Edhe më e egër se Caravaggio, gruaja që mori hak përmes pikturave të saj

Postuar në 08 Tetor, 2018 15:22
Jonathan Jones – The Guardian

Dy gra mbajnë një burrë të mbërthyer në shtrat. Njëra i ka ngjeshur grushtin në kokë, që ai të mos mund të ngrihet, ndërsa tjetra i ka vënë duart në gjoks. Ato kanë krahë të fuqishëm, por pavarësisht kësaj, u duhet t’i bashkojnë forcat për ta mbajtur viktimën pa lëvizur, ndërsa njëra prej tyre i pret fytin me një shpatë që shkëlqen.Gjaku rrjedh mbi çarçaf, por ajo nuk ka ndërmend të ndalet derisa t’ia presë kokën plotësisht. Sytë e viktimës janë të hapur. Ai e di shumë mirë se çfarë po i ndodh.

Njeriu në prag të vdekjes është Holofernes, një armik i izraelitëve në Dhjatën e Vjetër, ndërsa gruaja e re që i mban kokën është Xhudita, vrasësja e tij e caktuar nga hyjnitë. Në të njëjtën kohë, ai është një piktor italian i quajtur Agostino Tassi, ndërsa gruaja me shpatë në dorë është Artemisia Gentileschi, autorja e pikturës. Kemi të bëjmë në fakt me një autoportret.

Dy pikturat e mëdha dhe të përgjakshme të Xhuditës dhe Holofernesit nga Gentileschi, gjenden njëra në Capodimonte në Napoli dhe tjetra në Uffizi në Firence. Ato janë pothuajse identike, me përjashtim të detajeve të vogla - në pikturën në Napoli, fustani i Xhuditës është blu, në atë të Firences është i verdhë. Por imazhi është i njëjti: një makth, akti final i një tragjedie që përsëritej pa fund në kokën e autores.

“Kjo është unaza që më dhe dhe këto janë premtimet e tua”, bërtet Gentileschi ndërsa torturohet në Romë, në një sallë gjyqi, në vitin 1612. Gishtat e saj u lidhën me litarë, që u tërhoqën. Gjykatësi ka vendosur këtë lloj torture për të. Në të njëjtën sallë ndodhet njeriu që e përdhunoi. Askush nuk ka ndërmend ta torturojë atë. Ajo përsërit herë pas here se duhet ta besojnë dëshminë e saj për përdhunimin: Është e vërtetë, është e vërtetë, është e vërtetë. 

Gentileschi ka qenë artistja më e madhe femër e epokës baroke dhe një nga pasueset më të shkëlqyera të Caravaggio-s, piktura e të cilit “Xhudita dhe Holofernesi” pati influencë në krijimtarinë e saj. Ajo është një nga yjet e “Përtej Caravaggio-s”, një vështrim epik i rivalëve dhe dishepujve të tij që do të prezantohet në Galerinë Kombëtare të Londrës.

Me fjalë dhe imazhe, Gentileschi iu kundërprëgjigj dhunës mashkullore që dominoi botën në të cilën jetoi.

Gentileschi arriti diçka që dukej e pamundur, saqë ajo meriton të konsiderohet një nga artistët më të famshëm në botë. Ajo jo thjesht u bë një artiste shumë e suksesshme, në një kohë akademitë u mbyllnin dyert femrave, por bëri atë që askush nga gratë e tjera artiste - të pakta - të Rilindjes dhe Barokut, mund të arrinin: ajo përcolli një vizion të fuqishëm personal. Pikturat e saj janë dukshëm autobiografi. Ashtu si Frida Kahlo, Louise Bourgeois ose Tracey Emin, ajo e vendosi jetën e saj në artin që krijoi.

Dhe jeta e saj ishte brutalisht e dëmtuar. Në botën e egër artistike të Caravaggio-s në Romë, artistët ishin të pasur, arrogantë dhe mund të bënin pothuajse çdo gjë që u pëlqente për aq kohë sa qëndronin brenda vizionit të kishës. Gentileschi mund ta ketë takuar Caravaggio-n shumë herë kur ka qenë vajzë e vogël, madje ai edhe mund ta ketë nxitur të pikturonte. Babai i saj, Orazio, ishte gjithashtu një artist i talentuar, mik i ngushtë i Caravaggio-s. Në vitin 1603, Orazio dhe Caravaggio shkuan në gjykatë së bashku, për të dëshmuar për shpifjet për një artist armik në rrugët e Romës. Në dëshminë e tij, Orazio përmendi rastësisht Caravaggio-n, i cili i binte rrotull shtëpisë së tij për të kërkuar hua një palë krahë engjëlli.

