Pajtimi me Rusinë ose rrënimi i pavarësisë së Kosovës

Postuar në 21 Nëntor, 2018 13:16
Islam Lauka*

Takimi i Presidentit të Ko sovës, Hashim Thaçi, me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin Ndërkombëtar të Paqes në Paris (11- 13 Nëntor 2018) nuk ishte i zakonshëm. Ai ishte i pari, në këtë nivel, midis dy vendeve. Për më tepër, u takua Presidenti i një fuqie të madhe me Presidentin e një vendi, të cilin ajo nuk e njeh si shtet, por thjesht si territor të një shteti tjetër.Për të gjykuar mbi këtë takim duhet parë, fillimisht, rruga që u ndoq për të arritur deri aty, çështjet që u ngritën dhe qëndrimi i palëve rreth tyre.

Ka vite që politika e jashtme e Kosovës ka dhënë shenja zbutjeje të qëndrimeve të saj ndaj Rusisë, ndërsa kohët e fundit, nga dyshja Thaçi-Pacolli, edhe të pajtimit me të. Faktet që mbështesin këtë argument janë këto: në Strategjinë e Sigurisë të Republikës së Kosovës (2010) dhe Analizën e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (2014), Rusia nuk përmendet fare as si rrezik, as si kërcënim; Kosova, këtë vit nuk iu bashkua, në shenjë solidariteti për rastin “Skripali”, aleatit të saj, Britanisë së Madhe, në dëbimin e diplomatëve rusë, siç vepruan fqinjët e saj, si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, me përjashtim të Serbisë; Kosova nuk ka marrë asnjë masë për t’iu kundërvënë propagandës dhe luftës informative të Kremlinit.

Politika e afrimit dhe pajtimit të Kosovës me Rusinë është bazuar në tri pandehma (hipoteza); së pari, Rusia është fuqi e madhe, ajo merret me probleme globale, kurse Kosova, si shtet e vend i vogël, nuk paraqet interes për të dhe, si e tillë, nuk është në axhendën e saj. Së dyti, Rusia dhe Kosova nuk kanë fare marrëdhënie dhe nuk janë as miq, as armike me njëra-tjetrën. Është në interes të Kosovës që të ndërtojë marrëdhënie korrekte me të. Së treti, duke qenë se Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit (KS) me të drejtë vetoje, Kosova duhet të gjejë mënyrën për t’iu afruar Moskës dhe ta bindë atë që të mos e bllokojë anëtarësimin e saj në OKB.

Provë e vërtetësisë, drejtësisë dhe qëndrueshmërisë së këtyre pandehmave janë faktet dhe logjika. Le t’i ballafaqojmë me to. Në qoftë se ka një çështje, e cila ka qenë konstante në axhendën e politikës dhe diplomacisë së Moskës, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik (1991), ajo është Kosova. Në varësi të interesave dhe pozitës së saj në hierarkinë vendimmarrëse botërore, Rusia e ka bërë Kosovën pjesë të pandarë të axhendës së saj ndërkombëtare në KS, në G8, Grupin e Kontaktit për ish-Jugosllavinë, në OSBE, Këshillin e Europës, Organizatën e Bashkëpunimit të Detit të Zi (BEDZ) dhe në do forum tjetër ku ajo është e pranishme. Rasti i Kosovës ka zënë vend, pothuaj, në të gjitha dokumentet themelore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Federatës ruse, si Koncepti i Politikës së Jashtme, Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe Doktrina Ushtarake. Kosova është një ndër 3 temat kryesore ndërkombëtare, krahas zgjerimit të NATOs në Lindje dhe Mbrojtjes Antiraketë, të cilat Moska zyrtare i ka shfrytëzuar për t’u rikthyer në tavolinën e të mëdhenjve. Për të mos shkuar shumë larg, por vetëm gjatë muajit të fundit, Kosova është përfshirë në axhendën politike të Presidentit Putin (Klubi ndërkombëtar “Valdaj”, 18.11. 2018), të ministrit të Jashtëm, Lavrov, (Konferenca e shtypit, me 09.11.2018) pa përmendur Zëdhënësen e Shtypit të MPJ-së, e cila, nuk e ndan, pothuaj, asnjëherë nga axhenda e saj.

