"Vivakom" nga Bullgaria pranë blerjes së Telekom
Kompania bullgare ‘Vivakom’ është shumë pranë blerjes së Telekom Albania. Kështu raporton RTSH duke iu referuar burimeve pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Sipas të njëjtave burime të pakonfirmuara plotësisht se për këtë çështje janë duke u kryer disa transaksione, pra është në proces ai që njihet si transferimi i aksioneve dhe se palët janë shumë pranë nënshkrimit të marrëveshjes.
Më tej thuhet se nga T Mobile Albania është depozituar një shkresë pranë AKEP-it, në të cilën thuhet se kërkohet shtyrja e datës së tenderit publik për këtë çështje.
Për shitjen e Telekom Albania, shfaqën interes disa kompani nga rajoni i Ballkanit, ku përmenden kompania Çalik, që ka aksionet kryesore edhe të Albtelekom, kompania bullgare Vivakom, Telekom Serbija etj. Kjo e fundit paraqiti një ofertë të lartë financiare, por shkaktoi një reagim të ndjeshëm në opinionin publik në Shqipëri. Telekom Albania është operator i rëndësishëm në tregun shqiptar, por në bilancin e një viti më parë, rezultoi me humbje të mëdha, çka ka bërë që gjigandët e Dojçe Telekom, të vijnë në pikën që të largohen nga Shqipëria.
Add new comment