Nëse Macron dështon, atëherë Europa dështon

Postuar në 23 Dhjetor, 2018 15:02
Henrik Enderlein - President dhe profesor i ekonomisë politike në "Hertie School of Governance" në Berlin

Sociologu i famshëm politik gjerman, Max Wever dikur u shpreh se dy forcat kryesore të pushtetit revolucionar ishin karizma dhe racionaliteti. Karizma varet nga entuziazmi, racionaliteti nga intelektualizimi. Sipas këtij modeli Emmanuel Macron do të duhej të ishte revolucionari ideal. Ai gërsheton karizmën dhe inetelektin si pak të tjerë dhe beson në nevojën për të ndryshuar Francën, Europën dhe botën. Libri për fushatën e tij quhet thjesht: Revolucion. Macron e sheh veten si ai që di çdo gjë në kuptimin  më të mirë të fjalës por kjo është pikërisht edhe dobësia e tij më e madhe. Weber nuk shkroi askund që karizma dhe intelekti e përforcojnë njëri tjetrin kur kombinohen. Një vështrim i shpejtë mbi popullaritetin e Macron  në Francë mund të çojë në supozimin se të dyja cilësitë përjashtojnë njëra -tjetrën. A mundet të ketë karizmë një gjitholog?

Shumë francezë e shohin tani zgjedhjen e Macron si diçka aksidentale. Emmanuel Macron nuk ka parti, ka pak përvojë dhe ka shumë fat. Kundërshtarët e tij politikë shkatërruan njëri-tjetrin. Në të vërtetë sondazhet tregojnë se shumë më pak se gjysma e votuesve të Macron në pranverën e vitit 2017 votuan për të për shkak të bindjes. Pjesa tjetër e votuesve të tij, treguan se kandidatët e tjerë, Marine Le Pen së pari dhe kryesisht, ishin thjesht të paparnueshëm për t’u zgjedhur.

Fati nuk hyn si faktor në diskutimin e Max Weber për sunduesit karizmatikë. Macron, që papritur u bë kryetari i shtetit në moshën 39 vjeçare, duhet së pari të vendoste autoritetin e tij. Dhe ai e bëri këtë përmes një strategjie të qartë duke menduar të vepronte me vendosmëri, duke kërkuar të zhvillojë karizmën përmes simboleve dhe imazheve dhe duke çuar përpara revolucionin e tij përmes argumentimeve të holla. Ai e vendosi veten në epiqendër të politikës franceze. Si një kandidat ai ishte vetëm. Dhe kështu mbeti edhe si president. Por mbipersonalizimi ka çmimin e tij. Sistemi i Macron bazohet në centralizimin tërësor të pushtetit në duart e presidentit dhe të pak këshilltarëve të aftë intelektualisht, të cilët ndonjëherë dërgonin mesazhe në orën 3 sikurse bënte edhe Macron. Absolutizmi i koefiçentit të inteligjencës së Macron ishte i suksesshëm në vitin e parë të tij.

Reformat në të thella të tregut të punës në historjnë e afërt të Francës, të cilat ai i ndërmori në vitin 2017, nuk provokuan ndonjë grevë të përgjithshme siç mendohej. Macron lehtësoi rregullat për pushimin e punonjësve dhe shkatërroi sistemin e ngurtë të negocimit të pagave. Në të njëjtën kohë ai uli defiçitin buxhetor poshtë 3% për herë të parë që nga viti 2017. Ai madje modernizoi edhe diplomën e paprekshme të shkollës së mesme franceze, njohur si baçalauréat. Emmanuel Macron e ka reformuar tashmë vendin e tij më thellë se të gjithë presidentët përpara tij – të paktën që nga Miteran, që vuri në jetë një valë të rëndësishme modernizmi që nisi nga viti 1983.

