A shpjegohet kjo protestë me arrogancën e pushtetit dhe tradhëtinë e opozitës?

Postuar në 07 Dhjetor, 2018 19:23
Skerdilajd Zaimi

 

Arroganca e Macron na bashkon ne të gjithëve

Me këtë titull e trajton sot gazeta britanike “The Guardian” protestën e jelekëve të verdhë në Francë, e cila kë vënë në krizë pushtetin e Emmanuel Macron. I konsideruar si shpresë për politikën franceze dhe si një politikan i qendrës, presidenti francez duket se është shndërruar në një njeri thuajse të urryer në Francë që përçon padrejtësi. 
Sipas qytetarëve që kanë folur për median britanike, ai jo vetëm që hoqi taksat për super të pasurit, por sot, në ditë e nxehta të protestave po qëndron i heshtur, duke mos marrë përgjegjësi. 

Ai është një arrogant që do të donte të ishte monark. Ai e prezanton veten kudo si një hero progresiv që mund të kontrollojë nacionalizmin, porn ë Francë ai simbolizon një politikë të pakapshme elitash që provokon mosbesim dhe I shtyn njerëzit drejt populizmit

shkruan “The Guardian”. Ja një tjetër prononcim: 

Ai paraqitet mirë dhe flet mirë, por ai i ka keqlexuar këto protesta sespe ai mendon se është shpëtimtari i Francës

Prej kohësh flitet tashmë për një klimë të përgjithshme kundër arrogancës, e cila në njerëz si Macron aktualizohet si një lloj mesianizmi që pak ka të bëjë me kohët tona. Bota e sotme ecën dora dorës me pushtetin e korporatave trilionere dhe shpallja e ideve mesianike është një kurth që tretet mirë nga populistë si puna e presidenitit francez. 

I vetmi që i ka shpëtuar këtij kurthi është kryeministri grek, Alexis Tsipras, ndërkohë që Italia e Matteo Renzit dhe Shqipëria madje e Edi Ramës janë në të njëjtën kllapi. 
A mund ta kuptojmë protestën e tanishme të studentëve edhe si reagim, mllef, e pse jo urrejetje ndaj arrogancës së padurueshme të Edi Ramës? 

Patjetër që po, sidomos kur sheh se arroganca e tij sinkretizohet me budallalëkun servile të ministrave për të dhënë një simfoni arrogantësh që nuk duan të kuptojnë. Që përçmojnë çdo kritikë, që përflasin mediat, shoqërinë e që madje gradualisht nisën të besojnë se ata janë shpëtuesit e Shqipërisë. Në gjeste, në poza, në zë, në të folur, në shpenzimin e parasë publike, në emërime dhe çemërime, në intervista dhe festa, duhma e arrogancës është e padurueshme. 

Sigurisht që protesta e studentëve është e diskutueshme, sepse studentët në një pjesë të madhe përçojnë mediokritetin e përgjithshëm të shoqërisë sonë. Dhe për këtë duhet folur. Por nuk është e rastit që reagimi për tarifat shpreh pikërisht mobilizimin për mbijetesë përkundrejt masave që mund të jenë të drejta, apo të arsyetuara, por Komunikohen keq. Dhe kjo e sotmja është paradoksalisht edhe krizë e komunikimit, që denoncon hipokrizinë e madhe të aktrimit të kryeministrit që ushtron pushtetin me Facebook dhe tuiter. Një krizë ku ka kontribuuar edhe një opozitë si kjo e Lulëzim Bashës që duke tradhëtuar çdo kauzë e duke bërë çdo pazar, në fakt braktisi të drejtën dhe mundësinë e kapitalizimit të çdo proteste. 

A do të katalizojë diçka tjetër kjo protestë? Mbetet për t’u parë, por fakti se në rrjetet sociale studentët po marrin urime dhe po u kërkohet që të mos dorëzohen, flet se klima ishte bërë e padurueshme. Se kazani mediatik në fund të fundit, përtej të gjithë problemeve ka përcjellë shqetësime reale. E rëndësishmja që duhet kuptuar sot, jemi apo jo dakord me studentët, është se arroganca është vetëm një simptomë e një krize të thellë sistemike, krizë e partitokracisë, e sundimit të krimit dhe politikës së krimit. Ndaj rezultati i saj ka rëndësi. Ka shumë rëndësi madje. Padashur protesta e tarifave ka shtruar për diskutim një gjë shumë më të madhe dhe ky diskutim nuk mund t’i besohet këtyre aktorëve politkë apo zgjatimeve të tyre mediatike që po shihen t’i afrohen protestës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.