Zgjatet me një vit ligji për "investitorët strategjikë"

Postuar në 01 Tetor, 2018 18:44

Kuvendi shtyu edhe me një vit efektin e ligjit të investimeve strategjike. Zgjatja e afatit i lejon qeverisë që të ftojë biznese të huaja dhe vendase në Shqipëri për të investuar shuma të mëdha, ku në këmbim atyre do t’i ofrohet mbrojte ligjore, shkurtim i procedurave dhe përdorim i tokës shtetërore ose private në bazë të vlerës që do të investohet.
Edit Harxhi, zv/ministër i Ekonomisë dhe Financave njoftoi se vitin e ardhshëm qeveria do të sjellë në Kuvend një ligj të ri, i cili do të unifikojë parimet në ligjin për investitorët e huaj edhe për ata vendas.

“Jemi duke punuar me IFC për shkrirjen në një të ligjit për investimet e huaja me atë të investimeve strategjike duke reflektuar konceptin e barazisë mes investitorëve”-deklaroi Harxhi në Komisionin e Ekonomisë.
Në 3 vite të funksionimit të ligjit të investimeve strategjike, Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë miratimin e statusit të veçantë për 10 investitorë, kryesisht në fushën e turizmit dhe atë të bujqësisë dhe energjisë, ku shumica e bizneseve janë shqiptarë.
Ligji për investimet strategjike u miratuar nga Kuvendi në vitin 2015. Ai i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.

Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.

Pas miraimit të ligjit, me firmën e kryeministrit ka nisur puna për ndërtimin e disa resorteve turistike në bregdetin e Jugut si  “Green Coast” apo “Ionian Oela”.

https://www.zeriamerikes.com/a/albania-investment-turism/4112808.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.