Rilindja e vështirë e konservatorizmit politik në Shqipëri

Postuar në 02 Tetor, 2018 11:34
Romeo Gurakuqi

Përkufizimi i konservatorizimit në politikë përgjatë historisë së një vendi me traditë të shkurtër kohore të indipendences dhe pluralizmit, me ndërprjerje drastike të zhvillimit të rendit kushtetues, me thyerje të rënda historike, për shkak të diktaturave dhe shndërrimeve të thella dhe të dhunshme sociale, ndryshon në kohë, varësisht periudhave që ka kaluar Shqipëria, ndryshon edhe në territor, pavarësisht se kemi të bëjmë me një vend të vogël. Kjo sepse koncepti dhe qëndrimi i faktorëve organizative politikë dhe individëve brenda tyre, vlerësimi ndaj fenomeneve shoqërore, politike dhe juridike, është i lidhur me formacionet e ndryshme kulturore dhe politike, kendvështrimet e ndryshme të aktorëve politike të Shqipërisë, varësisht qytetit apo rajonit ku janë formuar dhe ndërlidhjes së interesave me të shkuarën e afërt dhe të largët.

Kemi të bëjmë me një vend me disa ndikime kulturore dhe me dallueshmëri të spikatur formative midis të qyteteve të vjetra nga njëra anë, dhe zonave rurale dhe qyteteve të zhvilluara rishtazi nga ana tjetër. Të gjitha këto, në një shtet ku vektorët përbashkues kanë operuar shpesh herë me kahe të përkundërta, për shkak të traditave shtetërore osmane, zogiste dhe regjimit diktatorial komunist, nëpër të cilat ka kaluar vendi, si dhe specifikave të rrugës historike të pjesëzave të vendit në raport me qendrën e pushtetit politik.

Megjithatë, jeta e përbashkët komunitare, bashkësia e gjuhës, kulturës dhe traditave burimore të popullit shqiptar, nxiti pjesën elitare të shoqërisë, në agimin e parë të shtetit (1912-1914) dhe në periudhën e viteve (1918-1944), në forcimin e atyre elementëve që i bashkojnë nënshtetasit: ndërtimi i shtetit konstitucional, prularizmit politik, i një lloj parlamentarizmit, forcimi i laicitetit të shtetit dhe ngulitja e albanianizmit, si kushte bazë për shmangien e diskutimeve të pafrytshme, mbrojtja e të drejtave të individit, mbrojtja e minoriteteve, llogaridhënia e zyrave publike, përgjegjshmëria në qeverisje përmes respektit të ligjit dhe  një kulture rrëfimi. Thënë ndryshe, në harkun kohor të lartpërmendur, pavarësisht autoritarizmit të 15 viteve të mbizotërimit presidencial dhe mbretëror të Ahmet Zogut, u krijua  Vendi që nuk ishte më i imi dhe i yti, por i YNI, Shqipëria e Përbashkët, Shtëpia e Përbashkët e Albanëve. Projekti i rilindasve u konkretizua në formulimin e një sistemi të përbashkët shtetërorë.

Historia e Shqipërisë na ndihmon të dallojmë disa periudha, kur bëhet i dallueshëm një debat qëndrimesh dhe një minimum i pluralizmit në pozicionimet e partive politike:

  1. Harku kohor i periudhës (nëntor 1912 – janar 1914), kur Kryeministër i vendit ka qenë Ismail Qemali dhe mbështetës të tij, bashkëthemeluesit e Shtetit, Imzot Nikollë Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi etj.. Ky i fundit ishte një lider tipik i qendrës së djathtë shqiptare dhe mund ta konsideroj si ati politik i konservatorizimit europianist shqiptar.
  2. Periudha 6 mujore e Principatës së Shqipërisë së mbretëruar dhe mbizotëruar nga Wilhelm Von Wied.

Për dy periudhat e para, forcat që luftonin për një Shqipëri konstitucionale, të mbrojtjes së lirive, të parlamentarizmit, demokracisë pluraliste dhe që luftonin për europianizimin e Shqipërisë, si Shtëpi e Përbashkët e albanizuar dhe e de-otomanizuar, ishin minoritare. Përndryshe, forcat politike dhe shoqërore konservatore, kuptuar si përpjekje për ta ruajtur këtë vend të pavarur, si shtojcë adriatikase e Perandorisë Osmane, ishin në shumicë.