Kjo na jep ne një moment të mrekullueshëm të fëmijërisë së Gentileschi-t: Caravaggio-n e madh që del nga studioja e punës. E lindur në vitin 1593, Gentileschi ishte vetëm 10 vjeç kur ndodhi kjo. Kur u bë 13 vjeçe, fatkeqësia e goditi rrethin e Caravagio-s. Ai ishte gjithnjë i rrezikuar dhe mbante me vete një shpatë gati për ta përdorur, por në vitin 1606, ai vrau një njeri me lidhje të ngushta në oborrin e papës. Ai u arratis, kështu që Orazio dhe e bija nuk do ta shihnin më frymëzimin e tyre.

Të qenit bijë e një artisti ishte e vetmja mënyrë me të cilën një grua e re mund të shpresonte të mësonte aftësitë komplekse që duheshin për të pikturuar në mënyrë profesionale në epokën e barokut. Orazio kishte ambicie për vajzën e tij. Mbi të gjitha, ai i dha asaj një emër të mrekullueshëm, klasik. Dhe kur aftësitë e saj u zhvilluan, ai punësoi një artist të ardhshëm, Agostino Tassi, për t’i dhënë mësime. Më pas, në 1612-n, Orazio e akuzoi Tassi-n për përdhunimin e vajzës së tij, si dhe për mashtrimin e saj me një pikturë nga studioja e tij.

Procesi gjyqësor zgjati 7 muaj dhe tronditi Romën. Kjo e bëri Gentileschi-n të famshme në kuptimin më të keq të fjalës. Në mënyrë të mahnitshme, çdo fjalë e thënë në atë sallë ka mbijetuar, falë një transkripti që hap para nesh një dritare që na tregon jetën e artistëve në epokën e Caravaggio-s. Gentileschi na flet sot nëpërmjet një dokumenti 400-vjeçar, me një zë që është njëkohësisht elokuent, kurajoz dhe bindës. Ai është një shembull i rrallë i një gruaje në epokën paramoderne, e cila qëndroi fort përballë shtypjes që ishte pjesë e jetës së përditshme.    

Tassi arriti ta mashtronte atë dhe nisi t’i bënte oferta të padëshiruara për seks, sipas dëshmisë së saj. “Pastaj më hodhi në cep të shtratit, më shtyu me një dorë mbi gjoks dhe më vuri gjurin mes këmbëve që të mos mund t’i mbyllja. Duke me hequr rrobat, ai më vuri një shami në gojë, që të mos bërtisja”.

Ajo u kundërpërgjigj. “I gërvishta fytyrën, i tërhoqa flokët dhe para se gjithçka të ndodhte për së dyti, e kapa nga pjesët intime aq fort saqë i shkëputa një copë mishi”. Por nuk mund ta ndalonte. Ajo arriti një sirtar dhe nxori që andej një thikë. “Do të doja të të vrisja me këtë thikë, sepse ti më çnderove”, bërtiti. Ai hapi pallton që mbante veshur dhe i tha: Ja ku më ke. Gentileschi e hodhi thikën në drejtim të tij, por ai u mbrojt. “Mund ta kisha vrarë”, rrëfeu ajo në sallën e gjyqit.

Gjyqi vijoi me muaj të tërë, gjatë të cilëve u dëgjuan dëshmitarët. Miqtë, qiramarrësit, artistët dhe të afërmit ndërtuan një imazh të qartë të familjes së Gentileschi-t. Ajo u protretizua si një adoleshente që e kalonte të gjithë kohën e saj duke pikturuar, dhe shumë rrallë ishte parë jashtë. Përdhunuesi i saj u shfaq si një personazh edhe më i keq se sa dukej në pamje të parë. Disa dëshmitarë pretendonin se ai e kishte vrarë gruan e vet - dhe nuk mund t’i ofrohej mbrojtje e mirë.