Macron është krenar për reformat e tij. Me të drejtë. Ai beson se këto reforma do të sjellin rritje në Francë. Me të drejtë. Ai po ashtu beson se rritja e re në Francë do të korrigjojë pabarazitë sociale në vendin e tij. Me të drejtë. Por Macron po harron për kohën që duhet mes reformave, rritjes dhe drejtësisë sociale. Janë shumë francezët që nuk duan të presin. Ata duan rezultate. Menjëherë. Jelekët e verdhë nuk kanë një fytyrë, por ata kanë karizmë. Dhe ata janë të bashkuar në inatin e tyre. Ata duan një revolucion dhe më shumë të ardhura. Ata nuk duan të dinë se çfarë do të thotë kjo në pikëpamje ekonomike për vendin e tyre me shumë borxhe. Ata përçmojnë revolucionarin e vetëshpallur në krye të vendit, lojën e tij personale mbi simbolet, gjithollogjinë e tij racionale prej revolucionari. Ndonëse argumentet e Elizesë(pallati presidencial) janë teknikisht koherente, jelekët e verdhë u kundërvihen atyre me një thjeshtësi brutale: nëse abrogon taksën ndaj të pasurve por rrit çmimin e naftës me gjashtë cent për litër, ti je një armik i popullit.

Në një minutë e gjysmë të fjalës së tij drejtuar kombit të hënën që shkoi, Macron mori frymë thellë dhe iu drejtua atyre që i kishte harruar: nënave pa bashkëshort, punëkërkuesve, të përjashtuarve. Mea culpa u pasua nga libri i çeqeve me premtimet solemne të Macron për rritjen e pagës minimale, përjashtimin nga taksat të pagesës jashtë orarit të punës dhe uljen e kontributeve sociale për pensionistët. Ishte një moment kalsik i Macron – empatia e çiftuar me teknokracinë, simbolizmi me faktet, karizma me racionalitetin. A mund të funksionojë kjo qasje? Patjetër. Por vetëm nëse Macron ia del të rifitojë autoritetin e tij.

Urrejtja e jelekëve të verdhë nuk do vanitet menjëherë. Nga ana tjetër lëvizja nuk ka asnjë mundësi që të zhbëjë sistemin e Macron. Qeveria e ka përballur dhunën e demonstruesve me ashpërsi, por asnjë lëvizje politike nuk është shfaqur akoma. Edhe sikur një e tillë të lindte, nuk do të kishte asnjë ndikim. Macron është relativisht i sigurtë në Elize deri në vitin 2022 dhe ai ka shumicë absolute në Parlament.  Ai nuk ka partnerë në koalicion të cilëve duhet t’u krehë bishtin dhe pra nuk ka arsye të ketë frikën e një mocioni mosbesimi. 

Një nevojë për krijimin e besimit

Edhe nëse çdo gjë shkon keq ai sërish ka hilenë presidenciale që e kanë përdorur të gjithë paraardhësit e tij: të shkarkojë kryeministrin dhe bëjë thirrje për një fillim të ri. Shumë pak sisteme kushtetuse i sigurojnë kreut të shtetit luksin e institucionalizimit të një koke turku. Liderët që posedojnë mekanizma të tillë mbrojtës nuk do të tërhiqen, edhe sikur të jenë në presionin më të madh politik. Jelekët e verdhë e dinë këtë. Çështja tani është nëse ata do të insistojnë në kursin e tyre të përmbysjes sipas stilit të 1789-ës. Macron e ka bërë të qartë se ai po kërkon debatin politik dhe se ai pranon të gjitha format e rezistencës demokratike. Por jelekët e verdhë e shohin veten si një forcë revolucionare. Dhe pikërisht kjo i bën ata të rrezikshëm për Macron, pavarësisht pushtetit të tij institucional. për këtë arsye, Macron duhet të shpresojë se lëshimet e tij ndaj atyre që fitojnë pak të priten mirë dhe të hapet kështu një shteg për dialog politik. Por Macron duhet të hapet po ashtu. Në fillim ai u përqendrua në vendosjen e autoritetit të tij. Tani ai duhet të përqendrohet në krijimin e besimit dhe pranimin e shtegut të zgjedhur prej tij të modernizimit. Thjesht qëndrimi në zyrë nuk do të mjaftojë që reformat e tij të vazhdojnë. Për Europën kjo është veçanërisht e rëndësishme: një president i dobët francez që e fortifikon veten brenda pallatit Elize nuk ndihmon askënd. Është në interesin e Gjermanisë të mbështesë Macron.

