Ministria e Jashtme: Nuk do të ketë largim nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik

Postuar në 18 Gusht, 2018 13:17

Është folur shpesh në Shqipëri për anëtarësimin e vendit tonë në Konferencën Islamike, që sot quhet Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Hera e fundit kur pozita e Tiranës zyrtare u debatua në lidhje me këtë organizatë, ishte miratimi i rezolutës turke për Jeruzalemin, që kaloi edhe në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Tanimë Shqipëria ka marrë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit nga Komisioni Europian dhe pret që kjo gjë të konfirmohet edhe nga Këshilli i Europës. Siç është bërë e ditur, janë vënë disa kushte, ndërkohë që nga disa qendra të Europës, si p.sh Austria, apo edhe segmente të politikës gjermane e francize, po vijnë zëra për një ndërprerje të procedurave të anëtarësimit për Turqinë. Presidenti francez Macron apo edhe kancelari austriak, Kurtz kanë folur për një marrëdhënie të veçantë, ndërkohë që politika europiane edhe në raport me Iranin po dallon përherë e më shumë nga ajo amerikane.

Në këtë peizazh ndërkombëtar që ndryshon shumë shpejt, pyetja nëse Shqipëria duhet ta rishkojë apo jo qëndrimin në Konferencë merr rëndësinë e vet të paktën për shqyrtim si opsion, meqenëse statusi i anëtarit në të nuk përputhet me synimet kryesore të Konferencës, në një kohë që Shqipëria ka si aspiratë kryesore hyrjen në BE. Edhe pse pjesëmarrja jonë aty ka qenë formale, nuk është çudi që kjo çështje të tematizohet nga segmente të caktuara të politikës europiane siç edhe ndodhi në vitin 2015.

Për të marrë në përgjigje rreth këtij problemi, ResPublica pyeti pranë Ministrisë së Jashtme nga e cila mori këtë përgjigje:

Ka disa interesa globale që e bëjnë Shqipërinë të jetë pjesë e kësaj organizate, si lufta kundër terrorizimit ndërkombëtar, ruajtja dhe forcimi i paqes globale dhe në rajone sensitive, siç është Lindja e Mesme, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut, lufta kundër çdo lloj diskriminimi: mbi baza etnike, fetare, kulturore etj..

OBI ka statusin e vëzhguesit në OKB, si një organizatë shumëpalëshe ndërkombëtare, dhe është e përfshirë në një bashkëbisedim me BE-në për çështje me interes të ndërsjellë.

Për ato çështje për te cilat nuk kemi dakordësi me qëndrimet e OBI-t, ne kemi shprehur dhe do të shprehim pozicionin tonë mbi baza kombëtare, për çka jemi mirëkuptuar dhe pranuar nga OBI.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektiv strategjik i Qeverisë dhe popullit shqiptar dhe, për çështje te sigurisë dhe politikës së përbashkët evropiane, ne ndajmë qëndrime plotësisht të njëjta me BE

Çka do të thotë se Tirana zyrtare do të vijojë me prezencën si anëtar në një organizatë ku nuk ndan të njëjtat interesa për çështjet kryesore. Po kështu nuk dihet sesi interesat globale për të cilat flet Ministria e Jashtme, mbrohen më mirë duke qenë pjesë e OBI-t, ku bëjnë pjesë vende që I shkelin të drejtat me të dyja këmbët, ndërkohë që BE-ja pretendohet se është klubi ku ato respektohen më shumë.

Kanë kaluar më shumë sesa dy dekada qëkurse Shqipëria u bë pjesë e OBI-t, por nëse mund të kuptohen arsyet e atij vendimi të vitit 1991, sot askush nuk di të thotë ndonjë gjë të qëndrueshme për qëndrimin tonë si anëtar, e sidomos, për rolin tonë aty.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.