Mbledhja e taksës së pronës nga OSHEE, Shoqata e Bashkive: Agjenti tatimor të caktohet nga Këshilli Bashkiak
Shoqata e Bashkive ka kundërshtuar propozimin që taksën e banesës ta mbledhë OSHEE-ja përmes faturës së dritave. Përmes një letre të publikuar sot në gazetën “Panorama”, shoqata kërkon nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave që vendimin për caktimin e agjentit tatimor për mbledhjen e taksës ta ketë Këshilli Bashkiak. Po kështu vërejtje janë paraqitur edhe për komisionin prej 4% që I shkon OSHEE-së.
Shoqata e Bashkive thotë se komisioni prej 4 për qind për OSHEE-në është i pabazuar në llogaritje reale për shërbimin që do të kryhet. Shoqata e Bashkive i kërkon qeverisë të caktojë në vendim edhe sesi do të veprohet nga OSHEE-ja për rastet kur qytetari paguan energjinë, por jo taksën e pronës që do të ketë në faturë
citon “Panorama” letrën e shoqatës.
Por vendimi për caktimin e një agjenti të vetëm bie ndesh edhe me ligjet për autonominë vendore.
Caktimi i një agjenti qendror për mbledhjen e një takse vendore nuk është në përputhje me synimet për një autonomi vendore dhe decentralizim. Eksperienca ka treguar se përcaktimi i agjentit tatimor, institucion në varësi të qeverisjes qendrore, ka rezultuar problematike për Bashkitë.
Një ndër eksperiencat më problematike është funksionimi i Drejtorive Rajonale Tatimore si agjent tatimor për bashkitë për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël. Bashkive menjëherë iu reduktuan të ardhurat. Agjentët nuk funksionuan si të tillë. Sistemi u fut në një anarshi, kur bëhej fjalë qoftë për llogaritjen, mbledhjen dhe rakordimin e të ardhurave të mbledhura.
Bashkitë i kërkojnë qeverisë edhe trasperencë për komision prej 4 për qind që do të mbajë OSHEE-ja nga arkëtimi i taksës, kur në këtë rast bëhet fjalë për një ent shtetëror. Komisioni për shërbimin e kryer nga agjenti tatimor është i pabazuar në llogaritjen e detyrueshme për koston e këtij shërbimi
vijon letra.
Vendimi për pagesën e taksës së pronës përmes faturës së dritave parashikohet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2019.
Add new comment