  1. Periudha e tretë i përket Qeverisë së Durrësit (dhjetor 1918 – janar 1920);

4.  Periudha e katërt, përfshin kohën pas Kongresit të Lushnjës, (janar 1920 – dhjetor 1924), kur shoqëria politike shqiptare funksionoi me një sistem parlamentar dhe me burime intelektuale në politikë, që mbajnë ende edhe sot një pozicion të spikatur në historinë politike të pluralizimit.

Pas Luftës së Parë Botërore, liderët e mençur të Shqipërisë së re, përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në Konferencën e Paqes, si Turhan Pashë Përmeti, Imzot Luigj Bumçi, Mihal Turtulli, Aqif Pashë Elbasani, Padër Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Abdi Toptani etj., bënë çfarë ishte e mundur për rizgjimin në krahun e duhur të popullit dhe për ndërtimin e disa shtyllave të rëndësishme për rrugën e ardhshme europiane, pavarësisht se nostalgjikët e sundimtarit të vjetër, mundoheshin të ndërtonin një përzierje të pangjashme dhe me antikapë zhvillimorë. Megjithëse një popull i sapoçliruar, me nivelin më të ulët arsimor të Europë, me një strukturë ekonomike krejt të prapambetur, intelektualët shqiptarë të kohës, të ndihmuar nga era e fuqishme e Europës dhe nga mungesa gati e plotë e Azisë politike aso kohe, mundën të vendosnin në kanalet e duhura zhvillimore, të ardhmen e vendit dhe të ndërtonin, së paku konstitucionalisht, një shtet për të gjithë dhe nga të gjithë, që mbante jashtë kornizave publike, veçantitë religjioze e kulturore.

Mirëpo a mundej dot shoqëria shqiptare të përthithte një kuadër të tillë politik konstitucional dhe një standard të caktuar të lirisë europiane? Në Shqipëri etërit e kombit u ndeshën me një realitet mjaft të vështirë dhe me struktura ekonomike, sociale dhe politike mjaft të ngulitura për t’u kapërcyer në një kohë të shpejtë. Në një farë mënyre, importimi i së resë rezultoi i pafuqishëm përballë rrënjëve të thella të së vjetrës. Ata, dështuan në përmbushjen e shpejtë të një programi të rëndësishëm reformash demokratike, përparimtare, të bazuara mbi lirinë. Vendi edhe më tutje do të vazhdonte të qeverisej dhe kontrollohej nga klasa e vjetër e bejlerëve, që vetëm kishin modeluar stilin e sjelljes në Shqipërinë e re. Në fund të fundit, rezultoi se më e lehtë ishte fitorja ndaj pushtuesve të huaj, sesa mposhtja e së keqes së brendshme dhe e rrënjëve të saj.

Megjithate, Shqipëria përjetoi Përiudhën më të Artë të Parlamentarizmit, të historisë së saj: Është fjala për harkun kohor të periudhës së  viteve (1921-1924 ). Liderët e kësaj kohe arritën të krijonin shtetin albanianist, që respektonte njëlloj komunitetet fetare, gjë që u mishërua, nga ndërtimi i organit të Kreut Kolektiv të Shtetit, deri tek strukturimi i qeverisë dhe administratës. Ky strukturim i balancuar përbën një Konventë Kushtetues, d.m.th. një burim fakt të së drejtës në Shqipëri, që u respektua deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, u ripërtëri në vitin 1992 dhe u deformua kur socialistët erdhën në pushtet.

Përsa i përket zgjedhjes së strukturës politike: me përjashtime shume të ralla, e gjithë Dhoma e Deputetëve, gjatë periudhës së viteve (1920-1924), koinsistonte në emërime të ardhura nga pak udhëheqës, të cilët mund të  llogarisnin tek ata bindje të plotë të të gjithë deputetëvë, pa asnjë mëdyshje dhe se ata  asnjëherë nuk do të konsultoheshin me elektoratin, pa marrë miratimin më përpara të udhëhedhëqve të tyre. Demokracia në Shqipëri ishte kështu një jetë e ngushtuar në kuint-esencën e vet të përqendruar në Tiranë.  Shqipëria e pas Luftës së Parë Botërore, mbeti sërish një vend në të cilin prijësit e saj tradicionalë e transfromuan dëshirën e pjesës së emancipuar të popullsisë për pavarësi, tërësi territoriale për konstitucionalizëm, në një dashuri për pushtet. 

