Telegramet vinë e venë...Dear Ditmir!

Postuar në 03 Shkurt, 2019 13:37

Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm dhe për Evropën ka publikuar sot në faqen e vet në Facebook disa letra falënderimi që ka marrë nga homologë të tij me rastin e lënies së detyrës. 

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në largimin e tij nga detyra, ka marrë disa letra falenderime mes të cilave nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, ministri i Jashtëm britanik Duncan, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Enzo Moavero Milanesi dhe ai turk Mevlut Cavusoglu

njofton zyra e shtypit të Bushatit që nënvizon përmbajtjen e letrës së sekretarit amerikan Mike Pompeo:   

Unë jam plotësisht dakord me vlerësimin tuaj të partneritetit strategjik të suksesshëm mes dy vendeve tona, që ju ndihmuat të forconi gjatë qëndrimit tuaj si ministër i Jashtëm. Në 27 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një aleate dhe një mike e patundur e Shteteteve të Bashkuara. Qeveria ime është veçanërisht mirënjohëse për angazhimin e Shqipërisë për të promovuar demokracinë, stabilitetin dhe sigurinë si një aleat i përkushtuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë ndërsa përparon në rrugën e saj të drejt anëtarësimit në BE dhe integrimit. Ju uroj  gjithë të mirat në vijim të punës suaj si anëtar i parlamentit. Ju falënderojmë për punën që po bëni në parlament për të siguruar përparimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë

citohet letra e Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Letrat në fjalë, përtej aspektit protokollar, përcjellin një vlerësim për Bushatin, një person që duket se është kapur ne befasi nga fjalët e mira në ikje të tij, ndërkohë që gjatë ushtrimit të detyrës ka patur jo pak vërejtje. Një arsye për këtë është fakti se zoti Bushati nuk ndoqi kurs personal në ushtrimin e detyrës siç bën p.sh kryeministri i vendit që cenon parimet e politikës së jashtme të Shqipërisë me statuset e herëpashershme në rrjetet sociale. Ndaj fjalët e mira që kanë mbushur internetin shqip ndoshta ndikojnë në kthimin e besimit te vetvetja nga ana e z. Bushati që përgjithësisht kërkon të sigurohet para se të marrë ndonjë qëndrim.

Publikimi i këtyre mesazheve ka pra edhe një vlerë politike që drejtohet kundër kryeqeveritarit të Shqipërisë që ka shënuar si arritje të fundit një telefonatë me këshilltarin për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.

Mirëpo në tuiter, ku Bolton kalon pjesën më të madhe të jetës së vet, nuk ka asnjë gjurmë të kësaj telefonate, as edhe të telefonatave me Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn. Janë këta të fundit që kanë njoftuar këtë gjë, ndërkohë që në rrjetin social në fjalë, zoti Bolton, gjatë ditëve të fundit përcjell njoftime vetëm për Venezuelën. Do kujtuar se në Ballkan ka dy liderë, dy komedianë të rrallë që dolën hapur në mbështetje të puçit ndaj presidentit Nicola Maduro dhe këta janë Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Ndoshta telefonata e zotit Bolton ka qenë për këtë arsye, pra një falënderim për këtë qëndrim, ndërkohë që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë diskutuar me dy drejtuesit e Kosovës, por nuk dihet nëse me të vërtetë ka qenë arsye e telefonatës Bolton-Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.