Përgjegjësia e Gjermanisë

Humbja e autoritetit të Macron brenda Francës mund të lidhet edhe me mungesën e mbështetjes për të nga qeveria gjermane. Fjalimi vizionar I Macron në Sorbonë mori si përgjigje një intervistë teknokratike të kancelares gjermane që u publikua në faqen 2 të një gazete kombëtare. Në negociatat për integrimin e mëtejshëm të bashkimit të monedhës së përbashkët, qeveria gjermane e tërhoqi me shumë aftësi Macronin në një debat kaq të thellë teknokratik rreth zbatimit të tij, saqë harxhuan disa netë duke debatuar subjekte të tilla si “klauzolat e veprimit kolektiv me votë shumice” (single-limb collective action clauses), një variant i veçantë i bondit të kushtëzuar.

Deri më tani përpjekja e Macron për të zgjuar Europën ka dështuar. Disa zyrtarë në Berlin janë të kënaqur që qeveria gjermane ka mësuar pragmatizmin e Sun King. “Pika e tij e fortë është vizioni, por ne jemi të fortë në zbatim”, është dëgjuar të thuhet së fundmi në mjediset e qeverisë gjermane.

Por Europa është shumë më tepër sesa një lojë Monopoly dhe partneriteti franko-gjerman është një projekt afatgjatë. Si do të reagojë Berlini nëse Macron nuk e kapërcen dot krizën dhe një aleancë mes të djathtës dhe të majtës ekstreme rreth Marine Le Pen dhe Jean-Luc Melencon vjen në pushtet në vitin 2022? A kemi mësuar ndonjë gjë vallë nga kriza italiane?

Gjermania dhe Europa duhet të këshillohen që të mbështesin Macron. Nëse Macron dështon, dështon Europa. Lëshimet e presidentit francez ndaj jelekëve të verdhë kushtojnë para. Nisja tani e një debate për rregullat e deficitit do të ishte diçka e tepërt. Nuk ka municion më të mirë sesa ky debat për kundërshtarët e Macron. Ne nuk duhet të harrojmë se Gjermania nuk respektoi kriteret e deficitit as kur ato zyrtarizuan Axhendën 2010, paketën e reformave të sistemit të mirëqenies sociale dhe tregut të punës zbatuar mes viteve 2003-2005. Nga një pikëpamje ekonomike, është e mençur të shoqërosh reformat e produktivitetit me mbështetjen nga kërkesa, që është arsyeja se pse një qasje elastike ndaj Francës do të thotë se qasja po kaq elastike ndaj Italisë është pa peshë. Në Itali nuk janë ndërmarrë reforma seriose.

Berlini duhet të ketë interes në fuqizimin e Macron, sepse rënia e qetë e Macron e dëmton Gjermaninë. Nëse Presidenti francez pushon së qeni pushteti revolucionar në Francë, kjo do ta çonte këtë të fundit vite mbrapa ekonomikisht. Do të ishte e dobishme jo vetëm të mbanim parasysh Max Weber, por edhe Abbe Sieyes, teoricienin e madh të revolucionit francez. Në vitin 1799 ai shkruante:

Autoriteti vjen nga lart, besimi nga poshtë

Kjo formulë aplikohet edhe sot – për Francën, por edhe për Europën gjithashtu.

Përshtatja shqip: ResPublica

Burimi: Spiegel

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Makron nuk ka as karizmen me entuziazmin, e as racionalitetin me inteligjencen. Thjesht ai eshte nje produkt i zgjedhur nga gjermanet, -kupto parate qe vershojne me lirshem nga bota gjermane qe po udheheq Europen. Eshte zgjedhur pikerisht per te paksuar reformat sociale te shtetit e per ti lene dore me te lire investorve private.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.