Duket qartë se të dhënat faktike provojnë praninë e përhershme dhe aktive të çështjes së Kosovës në axhendën e politikës dhe diplomacisë ruse. Të mos e njohësh apo ta mohosh këtë realitet, është naivitet, në rastin më të mirë, ose djallëzi, prapa së cilës fshihen qëllime largvajtëse, në rastin më të keq.

Të njëjtin raport me të vërtetën ka edhe pandehma e dytë “Kosova dhe Rusia nuk janë as miq, as armiq”. Nuk ka, as edhe një rast, që Rusia të ketë mbajtur qëndrim neutral, pozitiv, jo e jo, por gjithmonë në anën e kundërt ndaj interesave të Kosovës.

Të gjitha të dhënat empirike provojnë, pa asnjë mëdyshje, se Rusia ka qenë dhe mbetet, ndër armiqtë më të egër të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe hedhin poshtë, si të paqëndrueshëm, pohimin e dyshes ThaçiPacolli se “Kosova dhe Rusia nuk janë miq, as armiq”.

Pandehma e tretë, ajo e afrimit dhe pajtimit të Kosovës me Rusinë, me synim që të bindet ajo për të mos bllokuar anëtarësimin e saj në OKB, në vështrim të parë, duket e justifikueshme, por në ballafaqim me logjikën më të thjeshtë, as ajo nuk qëndron. Politika dhe diplomacia perëndimore ka kohë që është distancuar nga politika e jashtme e Kremilinit, përfshirë atë ndaj Ballkanit. Personalitete të njohura të politikës europiane dhe botërore si Angela Merkel, Tereza Mej, qendra kërkimore-shkencore me emër, ekspertë të shquar të shkencave politike, si Ri•ard Has, T. Shnajder, D. Server, etj. e vlerësojnë Rusinë dhe ndikimin e saj negativ si një kërcënim serioz ndaj rajonit tonë dhe Kosovës.

Jo bashkëpunimi, por kundërvënia ndaj politikës ruse dhe marrja e masave për të përballuar sfidën e ndikimit të saj negativ, është prirja mbizotëruese në politikën dhe diplomacinë e aleatëve tanë perëndimorë. Vetëm Presidenti i Kosovës dhe ministri i saj i Jashtëm nuk e shohin, as nuk e ndjejnë kërcënimin rus, në përgjithësi dhe në Kosovë, në veçanti.

Pyetja që shtrohet është: çfarë të dhënash sekrete kanë Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, të panjohura nga partnerët tanë perëndimorë, në bazë të të cilave ata arrijnë në përfundimin se Rusia, nga kërcënuese, mund të bëhet bashkëpunuese? Dhe më tej, çfarë levash ndikimi kanë ata mbi Kremlinin që ta detyrojnë të bëjë atë që nuk e bënë dot Uashingotni, Berlini e Londra – ta bindin, që të mos ushtrojë të drejtën e vetos për Kosovën?

Këto pyetje mund të kenë përgjigje të ndryshme, një prej tyre, mbase, na e jep fabula e Ezopit për sorrën, e cila, duke pretenduar se mund të bëjë shqiponjën, fluturon mbi një dash dhe me thonjtë e saj ngatërrohet keq e ngec në leshin e tij.

Mosnjohja e fuqisë dhe e kapaciteteve të veta, shkëputja nga realiteti dhe rendja pas aventurave shpjegon shumëçka nga veprimet e Thaçit, lidhur me Rusinë. Por ato janë të pamjaftueshme. Më bindës është argumenti, sipas të cilit, Thaçi, gjithnjë e më shumë, është larguar nga vlerat dhe konceptet perëndimore, ndërkohë që është afruar me ato të Putinit. Teza e fundit e tij për Kosovën, si “konflikt i ngrirë” është një koncept, kryekëput, putinist. Është Moska ajo që e ka konsideruar çështjen e Kosovës si të pazgjidhur, njëlloj si problemi palestinez, ashtu siç po e klasifikon edhe Presidenti i saj, Hashim Thaçi.

