Kush do ta mësojë të flasë ministrin e Brendshëm?
Sot ministri I Brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar në konferencën për shtyp se dorëzimi i Balilit u negociua dhe se në këmbim të këtij akti atij iu premtua një proces i ndershëm gjyqësor. Ndoshta ministri ka qenë më i sinqertë nga ç’duhet, por pyetja që lind këtu është: si mund të garantojë ekzekutivi një proces të ndershëm gjyqësor? Si mund ta bëjë një gjë të tillë qeveria, sidomos kur ajo është vetë protagoniste e akuzave për sistemin gjyqësor?
Po të jetë për proces të ndershëm gjyqësor, atëherë paratë e Balilit mjaftojnë që të paktën procesi ndaj tij të krijojë rrethana lehtësuese. Mos vallë ministri po na thotë se ecuria e një procesi gjyqësor është në varësi të humorit të qeverisë? Ndoshta nuk do gjykuar kaq shumë ky ministër që është aty në mënyrë aksidentale.
Por ja edhe aspekti i dytë. Ministri e ka quajtur Balilin “person shumë të inkriminuar”. Ministri ka konsumuar një akuzë, duke marrë një rol që nuk i takon dhe duke krijuar kushtet e shpifjes dhe të cenimit të imazhit të një personi në kërkim, i cili ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Nëse procesi shumë i ndershëm gjyqësor e nxjerr Balilin të pafajshëm, atëherë ku qëndron inkriminimi i tij për të cilin sot flet në vetë të parë ministri i Brendshëm?
Balili është i kërkuar dhe akuzuar, i dyshuar, por ndaj tij nuk ka një vendim gjykate. Këto që thotë ministri janë pjesë e repertorit informal të operativëve të policisë, por jo të një titullari politik që sapo e ka mbaruar punën e vet me këtë çështje.
Ngjajnë si vogëlsira këto, por ato mbeten të tilla në kokën dhe mendësinë e socialistëve të Rilindjes, që edhe certifikatën e sigurisë e shohin si formalitet. Në çdo rast, është mirë që ministrin ta udhëzojë kush përpara se të dalë e të flasë, sepse nga budallallëqet nuk të shpëton përherë integriteti – edhe ai prej katoliku – për të cilin kaq shumë na e kanë mburrur.
Add new comment