Nëntori i vitit 1988 - histori që nuk duhet harruar

Postuar në 24 Nëntor, 2018 11:47
Azem Vllasi

Gjenerata e lindur në vitin 1988 sot ecën nëpër pjesën më të mirë të jetës së vet. Pak mund t’i kujtohet jeta e rëndë nën okupacionin e Serbisë në kohën e regjimit klero-fashist e nacional-socialist të Slobodan Milosheviqit, kur prindërit e tyre përpëliteshin për t’ua siguruar bukën e gojës ngase mbeten pa punë, pa idare, të diskriminuar veçse ishin shqiptarë. Se çka ndodhi në këtë vit dhe si ndodhi okupacioni që zgjati plot dhjet vjet mund të kenë dëgjuar diçka prej prindërve ose segmentarisht të kenë shpalosur nga burime të ndryshme atë histori. Ndërsa, kjo gjeneratë më mirë i kujton kohën e çlirimit nga Serbia, jetën në liri pa frikë në shtetin e pavarur të Kosovës.

Por ngjarjet që ndodhën në nëntor të vitit 1988 i mbajnë mirë në mend prindërit e gjeneratave që lindën pastaj. Sot e kësaj dite shpesh takoj njerëz nga mosha dyzet e pesë e më tepër që përkujtojnë atë kohë: “E, vinim në këmbë në Prishtinë për t’ju përkrahë. Brohoritnim emrin tuaj!”

Ndodhi atëherë një lëvizje e madhe demokratike, paqësore e shqiptarëve në Kosovë, një rezistencë e fuqishme kundër presioneve që bënte Serbia për ta shkelur pozitën kushtetuese të atëhershme të Kosovës në Jugosllavinë federative. Por jo veç kaq. Ishte lëvizje për mbrojtjen e të drejtës sonë për të vendosë për fatin dhe ardhmërinë tonë, çfarëdo që të ndodhë me Jugosllavinë. Lëvizja në formë të protestave masovike filloi më 17 e zgjati deri më 22 nëntor. Kur mbetëm të vetmuar dhe të braktisur nga të gjithë në Jugosllavi dhe nga kreu federal, ballë për ballë me kuçedrën e nacionalizmit serbomadh të regjimit të tërbuar të Milosheviqit.

Nga të gjitha pjesët e Kosovës drejt Prishtinës lëvizën për këto pesë ditë mbi treqind mijë njerëz. Me manipulime nga kreu partiak federal e serb u destabilizua dhe u rrezikua udhëheqja politike e Kosovës. Serbët e malaziasit në udhëheqjen e Kosovës u instrumentalizuan për qëllime politike kundër nesh. U gjetën disa kolaboracionistë-tradhtarë shqiptarë që u instrumentalizuan për qëllime të regjimit serb. Presionet nga Beogradi nuk ndaleshin, por as rezistenca e shqiptarëve nuk pushoi deri në mars 1989. Kulmi i rezistencës ishte greva legjendare e minatorëve të “Trepçës” në fund të shkurtit 1989. Atëherë Kryesia e Jugosllavisë e instrumentalizuar nga regjimi i Milosheviqit për interes të Serbisë, në Kosovë vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe me dhunë për momentin u ndal kjo lëvizje.

U përdor ushtria dhe policia federale kundër nesh. Shumë shqiptarë u burgosen, mbi 20 u vranë në protesta. Mua me 14 udhëheqës dhe minatorë të “Trepçës” na burgosën dhe na organizuan një gjykim politik me qëllim të frikësimit të shqiptarëve. Pak ditë pas, në Kuvendin e Serbisë u hapën shishet e shampanjës për shkeljen e autonomisë kushtetuese të Kosovës. Atë të Vojvodinës e kishin shkelur më herët me më pak mundim. Të tjerët në Jugosllavi u tmerruan nga veprimet brutale kundër nesh. Sllovenët na përkrahën deri diku, kroatët në heshtje ishin me neve. Boshnjakët akoma ishin në gjumë dhe besnikë ndaj Jugosllavisë para tragjedisë që do t’ju ndodhë nga agresioni serb pak më vonë. Kështu faktikisht në Kosovë filloi shpërbërja e Jugosllavisë ngase askush më në të nuk ishte i sigurt përveç serbëve. Shqiptarët, anëtarët e Lidhjes së Komunistëve ishin të parët në shtetet komuniste në Evropë që masovikisht në shenjë revolte i hodhën librezat partiake. Ishte kjo para rënies së Murit të Berlinit.