Periudha që vijoi është koha e një diktature autoritare, fillimisht Presidenciale dhe Republikane, (1925-1928), dhe më pas Mbretërore dhe Konstitucionale (1928 – 7 prill 1939), që erdhi duke kryer reforma konsoliduese të shtetit, gradualisht dha liri, promovoi pluralizmin e ideve, kreu reforma perëndimizuese, por nuk lejoi ndërtimin e një Monarkie Parlamentare funksionale, duke ruajtur deri në fund format ekzekutive të sundimit personal.

Lufta e Dytë Botërore ndërlikoi pavarësinë shtetërore. Përfundimi kryesor i Luftës për shtetin shqiptar ka qenë shkatërrimi i strukturave institucionale, që krijuan shtetin dhe unitetin nacional në harkun kohor të periudhës së  viteve (1913-1934); koncepti i kombit në përfundim të kësaj lufte, pësoi hapa prapa në aspektin e emancipimit, për shkak të shkatërrimit, jo vetëm të strukturave institucionale politike, arsimore, kulturore që u ndërtuan në pararëndje, por edhe të eliminimit fizik të burimeve njërëzore të afta, që i kishin ndërtuar e mbajtur gjallë ato institucione. Për 50 vite në Shqipëri u fshi pluralizmi, ndërsa aktiviteti politikt u transferua jashtë Shqipërisë në botën perëndimore. Rezultat i kësaj ka qenë prishja rrënjësore e të gjitha formave tradicionale të Shtëpisë së Përbashkët dhe eliminimi i çdo kondite për të formësuar parti politike dhe një sistem pluralist.

Dhe në Perëndim, dy partitë që me bazamentin e vet ideologjik dhe politik, si edhe në burimet njërëzore, ruajtën tradicionin e qendrës së djathtë shqiptare kanë qenë: Balli Kombëtar, politikisht i drejtuar nga Mit’ht Frashëri, si qendra e djathtë republikane dhe tradicionaliste, dhe Blloku Kombëtar Indipendent, si qendra e djathtë europianiste.

Për BKI, shtyllat mbi bazën e të cilave duhej mbështetur programi politik për Shqipërinë post-komuniste ishin: “Ndjekja e kultit të vlerave tradicionale”, “nderimi i personalitetit njerëzor” dhe “institutit familjar”, “i lirive shoqnore e politike”, “respektimi i të drejtës së pronësisë private”, “i të drejtës së popullit për vetvendosje politike” “karakteri laik i shtetit dhe nderimi i lirisë së ndërgjegjes”, “ndalimi i hakmarrjes politike në kushtet e një tranzicioni politik nga diktatura komuniste drejt demokracisë” etj..

A ka pasur një botëkuptim konservator në Shqipëri në kohën e rënies së diktaturës? Besoj se ka qenë i reduktuar në pjesën më të emancipuar dhe intelektuale të klasës së persekutuar dhe pjesërisht tek iindividë të inteligjencës së formësuar rishtazi: Vetëm ajo pjesë minoritare aspironte sjelljen me vetëdije dhe me saktësi në jetën politike të vendit, të traditave më të mira të harruara nga fshirja, që imponoi diktatura komuniste. Si paraqitej regjistri kulturor i shoqërisë? A e përthithte dot në pararojën politike këtë qëndrim pararojë të së djathtës, shoqëria shqiptare e izoluar dhe e varfëruar në rrënjë? Unë mendoj, se kjo nuk ka qenë e mundur. Sa ndikoi trashëgimia e Mit’hat Frashërit dhe Ernest Koliqit në kristalizimin e një partie të Qendrës së Djathtë në Shqipërinë post-komuniste? Duke qenë një vend i izoluar plotësisht, me një elitë tradicionale të shkatërruar në një masë gati të plotë, Shqipëria e fundvitit 1990 e rifilloi startin e revolucionit për përmbysjen e regjimit komunist, pa një orientim teorik dhe politik të bazuar mbi tradicionin e BK dhe BKI dhe pa një impostim fillestar mbi një reformizëm dhe dekomunistizim të mirëfilltë djathtist. Revolucioni bashkoi një spektër shumë të gjërë të shoqërisë, nga pjesa liberale e shoqërisë tiranase të regjimit, deri tek të persekutuarit politik të desidencës së mirëfilltë, të cilët besuan pak në shndërrimin e mirëfilltë të sistemit.

