Notë proteste Greqisë për përdorimin e termit Epiri i Veriut

Postuar në 25 Nëntor, 2018 02:40

Duket se pala greke ka humbur një “shans” për të fituar diçka me presion ndaj Tiranës zyrtare pas ngjarjes së Bularatit. E ekspozuar në sytë e opinionit grek si një vrasje për shkaqe nacionalizmi, incidenti i rëndë i 28 tetorit mund të krijonte kushtet që ministri i ri i Jashtëm në detyrë, kryeministri aktual i Greqisë, Alexis Tsipras të mësynte me presion ndaj homologut shqiptar duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të kushtëzonte pozicionet në raportet dypalëshe për çështje të caktuara.

Por sipas burimeve nga ambasada greke në Tiranë, Ministria e Jashtme shqiptare ka kapur një mundësi kundërveprimi te gabimi, apo lapsusi I ministrit të Jashtëm Alternativ grek, Giorgos Katrougalos i cili në një intervistë të datës 3 nëntor për gazetën “Ta Nea” përdori termin “Epiri i Veriut”.

Në qëndrimet e veta, ministri grek ka përdorur këtë term në mënyrë eksplicite duke cilësuar se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek në këtë zonë, pra në Epirin e Veriut është

konstante e politikës sonë të jashtme.

Katrougalos ka sqaruar se pak ditë më parë ngjarjes ka pritur në takim kreun e ri të OMONIA-s, Vasil Kajo, duke mos harruar të përsërisë se mbrojtja e pakicave është kusht për perspektivën europiane të Shqipërisë.

Mirëpo ndoshta ministri grek ka bërë një hap fals, pasi “ka harruar” se me Shqipërinë, Greqia është në një proces negociimi në kuadër të të cilit po diskutohet zgjidhja e disa çështjeve shumë të rëndësishme si pakti detar, çështja e piramidave, e pronave etj.. Në këtë kuadër kanë marrë zgjidhje edhe çështja e varrezave të ushtarëve grekë të LIIB si dhe pritet të sqarohet juridikisht edhe ligji i luftës. Prekja e një teli të vjetër si termi Epiri i Veriut jo vetëm dëmton këtë klimë që e ka të domosodoshme shmangien e provokimeve, por as nuk ndihmon për ndonjë gjë, sidomos kur pritet që të sanksionohet edhe vija kufitare.  

Sipas të njëjtave burime të ambasadës, po atë ditë që është dhënë intervista e Katrougalos, Ministria e Jashtme dhe për Evropën e Shqipërisë ka dorëzuar një notë proteste pikërisht për përdorimin e këtij termi, duke kërkuar ndërkohë që qeveria greke të distancohet nga ngjarjet ku manifestohet ekstremizmi.

Më tej akoma, siç raportonte dje gazeta “Panorama”, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka ulur profilin e përfaqësimit në ministerialin e Selanikut, mbajtur në datën 20 nëntor, ku merr pjesë Greqia, Bullgaria, vendi ynë dhe Maqedonia. Këtë radhë Tiran u përfaqësua në nivel zv.ministri dhe duhet thënë se Katrougalos që drejton ministerialin ka shmangur gabimet apo lapsuset e datës 3.

Në një intervistë dhënë për stacionin televiziv ERT 3, ai është pyetur specifikisht për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe implikimet që mund të sjellë çështja “Katsifas”, pyetje së cilës ministr grek i është përgjigjur ndër të tjera se:

Vdekja e trishtueshme e Katsifas ka krijuar tensione në marrëdhëniet me Shqipërinë, ndonëse ne nuk ishim përgjegjës për to. Nga perspektiva jonë ne kemi bërë të qartë se prioritetet tona ishin që të hidhej dritë e mjaftueshme për ngjarjes, të sigurohej respekti për të drejtat e minoritetit në Shqipëri dhe sigurisht në përmbushje të këtyre dy kërkesave të mbahet niveli shumë i mirë që kemi arritur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ajo çfarë po ndodh sot është një përpjekje në këtë drejtim…

Duhet thënë se Katrougalos ka lënë të kalojë faktin se Tirana zyrtare shpalli 53 persona non grata, ndonëse javë më parë deklaroi se do të kërkonte sqarime. Po kështu as nga zyra e avokatit Likurezos që ka marrë përsipër të mbrojë interesin e familjes Katsifa nuk ka ndonjë të re, edhe pse në ditët e para u la të kuptohej se mund të kishte edhe një padi ndaj shtetit shqiptar.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Pse note proteste?! A nuk ka qene arber-folese Epiri? Mendoj se duhet ti falenderonim ne kete rast.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.