Shtëpia e Edi Ramës - e vetmja që ka - shpallet monument kultur(u)e(s)

Postuar në 21 Nëntor, 2018 13:33

Shqipëria po prish atë që ndërtoi pa karar në vitet ’90. Nga një perspektivë ajo po ndërton atë që prishi në po ato vite prishjesh të mëdha. Shqipëria me Rilindjen në krye shpreson të ndërtojë edhe mendjen që iku e humbi udhën.

Incidenti i radhës i këtij procesi është prishja e disa objekteve në Unazën e Re, mbirë aty në tokë bujqësore në valën e kaosit dhe të “kryengritjes” sociale, kryer mbi parimin: të gjithë drejt Tiranës.

Këtu del edhe njëherë në pah largpamësia e kryeministrit që të vetmen shtëpi të njohur për të gjithë që ka, e ndërtoi në Surrel.

Mirëbërësi i kombit tonë nuk duhet lejuar të ketë fatin e Nexhmije Hoxhës. Një shoqëri që nuk ka respekt për elitat, humbet fillin e orientimit, vlerat e vërteta.

Për këtë arsye shtëpia e kryeministrit në Surrel, edhe për arsye që kanë të bëjnë me arkitekturën unike pritet të shpallet monument në ruajtje apo monument kulture. Përveç rigjallërimit të turizmit të zonës, shpallja monument e ruan objektin nga marrëzitë e së ardhmes. Të njëjtin model që u ndoq me shtëpinë e Dashnor Pezës në Pezë, e cila u shpall monument kulture, u restaurua tërësisht me paratë tonë, pastaj u hoq nga lista e monumenteve për t’iu kthyer pronarit - ta gëzojë e ta jetojë – mendohet të ndiqet edhe në këtë rast. Plus shtëpia e Edi Ramës në Surrel nuk mund të prishet edhe për një arsye etike: Shqipëria nuk mund t’I lejojë vetes që të ketë një kryeministër, apo ish-kryeministër të pastrehë. Kjo është shtëpia e vetme e z. Rama. Kaq i detyrohemi të gjithë.   

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.