Më solli Fatosi, gënjeva, fitova, jam rehat
Me propozimin e Ridvan Bodes për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Edi Rama ka hequr edhe copën e fundit të maskës që mbante deri më sot. Ai ia ka dalë të gënjejë shumëkënd, dëshmi kjo e nivelit të inteligjencës së shoqërisë, e moralit të saj dhe e faktit tronditës se ne shqiptarët nuk e begenisim Shqipërinë.
Zotëria ka gënjyer ata që duan të shfaqen si të gënjyer dhe ky është profesion më vete në Shqipëri. Ata që e ndjejnë për detyrë se gënjeshtrat e liderit janë për të mirën e përbashkët dhe ky është një profesion, apo më saktë kultura e vetme politike e Partisë Socialiste.
Janë gënjyer ata që gënjehen përherë dhe këta janë fatkeqësi dhe të pashpresë. Në fund janë gënjyer edhe ata që ushqenin shpresa minimale. Si p.sh se Edi Rama do ishte më mirë se Saliu, apo se të paktën ta zëmë për arsimin do bënte diçka.
Nuk e dimë me siguri se kush nga familjarët e Edi Ramës është zhgënjyer edhe pse kur tjetrin e njeh kaq mirë me gjasë rri e lutesh për bashkatdhetarët që do u duhen vite të kuptojnë se në dorë të kujt kanë rënë.
Manuali politik i këtij njeriu është banal, primitiv. Kjo pse atë strukturë mendimi ka ai, atë kapacitet manifeston dhe se kaq kërkon shoqëria jonë. Zoti Rama ka moralin e të paduruarit, që pretendon se po sjell të renë ndërkohë që zhbën të vjetrën. Në fakt ai po krijon konviktin e vet ku si një kujdestar matrapaz u gjen dhomë me pamje nga lulishtja apo liqeni atyre që i pret me shikim si të hajrit.
Zoti Rama sillet si dikush që e shikon Shqipërinë si shumë të vogël, si një vend që në thelb është tranzitor për intelektualin e vërtetë ku ai mendon se bën pjesë. Ai vuan kontradiktën e madhështisë së vetes me vogëlsinë e vendit. Me pushtetin në zgjerim, z. Rama ka eliminuar edhe frikën dhe kompekset e tij që janë në fakt arsyeja e simptomave të qeverisjes së tij të dështuar: ai përdori të fortët nga të cilët ka patur tmerr, i njohu nga afër ata, i bleu dhe tashmë i kupton sesi t’i manovrojë. Nuk paska qenë edhe aq e vështitë. Frika e rinisë, krejt e kotë. Të fortët janë vetëm ca matrapazë gjaknxehtë dhe mendjengushtë që e varin fatin e tyre te një fjalë e momentit.
Ai njohu nga afër edhe Sali Berishën të cilin e ka imagjinuar si persecutor personal dhe kombëtar. Aty me Kokëdhimën nga njëra anë dhe Gramozin nga tjetra, mbushur me dyshime dhe frikë me qetësinë relative se përpara kishte vënë Ilir Metën, u ul në tryezë me të. Ia pikasi hallet, pa mesa duket që janë halle të ngjashme me të tijat dhe ja kaq ishte. Edhe magjia e Saliut iku.
Zoti Rama tashmë është i vetëm përballë horizonteve të një Shqipërie që ai e ka vizionuar por të cilën nuk e ndan dot me njeri. Nuk ia rrëfen dot asnjë shqiptari atë që ai shikon, sepse do t’i duhen shumë fjalë të thjeshta për ta bërë, aq të thjeshta sa ato do ta fyenin vegimin madhështor. Ai është me siguri duke gënjyer veten deri në një pikë moskthimi. Vetëm lëmshi i interesave dhe presionet e gjithashme e mbajnë në këtë realitet. Të gjitha, PPP-të, tenderat, milionat e eurove, janë thjesht gjëra tokësore që nuk kuptohet se përse krijojnë kaq pështjellim. Nga buron ky keqkuptim i madh? Pse janë kaq të avashtë këta shqiptarët xhanëm për të kuptuar se politika është shumë më komplekse sesa kapja gërmë pas gërme te premtimet elektorale? Pse bëjnë sikur i shqetëson gënjeshtra kur në fund ajo është vetëm për të mirën e tyre?
Këto janë disa nga pyetjet torturuese që nuk e lënë të qetë mendjen e këtij titani të shekullit të 21-të, e dikujt që pushtetin e ka përjetim të afirmimit personal si i forti, artisti, takticieni, politikani, burri i shtetit. Me kredinë që të jep një atribut kolektiv, z. Rama na shfaqet si standard meritokracie, si fat i rrallë për Shqipërinë. Ai sipas një ish-ministreje është edhe brendi i Shqipërisë.
Mund të vazhdohet gjatë me shkrirjen e këtij qiriu për mëmëdhenë, mund të ecej edhe te veshja, te nacionalizmi televiziv, te talk show etj.. Por nuk ja vlen. Nuk ja vlen sepse zhurma e tij në këtë botë është e stërdëgjuar për veshët tanë. Është zhurma e dalë nga boritë e njohura të partisë që ai drejton që në vend se ta reformonte më tej, e konservoi për ta rikthyer në modelin e viteve ’80. Është gërr mërri i moralistit me kostumin gri, që po kërkon të na ruajë edhe nga vetja. Është bindja e sekretarit që thellë thellë e ndan popullin në “ne” dhe “ata”, që edhe historinë madje e ndan sipas kritereve konvencionale përfaqësuese të së tashmes. Zoti Rama është edhe pak komisar i dritës, ndonëse ende jo një Adem Rekë. Pse të lëvizen modelet kur ato ngjisin? Në fund ai mundet që edhe artin e tij t’ia dedikojë popullit për ta dhënë shembullin i pari në një Shqipëri që vuan pikërisht nga shembujt.
Vështirë se mund të gjendet kohë kaq e humbur për Shqipërinë tonë. Një i ardhur nga Perëndimi, i vetëmëkuar me ide të ndryshimit dhe të transformimit, përfundon në një epigon jo i së shkuarës politike të Shqipërisë, por i një karikature të saj. I kapur krahëqafë me modelin e vetes në rini, ku fasadat bënin revolucionin, sot z. Rama ka ngecur në mes të rrugës duke u parë në pasqyrë e duke bërë monolog pa vënë ndonjë pikë e ndonjë presje. Duke imagjinuar se po ecën shumë shpejt, aq sa të tjerët nuk e kapin dot. Në fakt të gjithë kanë ndaluar ta shohin duke menduar se diçka e magjishme do ndodhë në një skenë ku në fakt ai nuk ka se çfarë të bëjë veçse të vazhdojë të improvizojë.
Shaptilografisti
Comments
Eh?
Zoti i shpetofte shqiptaret e gjore nga psikopati delirant Edvin Rama.
Add new comment