Z. Kryeministër, na qeras me një status në Twitter!
Edi Rama ja ka dalë që të krijojë edhe një problem tjetër në raportet greko shqiptare, raporte të cilat tanimë nuk kufizohen mes dy qeverive, por janë raporte kufijsh etnikë.
Për protagonizëm, apo thjesht se është karabush, kryeministri i Shqipërisë nxitoi që të prononcohej për vrasjen e Bularatit duke mos kursyer epitetet. Zotëria është mësuar në Shqipëri, kur institucionet zbatojnë urdhëra politikë, ku shpallen edhe dëshmorë pilotë helikopterësh pa u përmbyllur hetimet. Ndodh që reagimet ndonjëherë nuk llogariten edhe pse kjo valë e një pjese të shoqërisë greke ndaj Edi Ramës mundet që pa dashje t’i shërbejnë atij politikisht. Do t’i shërbejnë edhe Vangjel Dules që vjen vërdallë i zhveshur nga çdo mbështetje.
Mirëpo nëse z. Rama foli për një të fandaksur që mori përgjigjen e merituar, sot, kur në Bularat u hodhën thirrje politike antishqiptare, ai nuk duket gjëkundi. As në Twitter prej nga ku bilbilon përherë. Mirë bëri në fakt se çdo gjë që prek e bën keq. Dhe bëri mirë edhe për një arsye tjetër: ai e ka të qetë ndërgjegjen në çdo variant veprimi dhe reagimi, thjesht sepse ngjarjet që prekin njerëzit i konsideron si lojëra statusesh në rrjetet sociale.
Nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë e madhe, fundja zotëria është vetëdeklaruar si shofer i mbaruar dhe po e mban timonin në kursin e përplasjes pa manovruar, gjithnjë nën efektin topitës të bindjes se “rruga ime është e vetmja rrugë”.
Kjo nuk funksionon dhe nuk funksionon sepse gjërat janë shumë më të komplikuara sesa urtësia e rrugës së shkurtër që ndjek Rilindja.
Në javët në vijim ne do të dëgjojmë dy narrativa: një që Katsifas u vra sepse qëlloi me armë, një tjetër sepse ai u vra nga shteti shqiptar, pasi u konfrontua për flamurin kombëtar. Ka edhe një hetim për këtë çështje, por ka edhe një plagë të re të hapur në një zonë ku fërkimet etnike nuk mungojnë dhe sa vijnë e mahisen nën valën e zeherit vëllazëror të gjoja bashkëjetesës. Këtij melhem - zeheri i shtohet edhe ajo përralla e neveritshme e demagogjisë së Rilindjes që dërdëllit pa u lodhur për Europën, ndërkohë që po përfundon punën për ndërtimin e Republikës së gangsterëve.
Sot zoti Rama, ky nacionalist sezonal, kozmopolit i autosugjestionuar, arkitekt i republikave virtuale të rrjeteve sociale, mund të ketë fatin se në Athinë ka një homolog që nuk ka interes për të çuar tensionet, por nëse vërtet do që kësaj historie t’i vihet kapak duhet të zbardhë mirë çështjen. Ne po paguajmë boll kusuret e kësaj qeverie që është e lidhur kokë e këmbë me krimin, këtë tashmë ajo nuk e mohon dot as vetë. Nuk kemi pse të na shtojnë faturën me probleme të paqena të një lloji tjetër.
A është në gjendje sot zotëria që të japë siguri për shqiptarët në Greqi, për sigurinë e tyre, a ka këllqe që të bëjë këtë që bën sot Greqia, apo një pjesë e qytetarëve grekë në eventualitetin e një incidenti në Greqi. A do çojë dot autobuzë? Pyetjet mund të vazhdojnë pa mbarim dhe ato nuk i ezauron dot as heshtja e një qeverie të tërë, as kapardisja e pabesë e një kryeministri, as rekordet e integrimit dhe as postimet me flamur.
Ky është dallimi më i madh mes nesh dhe grekëve sot: Katsifas nuk mbeti vetëm, kurse të gjithë Ne, e dimë që do jemi VETËM, në mos edhe përballë po këtyre policëve shqiptarë që sot qëlluan mbi një grek siç thonë, kurse nesër të gatshëm për t’I vënë prangat të parit shqiptar që do mendojë të bëjë po aq, në mos 10% të asaj që bëri Katsifa.
Comments
Qenke shtrënguar kaq shume o
Qenke shtrënguar kaq shume o qyqar sa ne vend te liroheshe nga gazrat e tepërta, bojatise benevreket...
Bravo
Skerdi Bravo! Realist dhe me kembe ne toke pertej bythlepirjes endrifugiste dhe nacionalizmit kafsheror!
Add new comment