Si filloi krejt kjo shthurje dhe si filloi fundi i Jugosllavisë në Kosovë? Është mirë në këto ditë të nëntorit të përkujtojmë rininë tonë se çka ndodhi pikërisht para tridhjetë vjetësh.

Kishin kaluar tetë vjet nga vdekja e Josip Broz Titos, i cili si autoritet i pakontestueshëm dhe i pajisur me pushtet të pakufizuar e mbante në këmbë Jugosllavinë si shtet federativ e multietnik, pavarësisht shumë diferencave historike, etnike, kulturore, konfesionale e gjuhësore në mes popujve që ishin brenda saj.

Secili prej popujve brenda saj, pra edhe ne shqiptarët, me xhelozi mbronin identitetin e vet dhe të drejtën për ta qeverisur njësinë e vet federale me kompetenca jo të vogla që kishim sipas Kushtetutës Federale të vitit 1974. Neve shqiptarëve brenda këtij shteti na kishte lënë fati historik dhe Jugosllavia nuk ishte zgjidhja jonë.

I vetmi kërcënim për Jugosllavinë pas Titos ishte oligarkia politike e Serbisë. Ajo gjithmonë kishte synuar një Jugosllavi ndryshe. Një Jugosllavi nën dominimin serb si popull me numër më të madh, si themelues i këtij shteti më 1918, i shtrirë gati në territorin e të gjitha njësive federale, me ndikim më të madh në pushtetin federal, në ushtri, diplomaci dhe në shërbimet e sigurisë.

Nacionalizmi serbomadh avazin e vet e nisi kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Oligarkia politike serbe ishte tejet e pakënaqur me pozitën e avancuar kushtetuese të Kosovës, që për nga pushteti i brendshëm ishte gati si republikat. Formalisht, i mungonte vetëm emri republikë. Serbia nuk kishte asnjë segment të pushtetit efektiv mbi Kosovën dhe Vojvodinën. Por ndikimi i saj faktik në pushtetin federativ ishte më i madh në krahasim me njësitë e tjera federale.

Ofensivën kundër pozitës së tillë kushtetuese të Kosovës dhe kundër shqiptarëve në një front të gjerë: politik, medial, institucional, jashtinstitucional, Serbia e nisi pas vdekjes së Titos. Si pretekst i mori ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Kinse me këto ngjarje qenka rrezikuar Jugosllavia dhe Serbia duhet ta mbrojë atë nga shqiptarët.

Nacionalizmi shqiptar i shprehur në ngjarjet e vitit 1981 për synim kishte pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia me status të plotë si republikë. Kështu u përplasëm në nacionalizmin hegjemonist serb, të cilit edhe ajo shkallë e pavarësisë me Kushtetutë të vitit 1974 i dukej e tepërt.

Në kreun shtetëror e partiak të Jugosllavisë, ndonëse përfaqësues të barabartë të gjashtë republikave dhe dy krahinave, rrinin njerëz të paaftë për t’u përballur me çfarëdo krize pas Titos. Nga ngjarjet e Kosovës në pranverë të vitit 1981 u shqetësuan më tepër se duhej dhe u instrumentalizuan nga Serbia për presione të tepruara ndaj nesh. Udhëheqja jetëgjatë e Kosovës që kishte merita për statusin e arritur me Kushtetutën e vitit 1974 u përmbys. Ndonëse bënim përpjekje ta ruanim kontinuitetin e statusit të arritur të Kosovës, presionet nga Beogradi vinin duke u shtuar. Synimi kryesor i Serbisë ishte degradimi i pozitës kushtetuese të Kosovës dhe rikthimi nën kontrollin e saj kushtetues.

Presidenca federale, në vitin 1986 nisi procedurën për disa ndryshime të Kushtetutës federale me qëllim të hapjes rrugë për reforma ekonomike. Serbia e kapi këtë si rast për të interferuar edhe në raporte kushtetuese të saja me dy krahinat, gjegjësisht për rikthimin e tyre nën ombrellën kushtetuese të saj. Ne nga të dyja krahinat fuqishëm kundërshtonim një synim të tillë. Por nacionalizmi serbomadh kishte aspirata edhe më të mëdha se kaq. Ato nuk mund të realizoheshin me procedura legale imanente për vendimmarrje në një shtet federative çfarë ishte Jugosllavia. Prandaj skena politike e institucionale e Serbisë u zhvendos në binare jashtinstitucionale.