Impulset putiniste janë të pranishme edhe në metodat e vendimmarrjes së Thaçit. Përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale; dëbimi nga Kosova, me dhunë, i 6 gulinistëve; këmbëngulja për të përfshirë në axhendën e bisedimeve me Serbinë çështjet territoriale, pa konsensusin e forcave të tjera politike dhe pa transparencë; mospërfillja sistematike e Parlamentit etj., janë disa nga simptomat autoritariste të Thaçit, të huazuara nga Putini.

Ndikimi i Presidentit rus nuk e ka kursyer as karakterin e Thaçit. Deklaratat se ideja e tij për “korrigjimin e kufirit” gëzon mbështetje të madhe, brenda e jashtë Kosovës janë, thjesht, mashtrim. Mbështetja e idesë për nevojën e nënshkrimit të marrëveshjes, juridikisht të detyrueshme, midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të thotë edhe mbështetje e planit të tij për ndryshimin e kufijve. Por mashtrimi dhe spekulimi më i madh bëhet me faktet, të cilat “kleptokracia e organizuar” putiniste nuk e ka për gjë t’i shkatërrojë, për të ndërtuar një realitet alternativ, ashtu siç po bën Thaçi, duke imituar Putinin, me injorimin apo shkatërrimin e faktologjisë dhe paraqitjen e Rusisë si një vend neutral, as mik, as armik i Kosovës.

Ashtu si mashtruesi Putin, Thaçi përpiqet që interesat e tij të ngushta t’i paraqesë si strategji të hollë, intrigat që bën për realizimin e tyre, si taktikë e shkathët, ndërsa autoritarizmin në vendimmarrje e politikëbërje, si vendosmëri.

Këto janë konceptet, pandehmat dhe rruga që e çuan Thaçin në prehrin e Putinit. Tani, le të analizojmë, shkurtimisht, përmbajtjen e takimit. Nga ato që deklaroi vetë Presidenti Thaçi, si dhe nga informacioni i shkurtër i zëdhënësit të Presidencës ruse, Dmitri Peskov, rezulton se takimi ishte jo klasik dhe i kufizuar në kohë. Pyetjes së Thaçit se a do ta mbështeste Moska një marrëveshje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, Putini i është përgjigjur pozitivisht. I ngazëllyer nga përgjigja e homologut rus, Thaçi e vlerësoi takimin me të si një hap të madh, si diçka që i ka munguar Kosovës.

Duket se Thaçi nuk e ka njohur mirë personin që ka pasur përballë. Së pari, Vladimir Putini nuk shquhet për mbajtjen e fjalës në marrëdhëniet ndërkombëtare, as kur fjala e tij dhe e vendit që përfaqëson është e fiksuar në marrëveshje e traktate ndërkombëtare, le më një premtim gojor që jepet në mjediset e një forumi ndërkombëtar. Së dyti, Thaçi duhet ta dijë se për arritjen e marrëveshjes me Kosovën, Putini i ka vënë kushte Vuçiçit: marrëveshja duhet të bëhet vetëm në bazë të rezolutës 1244 të KS dhe të Kushtetutës serbe (Kosova në Serbi); ajo duhet të mbrojë interesat e popullit serb (kupto, të forcave nacionaliste e konservatore, në radhë të parë, të Kishës Ortodokse serbe, të cilat janë kundër marrëveshjes). Dhe i ka tërhequr vëmendjen, më se një herë, se Kosova nuk është, thjesht, një çështje e Serbisë, por edhe çështje ndërkombëtare (kupto, e Rusisë).

