Haberi i bazës së NATO-s në Kuçovë/Projekti me turqit daton të paktën para vitit 2014
Në Shqipëri do të ndërtohet një bazë ajrore e NATO-s. Madje vendimin për këtë gjë e paska marrë Këshilli i Atlantikut.
Me këto fjalë në Facebook, kryeministri Edi Rama u bë i gjallë si lajm, në po atë ditë, kur në Kosovë Hashim Thaçi frynte zjarrin e tensioneve duke propozuar korrigjim kufijsh me Serbinë.
Z. Rama nuk ka dhënë ndonjë sqarim më shumë rreth këtij vendimi të NATO-s, ndërkohë që në faqen zyrtare të Aleancës, njoftimet e fundit i përkasin fundit apo mesit të muajit korrik. Këtij lajmi, mediat pranë kryeministrit i kanë bërë yzmetin duke nisur nga puna e përditshme e fantazimit dhe krahasimit, ndërkohë që askush nga të ashtuquajturit ekspertë të sigurisë nuk ka ditur të thotë ndonjë gjë më shumë sesa ajo që shkruajti kryeministri.
Lojën e të paditurit e ka luajtur edhe Partia Demokratike, e cila ka informacionin e duhur për këtë çështje. Nëse i referohemi memories dixhitale të internetit, rezulton se për bazën ajrore të Kuçovës ka patur një projekt të përbashkët me palën turke dhe për këtë gjë madje, është prononcuar në një intervistë për gazetën “Illyria” edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Sipas Kodhelit projekti kishte mbetur i papërfunduar, por ajo zotohej se një gjë e tillë do të ndiqej deri në fund.
Ka një projekt që ka mbetur i papërfunduar. Projekti i përbashkët ashtu siç e edhe ju e thatë me Turqinë, për ta modernizuar bazën e Kuçovës.
Baza e Kuçovës ka disa probleme që vijnë nga vite më parë. Probleme pronësie, probleme të keqmenaxhimit të materialeve, probleme të lënies pas dore të të gjithë atij reparti ushtarak atje. Ka probleme të një inventari të mbetur herët siç janë avionët e vjetër “MIG” që janë përdorur dikur dhe që nuk përdoren më.
Do ta shtyjmë më tej përfundimin e projektit të përbashkët me Turqinë dhe jemi në studim e sipër se çfarë do të ndodhë me këtë pasuri të Forcave tona të Armatosura…
Për qëllime të NATO-s. Ku, NATO të mund të ketë një bazë ku mund të…ulet, të zbresë në raste të një nevoje të veçantë. Pra ka disa qëllime të mira se përse mund të përdoret. Ajo çka është për t’u theksuar në këtë rast me që po diskutojmë për këtë gjë, është që nuk do të lihet siç është lënë deri më sot. Kjo është e sigurtë!
është shprehur ish-ministrja Kodheli në vitin 2014.
Interesi i palës turke për këtë zonë pra është i hershëm dhe mesa duket NATO ka dhënë dakordësinë për financimin, meqenëse të dyja vendet janë anëatre të saj. Nga kjo pikëpamje haberi i z. Rama është i pavërtetë dhe me gjasë një truk i vockël për të qenë lajm në ditën e lajmeve nga Kosova ku po luhej një lojë nervash.
Nga ana tjetër duket se qeveria e z. Rama po kërkon të duket në vijën e parë me shpenzimet e mbrojtjes, meqenëse duam apo nuk duam, në mdernizimin e bazës do të ketë zë edhe Shqipëria e cila vihet sërish nën hyqmin e politikave personale të kryeministrit të vet që po kërkon me ngulm foton e duhur me presidentin e radhës në SHBA.
Add new comment