Shtëpia Jonë...
Kur hyn në një parti nuk i bën do të gjitha.Unë që kur hyra në parti hoqa dorë nga ideja që mund të shkoja prapë në plazh nudo. Nuk shkoja dot më, se mbaroi. Po ka dhe të tjera, diskutojmë ne me njëri tjetrin dhe kemi ndonjë shok që thotë jam njeri i lirë. Jo mo se nuk je njeri i lirë, je i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je i lirë të dalësh atje e të gjuash me gurë shtëpisë ku jemi bashkë se nuk ka kuptim. Nëse do të dalësh ti gjuash me gurë shtëpisë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë
Këto janë fjalë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht kryetar I Partisë Socialiste. Është I njëjti njeri që për vite të tëra ka bërë thirrje që shqiptarët të merren me politikë, që rinia të merret me politikë, sepse përndryshe politika do të merret me ta. Është i njëjti njeri që ka për zemër thënien se “sistemi korrupton njerëzit”, apo që “PS-ja është shtëpia e të gjithë progresistëve”.
Befas ky njeri, i cili hyri në atë parti me një teserë të marrë nga socialisti Kismet, në një kohë kur nuk mund të mos e merrte më, po bën thirrje për disiplinë. Po flet për organizimin, rregullin. Për atë rregull dhe norma të cilat i kishte bezdi të madhe edhe kur nga vasali i tij i sotshëm, Ben Blushi, i kërkoheshin zgjedhje në parti.
Sot z. Rama, ka deklaruar të drejtën hipotekore mbi PS-në. Ajo është tashmë parti private. Ajo është shtëpia e tij, personalja, politike, shtëpia e Erjon Veliajt, e Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit, Elisa Spiropalit, është shtëpia e Ardian Çelës, e Blerina Gjylametit, e deputetëve më të pasur të vendit, shtëpia e Niko Peleshit, e Oltës që nuk kthen fjalë, e Taulantit, e drejtorëve milionerë. Mos e qëlloni me gurë këtë shtëpi që ka për polici private, Policinë e Shtetit dhe për truproje trafikantët e të gjitha llojeve. E mira do ishte t’i rrinin larg të gjithë, ta harronin, sepse karantinën nga kjo shtëpi lebrozësh politikë, e ka nevojë e gjithë Shqipëria, por edhe historia e saj politike.
Add new comment