Një ofertë politike baraz me Zero
Kemi një datë të dekretuar për zgjedhje lokale, por ajo datë nuk do jetë vetëm për zgjedhje lokale, do jetë dhe për zgjedhje të përgjithshme, pasi shqiptarët nuk mund të qeverisen nga një qeveri e korruptuar
Kështu u shpreh kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi sot nga Skrapari gjatë një aktiviteti me strukturat e partisë së saj. Në fjalët e zonjës ka një të vërtetë e cila vritet dhe çmobilizon gjithkënd në vend se të bënte të kundërtën. Në momentin që zonja flet për korrupsionin dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ajo sapo ka vulosur fatin e çdo reagimi. Kjo u pa edhe gjatë protestës së studentëve e cila u shua ndër të tjera edhe nga infektimi I saj nga njerëz të partive politike si LSI.
Zonja e di shumë mirë se oferta e sotme politike është zero: një opozitë e korruptuar përballë një qeverie të korruptuar. Dhe pikërisht pse e di këtë, ajo dhe Lulëzim Basha i PD-së po ngrenë tonet, po flasin me fjalor të radikalizuar si e si për të puqur retorikën me shkallën e dëshpërimit shoqëror. Por kjo opozitë që flirton nga mëngjesi në darkë me pushtetin, është virtuale. Ajo bën sikur nuk shikon dhe sikur nuk kupton se besimi që i delegohet opozitës nuk ekziston pikërisht se sipërmarrjet private me siglën LSI dhe PD kanë pervertuar llogjikën e sistemit duke aktruar si opozitarë ndërkohë që biznesin me qeverinë nuk e ndërpresin.
Të dyja këto parti kanë aksionet e veta në çdo sektor të ekonomisë, në konçesione dhe tendera publike. Është kjo përfshirje që nuk lejon katharsisin e tyre dhe që nuk e mundëson opozitarizmin e vërtetë. Jemi në kushtet kur opozita formale është në pushtet, vetëm se nuk merr pjesë dhe nuk vendos dot për paranë publike. Në fund të fundit lufta e dy partive në fjalë është pikërisht kjo: kontrolli mbi paranë publike.
Sa më shumë që partitë politike flasin për masa sociale dhe për të varfërit, aq më keq do të shkojnë punët në këtë vend. Pas 28 vjetësh gjoja-demokracie një gjë është bërë e qartë: askush nuk jeton apo mbijeton me asistencën e shtetit, apo me ndihmën e tij. Shqiptarët, një pjesë e madhe e tyre, morën udhët e botës, improvizuan me çdo gjë dhe ja dolën të ecin sadopak në mirëqenien e tyre. Ajo që sot përbën sfidën kryesore dhe kontraktimin themelor të sistemit është mungesa e tregut dhe liria e sipërmarrjes. Me këto parti nëpër këmbë është e qartë se Shqipëria ka në krye tre oligarkë që shpërndajnë pasurinë me njëri-tjetrin. Janë këta përgjegjësit kryesorë që pasuria e shqiptarëve nuk arrin të kapitalizohet për zhvillim, por vetëm për mbijetesë. Janë këta me lëmshin juridik të pronave, me varrosjen e qëllimshme të arsimit që mbajnë larg çdo investim serioz.
Është një lojë që është denoncuar tashmë publikisht. Ndaj ciladoqoftë terminologjia që përdoret nga një opozitë që manifeston dhe ajo luksin e vet, është e qartë se zgjedhjet e vitit 2013 ishin ndoshta të fundit që ishin zgjedhje shprese. Që këtej e tutje do të kemi zgjedhje dëshpërimi, për hir të afateve, pasi pakkush beson tashmë se Luli apo Monika janë aty për ndonjë gjë ndryshe. Jo vetëm për shkak të formimit të tyre që i tradhëton sa herë flasin, por sidomos për shkak të strukturës së pushtetit që i mban aty ku janë. Shqipëria është çështja jonë. Këtë duket sikur na thotë edhe Edi Rama, edhe Basha edhe Monika Kryemadhi që përballë kanë një shoqëri në depresion që as reagon, as mendon më për ndryshimin, por zgjedh në masë të ikë në një dëshmi rrënqethëse të fitores së tre katër njerëzve mbi të gjithë ne të tjerët.
Add new comment