Përfundimi i Thaçit se, në rast të arritjes së marrëveshjes me Beogradin, rusët nuk mund të tregohen më serbë sesa serbët, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, është iluzion. Në KS Putini mbron interesat e fuqisë së madhe ruse, jo të Serbisë. Shikuar në këtë optikë, mendoj se ka më shumë gjasë që Kremlini ta kundërshtojë, sesa ta mbështesë marrëveshjen Kosovë-Serbi. Sepse mbështetja e saj do t’i hiqte Moskës një levë të fuqishme ndikimi mbi Beogradin. Veç kësaj, mbyllja e çështjes së Kosovës do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Serbisë në BE dhe, në perspektivë, mundet edhe në NATO. Një zhvillim i tillë do të ishte i papranueshëm për Moskën. Ajo është e interesuar që, ushtarakisht, Serbia të ruajë statusin e tanishëm neutral. Nëpërmjet Kosovës, ajo e mban të lidhur Serbinë pas këtij statusi. Në qoftë se, nga ana e Moskës, nuk pritet ndryshim qëndrimi, atëherë çfarë motivesh qëndrojnë prapa lëvizjes se fundit të Putinit për të takuar përfaqësuesin e një vendi që Moska nuk e njeh? Sipas mendimit tim, motivimi putinist buron nga vetë ideja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufijve. Ashtu si bisha që ndjen erën e gjakut të presë së vet, edhe Putini e ndjen se hapja e çështjes së kufijve në Ballkan do t’i sigurojë atij pre të mjaftueshme në këtë rajon, për një kohë relativisht të gjatë. Ka rrezik që preja e parë për ariun rus të jetë Kosova, e nxjerrë në pritë nga ai që duhet ta mbrojë – Presidenti i saj. Historikisht, sa herë që Rusisë i janë nxjerrë në pritë tokat shqiptare, nga fqinjët tanë grabitqarë ose fuqi të tjera të huaja, gjithmonë, nga trungu i tyre janë shqyer copa të majme. Cila pjesë e trojeve tona e ka radhën për t’u shkëputur? Jo për fajin e të tjerëve, por për fajin tonë.

Pas luftës së ftohtë, ndryshimi i kufijve me forcë, ose me “referendum”, në fakt, është shfaqur si praktikë putiniste. Si mjeshtër i taktikës, Putini është i bindur që Presidenti i Kosovës, me idenë e tij për ndryshimin e kufijve, po i ofron mjetin që do të mundësonte faktorizimin e mëtejshëm të Kremilinit në Ballkan, rritjen e ndikimit dhe pranisë së tij në rajonin tonë.

Mbështetja hipotetike e Moskës, për të cilën pretendon Thaçi, mund të ndodhë vetëm në rast se Putini bindet që ideja e homologut te tij kosovar për ndryshimin e kufijve do të shërbente si fitil që do të çonte zjarrin në depon plot barut ballkanik e, për pasojë, do të faktorizonte edhe më shumë Rusinë në Ballkan.

Është fat që nuk ka ndonjë një plan perëndimor për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se Thaçi dhe mbështetësit e tij lënë të kuptohet se një plan i tillë ekziston. Por edhe po të kishte, Presidenti do të duhej ta kundërshtonte e të dilte në mbrojtje të territorit të vendit të vet dhe jo të bëjë të tijin planin serb për ndarjen e Kosovës dhe të kërkojë aleatë për realizmin e tij, deri në Moskën e largët. Kjo është, në thelb, politikë e rrënimit të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Rusia ka qenë dhe mbetet kërcënimi numër një ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Jo afrimi dhe pajtimi me të, por kundërshtimi i vendosur i politikës së saj armiqësore duhet të përbëjë një ndër prioritetet bazë të politikës së jashtme të Kosovës, në bashkëpunim dhe bashkërendim me miqtë dhe aleatët tanë perëndimorë, në radhë të parë, me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Kongresin Amerikan.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Prishtinë

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.