Refoma e energjisë, ndarje e OSHEE-së, çmime tregu për konsumatorët

Postuar në 22 Dhjetor, 2018 16:17

Në datën 12 dhjetor të këtij viti, Këshilli i Ministrave ka miratuar një propozim të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë për Planin Strategjik për Reformimin e Sektorit të Energjisë. Dokumenti paraqet rëndësi të madhe qoftë edhe për faktin se në parim ai synon hapjen e tregut të pakicës në një sketor ku funksionon monopoli. Dokumenti pranon se reforma është ngadalësuar dy vitet e fundit dhe vetë struktura e burimeve prodhuese paraqet probleme.

2.01 GW në tërësi, mbiroztëruar nga hidrocentralet dhe ku marrin pjesë pak aktorë. Një ndër pikat kryesore të planit dhe reformës që e mbështet është ristrukturimi i operatorëve duke nisur nga ndarja e OSHEE-së, “furnizuesit të vetëm universal të Shqipërisë”, OSSH-së dhe krijimin e një shoqërie shqiptare të shkëmbimit të energjisë, APEX.

Vendimi, ndër të tjera, duhet të shndërrojë OSHEE-në në periudhën afatgjatë si një shoqëri, që operon në treg në kushte konkurruese dhe që nuk përdor statusin e monopolit, i cili rrjedh nga trashëgimia si shoqëri publike

vlerësohet në një nga pikat e reformës së politikave.

Nga ana tjetër reforma synon që tregu të vendosë energjinë si mall që shitet dhe blihet me vlerën e vërtetë, duke e shtrirë subvencionimin për kategori të caktuara si vendimmarrje anësore me natyrë sociale dhe jo si element përcaktues. Përfitimet e reformës së propozuar mund të përmblidhen si krijimi i një tregu që prodhon, transmeton dhe konsumon energji elektrike në mënyrë efikase, si dhe një treg që ndërmerr investime që realizojnë fitimet më të larta. Shkurtimisht, përfitimi kryesor i reformës është krijimi i një tregu që mundëson vlerën e shtuar më të mirë për paratë publike

thuhet në dokument.

Nga ana tjetër vetë plani njeh se reforma ka rreziqet e veta. Së pari është zbatimi i paplotë i saj, duke cenuar integritetin e tregut që pritet të krijohet. Rreziku i dytë është mungesa e pronëssë nga ministria e linjës që sipas parashtrimit ka kuptimin se:

Nëse aktorët e brendshëm nuk kanë interes për zbatimin e reformës, si rezultat i mungesës së pronësisë së brendshme, atëherë reforma e propozuar nuk do të zbatohet në tërësi dhe kështu do të rrisë gjasat për rrezikun e parë. Një shembull i kësaj mungese interesi për të zbatuar një reformë, të paktën brenda afatit kohor, është dhënë nga përvoja me derregullimin e parealizuar plotësisht me metodologjinë e çmimeve. Është e rëndësishme ta marrin seriozisht këtë rrezik dhe në përputhje me rrethanat të merren masat e duhura për ta kundërshtuar atë

Një tjetër rrezik është komunikimi me konsumatorin dhe publikun. Madje kjo konsiderohet “sfidë kyçe”. Kjo për arsye se reforma ka të ngjarë të çojë në çmime më të larta. Për të zgjidhur këtë çështje që ka ndikim social dhe patjetër edhe elektoral, në dokument thuhet se duhet sqaruar se çmimet e ulëta të tanishme në fakt paguhen sërish me paratë tona, pra të buxhetit duke mbuluar çmimin real.

Do të jetë thelbësore për të komunikuar se çmimet për energji elektrike janë vetëm më të larta në sipërfaqe, d.m.th. çmimet aktuale të ulëta subvencionohen përmes taksave dhe buxhetit të shtetit në një mënyrë të vështirë dhe të ndërlikuar dhe në të njëjtën kohë rezulton në nëninvestime në infrastrukturë, duke dërguar një faturë gjithnjë në rritje për furnizimin me energji për brezat e ardhshëm…Struktura e re e tarifave që reflekton koston (bazuar në bazën e aseteve të rregulluara) do të identifikojë kostot specifike për energjinë (si të prodhuara nga RES dhe IPP-të dhe të blera në tregun me shumicë), shërbimet e rrjetit (rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes), humbjet e rrjetit, si dhe pagesën e furnizimit. Elementet e reja të tarifave, metodologjitë e tyre të llogaritjes dhe rezultatet e llogaritjes duhet të detajohen në faturat e energjisë elektrike të konsumatorit të fundit dhe të publikohen nga ERE në rubrika të veçanta. Tarifat e reja në natyrën e tyre nuk do të diskriminojnë palët e interesuara të tregut. Pra, së bashku me transparencën, regjimi i ri tarifor do të rritë likuiditetin e tregut, ndër të tjera, lehtësimin e hyrjes në treg. Për më tepër, regjimi i ri tarifor duhet të kontribuojë në përmirësimin e subvencionimit të vazhdueshëm (duke përfshirë edhe subvencionimin e ndërsjellë) dhe koston e lidhur me to

thuhet në dokument.

Plani parashikon ndjekjen e 18 elementëve të reformës së politikave që prekin thuajse të gjithë strukturën e tregut aktual që është i mbyllur. Për të mbrojtur qeverinë nga akuzat, por edhe për të përshtatur vendimmarrjen me natyrën e re të tregut, reforma parashikon edhe rritjen e pavarësisë politike të Entit Rregullator të Energjisë, që sot operon sipas urdhërit të qeverisë dhe ministrisë së linjës. Kjo është dukur që te propozimet e bëra për rritjen e çmimit të energjisë, për të cilën qeveria e z. Rama u vu nën akuzë mandatin e parë.

Modeli i ndjekur me energjinë duket se parathotë reformën e ujit që është një tjetër probleme serioz përderisa prej dekadash shërbimi i ofruar publik nuk pasqyron kostot dhe as korrigjon vjedhjet.

Argumentimi se çmimi i rritur i energjisë është siëprfaqësor, pra se në fakt ai është çmim real, është  vërtetë, por nëse do të sillnim një shembull mund të debatohet se ka vend për spekullime. Qytetarët shqiptarë paguajnë taksën e qarkullimit, paguajnë për ndërtimin e rrugëve, paguajnë mandej edhe për tarifat për kalimin në to. Duhet një mekanizëm balancues dhe korrigjues në këtë politikë që nuk konsideron interesin qytetar përtej stabilitetit buxhetor, ose që të paktën mbetet nga qeveria si politikë e paarsyetuar. Ne paguajmë për një çmim të pavërtetë për energjinë, por nesër me çmimin real, a do të reflektohet kjo me ulje të buxhetimit në këtë drejtim, në mënyrë që ristrukturimi si politikë të mos rrisë kosto që nuk justifikohen? Përvoja e deritanishme na thotë Jo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.