Reformat vijuan në kahun demokratizues, por ishin në një gjysëm-dimension, shpesh herë të penguara nga rezistenca e një shoqërie të shtypur gjatë 50 viteve nën komunizëm. Vetë përmbysja nuk erdhi për shkak të ngritjes së desidencës së Tiranës, që jetonte ende nën trysninë e goditjeve të pashembullta ndaj familjeve, të cilat jetuan për 50 vite me shpresën e intervencionit britaniko-amerikan. Ishte goditja studentore, një kryengritje e bijve, që po shkolloheshin ndaj prindërve që heshtnin ndaj komunizmit, ajo që solli tronditjen e themeleve të regjimit dhe vendosi piketën e udheheqësisë së partisë përmbysëse.

Gjatë 27 viteve të fundit, pozicionimi si një parti e mirëfilltë e qendrës së djathtë, e ka rifillesën e vet të brishtë në rënien e diktaturës, me themelimin e PD. Por ky pozicionim ka marrë gradualisht konturet e veta teorike dhe praktike. Përpjekja e parë është realizuar në vitin 1992, është ndërprerë brutalisht në vitin 1996 dhe 1997, dhe vetëm pas vitit 2005, linja e qendrës së djathtë solli entuziazëm, shpresë dhe materializim të qëndrueshëm. Megjithatë, qartësia e këtij pozicionimi serish është ndërprerërë nga detyrimi i forcës politike mbartëse dhe aleatëve të saj, për të bërë kompromise me parti të majta, për hir të vijimit të një qeverisje të caktuar, ose për shkak të ashpërsisë me të cilën trashëgimtarja e partisë politike të diktaturës, PS, ka operuar në skenën politike shqiptare.

Qendra e djathtë, ose konservatorizmi, ka qenë alternativa politike ideale ndaj komunizmit dhe socializimit revolucionar në Shqipëri, alternative që nuk u artikulua në të gjithë diapazonin e vet, për shkak të rezistencës  dhe kultur-formimit, në 14 vitet e para pas rënies së diktaturës. Forcat tradicionalisht të djathta, minoritare në Shqipërinë post-komuniste, ishin të formësuara në vatrat familjare me një vetëdije të thellë ndershmërie kombëtare, besonin në institucionet demokratike, si mishërim i dashurisë shoqërore dhe patriotizmit të mëkuar dhe bartur ndër shekuj të vatrat qytetare dhe në familjet tradicionale të spikatura të krahinave. Familja, bashkimi civil, respektimi i besimeve fetare, vllaznia ndërfetare dhe laiciteti i shtetit, albanianizmi, dhe respektimi i ligjit, kundër hajdutërisë dhe krimit, angazhimi për ekonominë e tregut, sipërmarrjen private, lirinë e individit, sundimin e ligjit dhe sovranitetin kombëtar, janë shtyllat kryesore ku ky konservatorizëm mbështetet sot.

Formimi kulturor, prejardhja krahinore, origjina shoqërore dhe niveli i kompromentimit ose i distancës së prerë me shoqërinë komuniste, luajtën një rol të rëndësishëm  përcaktues, jo vetëm në identifikimin e problemit, por edhe në kuptimin e problemit në rastin e Shqipërisë. Për ta sjellë një shembull mbi këtë, do të bëj këtë krahasim: Shkodrën, ish- kryeqendrën e Shqipërisë, me një qytet të ri.

Shkodra, ish kryeqendra ekonomike, kulturore, arsimore e Shqipërisë, përbëhet nga komunitete kulturore dhe sociale, që pësuan shtypjen më të rëndë gjatë diktaturës. Në vitin 1990, kjo kryeqendër, ndonëse e decimuar dhe e shkatërruar në bazamentin e vet shoqërore dhe politik, kishte mjaftueshem një tharm intelektual, për të realizuar përmbysjen e diktaturës në Shqipëri, ta konceptonte edhe me një reformizëm rrënjësor johakmarrës të shoqërisë, institucioneve, dekomunistizimit, europianizimit dhe perëndimizimit. Mirëpo ky nuk është rasti formativ i shoqërisë tjetër urbane ose rurale, të një qëndre tjetër , ku komunizmi u pranua masivisht me, ose pa vetëdije, dhe shoqëria u implikua në bashkëfajësinë shtypëse të pjesës tjetër të vendit. Kësisoj, ngjizja e të gjithë këtyre faktorëve kulturor dhe politik, në një linjë politike konservatore, ka qenë një sipërmarrje e vështirë dhe ka ndikuar në mjaft raste, deformimin e linjës politike, nga shtyllat e mirënjohura të trashëgimisë së etërve të konservatorizimit, që kanë lënë një model: p.sh., Partia  Bllloku Kombëtar Indipendent.

