Pafajësi dhe rehabilitim që përligj çdo lloj proteste
Saimir Tahiri ishte personi i parë që përmendi publikisht mundësinë se mund të burgosej. E bëri këtë në rrëfimtoren e Blendi Fevziut duke iu dridhur mjekra.
Kanë kaluar muaj që nga ajo mbrëmje dhe sot ish-ministri i Brendshëm është shfaqur në Prokurori ku siç thuhet ka dorëzuar disa prova të reja.
Ky është po ai njeri që deklaronte se kishte përdorur makinën e Habilajve pasi e kishte shitur dhe se ky ishte një gabim. Kur sheh se çfarë na kanë dëgjuar veshët këto kohë, Tahiri ngjan ndoshta edhe si i pafajshëm.
Por sistemi që e mbron atë, sistemi politik dhe penal, nuk është i pafajshëm. Ai po kthehet në një mekanizëm kriminal që ndërsa rreh, burgos edhe shitësit ambulantë, mbron me gjithfarë marifetesh proceduriale njerëzit e vet. Shtëpisë nuk i gjuhet me gurë, tha kryeministri. Ky është një parim që aplikohet në kuptim të praktikave sektare, të cilave duhet t’u qëndrojë përballë një gjyqësor i pavarur apo një prokurori profesionale. Ne nuk kemi asnjë prej këtyre. Ne kemi vetëm një pol që ushtron vullnetin e vet, ndoshta nën shantazhin e këtij ish-ministri që iku nga detyra për të qëndruar në politikë.
Kjo është e tepërt për një vend si Shqipëria, ndonëse një gjë mëse normale për Partinë Socialiste. E tepërt sepse ne e kujtojmë fare mirë Shqipërinë e kanabisit, të ditëve kur kryeministri bënte tablonë sinoptike dhe diktonte vendimet e Parlamentit nga mbledhja e Grupit Parlamentar të partisë së tij. Asnjë politikan nuk do të pranonte kosto të këtilla, veç nëse do të kishte shtrëngime të padukshme.
Është kohë e humbur të flasësh për intrigat e PS-së. Çështja është se çfarë do të ndodhë. Këto ditë analistët e pushtetit synuan të krijojnë bindjen se largimi i pasardhësit të Tahirit, Fatmir Xhafaj, është një zgjidhje e rafinuar e Edi Ramës që çmobilizoi energjitë e opozitës në organizmin e protestave.
Nëse është kështu, atëherë çlirimi i Saimir Tahirit me procedurë, është një arsye edhe më e madhe që protestat të aktualizohen përkundrejt një pushteti që po përdhos çdo normë. E mira do të ishte që protesta të ishte qytetare, por Shqipëria është kaq sumë e dëshpëruar saqë ngjan e dorëzuar. Ndaj opozita, ka të paktën si detyrim ndaj mbijetesës së vet reagimin masiv ndaj kësaj karanevaleje që synon të na bëjë të gjithëve budallenj në emër të shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit. Në emër të pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë. Protesta është e vetmja rrugë që një çështje që po trajtohet si proceduriale dhe juridike të ruajë atë dimension që ka: Politike. Sepse edhe Shqipëria e kanabizuar ishte një vendim politik dhe jo thjesht një realitet i rendit publik.
Add new comment