Serbia ishte në kërkim të një lideri të ri, i cili do t’iu printe proceseve dhe synimeve të reja. E gjeti në emrin e Slobodan Milosheviqit, i cili u zgjodh kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në qershor 1986. Për fillim u hartua një program i ri si bazë politike për transformimin e Jugosllavisë në një krijesë me dominimin serb. Ky Program ishte “Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë”.Në skenë publike doli në shtator të vitit 1986. Derisa nacionalizmi, cilido, ishte si temë e ndaluar i dëmshëm për çdo shtet multietnik dhe si i tillë frenohej në njësitë e tjera federale, në Serbi filloi të bëhej platformë politike legale. Nacionalizmi serbomadh e përfshiu tërë skenën publike serbe.

Kosova ishte shënjestra kryesore e nacionalizmit serbomadh. U vu në lëvizje tërë një arsenal kundër nesh. Mediat e Beogradit morën në shënjestër çdo gjë që Kosova dhe shqiptarët kishin arritur mbi baza të pozitës së avancuar kushtetuese. Përhapnin propaganda të tmerrshme me plot gënjeshtra kinse për Serbët e rrezikuar në Kosovë nga shqiptarët. Forumet politike të Serbisë trumbetonin njëjtë. Qëllimi ishte që tërë Jugosllavinë ta sensibilizojnë kundër nesh duke na portretizuar si përbindësha, ku serbët nuk kanë jetë normale. Dhe ofrohej vetëm Serbia si shpëtimtare e serbëve këtu. E duke i “mbrojtur” serbët duhet që të luftojë kundër nesh. Me angazhim dhe ndihma financiare Beogradi filloi të organizonte mitingje si kinse revoltë dhe kërkesë për “mbrojtjen” e Serbëve. Jo vetëm që na sulmonin neve, por edhe të gjithë ata që nuk solidarizoheshin me këtë fushatë serbe kundër nesh. Kështu me mitingje në vitin 1988 u përmbys udhëheqja legale e Vojvodinës dhe Malit të Zi. Me njerëz të rinj, përkrahës të politikës së re serbe nga këto dy njësi federale, u rrit përkrahja e regjimit të Milosheviqit në kreun shtetëror e partiak federal.

Mitingjet serbe dhe propaganda mediale gjatë viteve 1987-88 të orkestruara nga regjimi i Milosheviqit, tmerrësisht u ngjanin kohës së nazizmit gjerman, ngritjes së Hitlerit, si dhe fashizmit italian në kohën e Musolinit. Çdokush që i kundërshtonte, ishte i kërcënuar publikisht, me vrasje ose burgim.

Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, që ishin në tërë Jugosllavinë dhe te ne në Kosovë, në skenën politike erdhëm një gjeneratë më e re. Gjenerata e vjetër, të gjithë u pensionuan sipas ligjit.

Unë u zgjodha kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe kështu kisha mbi vete barrën kryesore politike. Situata gjithnjë vinte duke u vështirësuar, e po ashtu edhe presionet nga Beogradi. Ne u pozicionuam që me asnjë kusht të mos lejojmë degradimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Presionet nga Serbia ishin përqendruar pikërisht në këtë pikë. Për momentin e humbëm një betejë. Dhuna e bëri të veten. Por nuk e humbëm luftën. Shqiptarët në atë kohë dhe në rrethana të vështira u bashkuan më shumë se kurdoherë në historinë e vet. Gjashtë muaj pas këtyre ngjarjeve, regjimet komuniste në Evropë ranë. Ra Muri i Berlinit. Shpërbërja e Jugosllavisë nisi pikërisht në Kosovë. Shqiptarët në rrethana të ndryshuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991 vazhduan luftën dhe rezistencën kundër okupacionit serb, në mënyrë paqësore apo të armatosur deri në çlirimin definitive në vitin 1999.

Koha Ditore 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Aty ne fillim te viteve 80 e deri nga mesi e ndiqnim me kenaqsi TV-Beograd 1 permes antenave qe benim vete. Njedejlo-popodno te djelave, filmat amerikane, etj. Mirpo aty nga fundi i viteve 80 ky televizion dhe njedjelno popodno u kthye me shkronja cirilike dhe me muzike popullore katunarshe jugosh. Ndaj u abandonua ne ne shikuesit e Tiranes. Nacionalizmi duket fillimisht i bukur, pastaj i merr frymen popullit te vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.