E megjithatë, Gentileschi u torturua dhe Tassi u lirua. Pse? Ai u mbrojt nga Papa, sepse arti i tij - i harruar sot – vlerësohej në atë kohë. Të gjithë e dinin se ai ishte i keqi. "Tassi është i vetmi nga artistët që kurrë nuk më ka zhgënjyer", tha Papa Innocenti X në atë kohë. “Artistë të tjerë pretendonin se ishin burra të nderit, - shpjegoi ai, - por e zhgënjyen”.

Gentileschi, ende adoleshente kur përfundoi gjyqi, u turpërua në një kulturë ku nderi ishte gjithçka. Megjithatë, ajo gjithashtu siguroi një lloj publiciteti monstruoz. Në vitet 1620, ajo ishte një artiste e suksesshëm që punonte në të gjithë Romën. Ajo po hakmerrej me armën e vetme që kishte: një penel. Ajo nuk mund ta shkruante historinë e saj sepse, siç zbuloi gjatë gjykimit, ishte pak a shumë analfabete. Megjithatë, ajo mundi ta pikturonte atë dhe të ndryshonte fundin e saj - siç tregojnë pikturat e saj të Xhuditës dhe Holofernesit.

Megjithatë, Gentileschi nxjerr në pah një element të historisë biblike, që asnjë artist mashkull nuk kishte arritur ta bënte. Në shumicën e pikturave, përfshirë edhe ato të Caravaggio-s, Xhudita ka një shërbëtor që pret të ngrejë kokën e prerë. Por Gentileschi e bën shërbëtorin një grua të fortë e të re, e cila merr pjesë aktive në vrasje. Kjo mund të shihet në dy mënyra: i shton pikturës një një realizëm të egër, që edhe Caravaggio kurrë nuk do ta kishte menduar – duheshin dy gra për ta vrarë këtë shtazë; dhe e dyta, i jep skenës një implikim revolucionar. Gentileschi me anë të kësaj pyet: Po nëse gratë bëhen bashkë? A mund të luftojmë kundër një bote të udhëhequr nga burrat?".

Eventi “Përtej Caravaggio-s” do të shfaqë një tjetër vepër të Gentileschi-s, pikturën e saj të vitit 1622, me titull “Susannah dhe të moshuarit”. Edhe në këtë vepër, ajo përdor histori të Biblës për të dramatizuar çfarë do të thoshte të ishe grua në shekullin e XVII. Dy burra në moshë përgjojnë një grua të re teksa lahet. Por Gentileschi e thekson këtë akt, duke i vendosur dy pleqtë pothuajse ngjitur me gruan dhe me sy të shqyer, në një kohë kur artistët e tjerë i paraqesin personazhe të tilla të fshehur dhe në distancë. Pse ajo i paraqet përgjuesit afër krejtësisht të pa vënë në siklet, duke mos bërë asnjë përpjekje për të fshehur epshin e tyre dhe duke shkelur hapësirën e Suzanës?

Duket si një efekt shqetësues, që të kujton përndjekjen e saj. Në gjyq, doli se Tassi kishte një bashkëpunëtor, i cili gjithashtu e dëshironte Gentileschi-n. Të dy ata i vinin vërdallë, duke e përgjuar, duke e vështruar, ashtu si dy pleqtë shqetësojnë Susanën në pikturë. Trauma e përdhunimit të Gentileschi-t dhe drejtësia e munguar gjetën vend në artin e saj. Megjithatë, ajo nuk u mund nga dhimbja. Përkundrazi, fuqia që i buronte së brendshmi e bëri atë një nga artistët më të famshëm në Evropë.  

Në atë kohë, edhe gjykata e largët britanike kishte dëgjuar për rastin e saj. Në vitin 1638, Çarli I e ftoi personalisht në Londër që të punonte për të. Atje, Gentileschi pikturoi atë që mund të jetë vepra e saj më origjinale dhe më e rëndësishme. Në autoportretin e saj – e cila muajin e ardhshëm shfaqet në Galerinë e Mbretëreshës në Buckingham Palace në një ekspozitë të quajtur Portreti i Artistit - ajo e paraqet veten si një personazh muskulor, dinamik dhe të fortë, njësoj si gratë që mbajnë mbërthyer në shtrat Holofernesin . Në vend të shpatës, ajo është e armatosur me një penel. Disa shekuj para se të lindte feminizmi, Gentileschi lëviz nëpër hapësirë me lirshmëri të jashtëzakonshme, si krijuese e imazhit të saj, si heroinë e jetës së saj.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.