Pra, diferenca kuptimore dhe pozicionuese e qendër-djathtësisë politike, ka qenë e mundshme, mbasi kemi të bëjmë, me një histori politike mjaft të ndërlikuar, me implikim shumë të rëndë të ish- Sigurimit në jetën e individëve dhe familjeve, me një kuptim deri edhe të ndryshëm të albanianizmit, laicizmit shtetëror, kuptimit të demokracisë, parlamentarizmit dhe të qeverisjes.

Ecja graduale drejt përmbysjes u shoqërua me diferencimin social brenda masës revolucionare në vitin 1991-1992, por në asnjë rast, desidencës së mbetur të emigracionit nuk iu mundësua, në mënyrë të heshtur, të përfshihej në jetën politike shqiptare. Përfaqësuesit e tyre brenda vendit, ose u nxitën të iknin, ose u izoluan, ose nga ata u përzgjodhën individët që nuk e patën kapacitetin e mjaftueshëm intelektual për të marrë një pozicion udhëheqës në sistemin politik të vendit. Për rrjedhojë, ecja drejt qendër-djathtësisë politike, ka ndodhur gradualisht, si një proces njohjeje i një pozicioni, që spektri politik shqiptar duhej ta plotësonte për të mirën e vendit dhe për kompensimin e goditjes. Kur njeh shkallën e izolimit dhe shtypjes së shoqërisë, shkallën e implikimit të vendit, e ke të qartë shpjegimin e kësaj dukurie.

Sipas këndëvështrimit tim, në periudhën e tranzicionit nga shoqëria komuniste drejt një shoqërie demokratike me standarde bashkohore, periudhë që unë e konsideroj të papërfunduar, pozicionimi i mirëfilltë në bllokun e qendrës së djathtë, është artikuluar në mënyrë programore dhe në aktivitetin politik të viteve (1992-1996) dhe nga viti 2005 deri në fillimin e krizës së bashkëqeverisjes së PD me një parti minoritare të së majtës, në vitin 2011. Nga viti (2005 – 2011) shoqëria shqiptare filloi të besojë tek ndërtimi i Shtëpisë së Përbashkët të vlerave demokratike, pas një depresioni të gjatë të përvijuar nga disa kriza të thella politike, të rendit dhe të institucioneve, të shkaktuara nga papjekuria e institucioneve të para-demokratike dhe nga agresiviteti komunist i përkufizuar edhe krahinarisht si vijim i sundimit të regjionit ushqyes të pushtetit të Bllokut. Shoqëria shqiptare, në sajë të politikave të ndjekura, pas një momentumi të ringjalljes së shpresës, filloi të besonte sërish tek institucionet shtetërore dhe sociale tradicionale. Për herë të parë në mënyrë koinsistente u implementua një program politik që deklaronte dhe zbatonte angazhimin politik për konsolidimin e ekonomisë së tregut, lirinë e individit, sovranitetin kombëtar dhe sundimin e ligjit, në përmasa serioze, që çliruan individin dhe shoqërinë nga frika e Shtetit të kontrolluar nga oligarkët dhe nga vagabondët politik.

Në këto pesë vite (2005-2011) u duk dhe u ndje, se aventura postkomuniste e Shqipërisë, kishte marrë fund. Mirëpo për shkak të rezistencës së faktorëve social-komunist, devijimit të pushtetit nga kompromiset e detyruara, korrupsionit që erdhi duke u rritur dhe për shkak të deformimit të linjës politike konservatore, ndodhi rënia graduale e besimit të publikut ndaj shumicës politike, e cila u dezintegrua në pranverën e vitit 2013 dhe kështu u hap rruga për ardhjen tinëzisht dhe djallëzisht, të një ekipi politik të rinjsh të Rilindjes Komuniste. Brenda pesë viteve (20013-2018) PSSH e çoi vendin në një kolaps të funksionimit të demokracisë, në shkatërrimin e kushtetutës, të pavarësisë së institucioneve dhe në sundimin e një klike gansgterësh kleptokratë. Socialistët arritën serish të krijonin një Shqipërie vetëm të tyre, sipërmarrje famëkeqë kjo që e ka vendosur vendin në udhëkryq dhe popullin në ikje. Veç një rikompozim politik dhe një rikonceptim i pastër i centrizmit të djathtë, një politikë e desocialistizimit thelbësor të shoqërisë, administratës, drejtësisë dhe diplomacisë, mund ta shpëtojë vendin nga rikonsolidimi i familjes politike, që nga viti 1944, godet dhe shkatërron periodikisht Shtëpinë e Përbashkët të Shqiptarëve.

Panorama 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.