Gazeta “DITA” dhe komenti i panxjerrë
Mendoj se nuk është tragjedi mosnxjerrja e një komenti nga njëra apo tjetra gazetë. Mua më ka ndodhur disa herë të mos mi nxjerrin komentet, dhe kryesisht me MAPO-n dhe DITA-n. Që të mendosh se këto komente të panxjerra kanë humbur përgjatë rrugës, kjo tezë bie shpejt, pasi 1. nuk bëhet fjalë për komentet me pseudonim, të cilat përbëjnë shumicën e komenteve të mia, por bëhet fjalë kryesisht për komentet me emër dhe mbiemër, të cilat përbëjnë vetëm 1-2 % të tyre, dhe 2. bëhet fjalë për ato komente ku trajtohen tema të rëndësishme, të vetmet këto ku unë jap emrin dhe mbiemrin. Pra, mospublikimi i këtyre komenteve është i qëllimshëm.
Një fenomen tjetër që kam vënë re në lidhje me disa nga këto komente të pa-nxjerra tek DITA, është që javë e muaj më pas i shoh në arkivin e saj. Pra, janë futur inconjito pasi artikulli i gazetës ka dalë nga faqja e dukshme e internetit. Më ka ardhur paksa për të qeshur, sepse unë ato i kisha harruar; komente janë në fund të fundit, nuk ia vlen ti gjurmosh, jo po pse nuk i nxjerrin e pse i nxjerrin pas pilafit! Në fund të fundit Shqipëria nuk ka as ligje të qarta në këtë drejtim mbi detyrimin e medias për të mos penguar mendimin e lirë e divers të qytetarve!
Mirëpo mendoj se ky fenomen duhet parë pak më me imtësi, jo për vete, jo për idetë dhe mendimet e mia, sepse në fund të fundit ato unë i kam dhënë shumicën në librat e mi dhe në faqen time të internetit, fjale cimbuese, por ky fenomen duhet parë, sepse ndalohen disa komente që janë përgjithsisht në diversitet me mendimin e shumicës së komentuesve të tjerë dhe të gazetës. Duket sikur gazeta ka frikë ose urdhër, që personi pas këtij mendimi tjetër të mos afirmohet! Unë do të isha dakort edhe me këtë ndalim dragonian, sepse thashë që kam ku i jap mendimet e mia dhe kam ku afirmohem, nëse vërtet po vuaj nga afirmimi (!), kështu do i jepja me pseudonim edhe këto pak komente me emër, si shumica tjetër e tyre. Mirpo në këto raste, pikërisht në këto raste, kur tema kaq qenë e një rëndësie të lartë, si ajo kombëtare, ideore, shkencore, dhe kam vendosur pseudonimin, në këto raste kam përjetuar gjithmonë kundërvënie nga komentues të tjerë për fshehje pas pseudonimit, dhe me të drejtë mendoj, pasi nuk mund të japësh me pseudonim një mendim mbi problemin kombëtar, apo mbi një temë të rëndësishme shkencore! Në këto raste duhet ta mbrosh më tej mendimin! Ndaj kam vite që këto lloj komentesh, (e shumta dy herë në vit), ti shoqëroj me emër-mbiemër.
Tani, çfarë përmbajnë këto komente! Nëse flasim për ato të karakterit politik, kombëtar, këto pak komente janë deri diku të kundërt me ato të kësaj fryme nacionalo-folklorike deri dhe fashiste të viteve të fundit, e cila ka qenë gati zyrtare. Nëse flasim për ato shkencore, këto komente të miat vijnë nganjëherë ndesh me disa teza zyrtare mbi teori dhe fenomene të ndryshme. Pra, do të thoja, asgjë e veçantë për tu shënuar. Sepse në gazetat shqiptare vijnë gjithfarë komentesh të kundërt me njëri-tjetrin, pra përmbajtja e komenteve të mia të ndaluara gjindet pak apo shumë dhe me fjalë të tjera edhe në disa prej komenteve të të tjerve. Ndryshimi është vetëm në artikullimin dhe argumentimin e disa gjërave. E ndoshta ky artikullim dhe argumentim i tyre është shkak që ato të mos lejohen. Ky artikullim dhe argumentim duket zhvlerëson artikujt e gazetës. Një artikullim vulgar, pse jo edhe me sharje e ofendime, si shumë komente të të tjerve, gjen menjëherë vend nëpër gazetat shqiptare, prej kohësh edhe tek DITA.
Për t’ua provuar sa më sipër, ja merreni edhe komentin tim të pabotuar, i cili duhej të dilte qysh para dy-tre ditësh tek artikulli i Bedri Islamit: Enigma e së ardhmes së Kosovës.
Zoti Bedri, qe cdo kush ka te drejte te shfaqe mendimin e tij, kjo eshte mese e kuptueshme. Ndaj nuk e diskutoj cfare shkruani e thoni ju personalisht. Por, qe prej mese nje dekade e me shume ne shtypin dhe politiken shqiptare shfaqet vetem nje lloj mendimi dhe qendrimi, aq sa dhe vete nga shqiptaret kosovare nuk shfaqet, kjo eshte qesharake dhe e demshme. Ne vend qe nga Shqiperia te vine tone me te buta, perkundrazi keto tone jane me katolike se te vete Papes. Qe taksa e tashme e Kosoves eshte apo mund te jete nje autogol, qe qendrimi i Hajradinit eshte apo mund te jete pa efekt pozitiv per te ardhmen e Kosoves, qe e gjithe kjo armiqsi e re dhe patriotizem folklorik eshte apo mund te jete nje loje e programuar nga shume pale, perfshi ndoshta edhe ate serbe, e gjithe kjo eshte akoma me pak e demshme se sa ky reagim unanim nga Shqiperia i diteve te fundit, i cili shmang e le pa shtruar hapur te gjitha mosmarrveshjet qe duhet te zgjidhen midis Kosoves dhe Serbise, midis Kosoves dhe Komunitetit zyrtar Nderkombetar (EU, OKB, USA, Rusi). Nje mendim me diversiv nga pala shqiptare e Kosoves dhe e Shqiperise lejon te pakten nje dritare (sado te vogel) hapur per diskutime te metejshme te zgjidhjes se ketij problemi. Ne te kundert, te njetin qendrim mund te mbaje Serbia po te acarohet gjendja, dhe kete rast ajo do ta perdori kur te jete ne favor (favoret e saja -sic po i shohim jane ne rritje, dhe jo ishin, sic thoni ju), dhe per nje kohe te shkurter, sa te hapesh e te mbyllesh syte, e pastaj shqiptarve unanime patriote folklorike nuk do tu mbetet me dritare dhe fushe per te kerkuar te drejtat e tyre shekullore, e ndoshta edhe mijra vjecare. Ndaj zoti Bedri, punoni qe ne shtypin shqiptar te kete me diversitet mendimesh, ne te kundert historia punon kunder jush, sic nuk doni ta shikoni!
Vlerësoheni vetë se çfarë të keqe ka një koment i tillë! Nëse komenti im ndihmon paqen midis popujve, përse nuk lejohet të dalë aty ku dalin edhe gjithfarë komentesh banale e me urrejtje ? Nëse komenti im argumenton (aq sa lejon një koment) gabimet e politikës shqiptare, cilit njeri dhe grup i intereson mos ti publikojë këto komente? Nëse komenti im nuk e shton marrëzinë shqiptare të viteve të fundit, çfarë të keqe ka të dali në radhë të komenteve të tjera? Apo gazeta DITA paguhet për rrumpallën ekzistuese në Shqipëri?
Add new comment