në veprat e veta flet me simbolika dhe metafora. Për këtë, Mevlana ankohet shpesh dhe gjithnjë shpreh brengën se mund të keqkuptohet, apo se nuk do të kuptohet. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja kur ai thotë: “Duhet të hesht. Të hesht. Dhe ta lë dashurinë të përshkruajë vetveten; nën një përshkrim të lumtur, të gëzuar që s’merr fund kurrë”. Le ta ilustrojmë këtë ide me disa vargje të shkëputura nga Mesnevija e Mevlanës:

Vetëm Zoti e di se ç’është dashuria

Lëngatë zemre është dashuria,

një bashkim zemrash, – thotë njerëzia.

Gjersa s’e dimë nga vjen, është intime,

origjin’ e saj na thonë është Divine.

Sa herë mundohem ta shkruaj, ta shpjegoj,

nga turpi skuqem, nuk mundem ta tregoj.

Ndonjë i ditur rreh që ta shpjegojë,

po dashurin’ s’gjen fjalë që ta tregojë.

Nëse nxiton më parë atë ta shkruash,

bën prapa kthehu edhe fillon të vuash.

Mendimi bije si një gomar në baltë,

të dyja i ka ajo, dhe helm, dhe mjaltë.

Si diell rrëfehet, në botë nuk ka të dytë,

po ta vështrosh në sy, të dhembin sytë.

Burimihttp://zaninalte.al/2019/01/mevlana-xhelaluddin-rumi-simbol-i-dashurise-i/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.