Një marrëveshje e dytë, vdekjeprurëse për PD-në

Postuar në 01 Gusht, 2018 03:21

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot gjatë një interviste në emisionin “Përballë” në RTSh dy nisma që ai synon t’i materializojë në muajin shtator: së pari janë ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar, siç tha ai “pas një analize të thellë dhe një bilanci” dhe së dyti është oferta që do të vihet në tavolinë për opozitën. Për këtë të dytën z. Rama ndër të tjera tha:

Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem. Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa, rikthim mbrapa te reforma në drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji vettingut nuk ka për të patur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi

Të dyja propozimet janë të ndërlidhura vetëm me zgjedhjet lokale që po afrojnë dhe me një përmirësim imazhi në funksion të negociatave. Nga kjo pikëpamje z. Rama po kërkon përmbushjen e fitores së zgjedhjeve, përmes ofertave taktike për opozitën që e miklon sërish me atë që ka në dorë: poste ministrash.

Po të shihet paragrafi i cituar prej tij është e qartë se z. Rama nuk negocion asnjë nga kërkesat e PD-së për reformën në drejtësi dhe i thotë “Jo” gjashtë pikave të z. Basha që kërkoi korrigjim të asaj që është bërë së fundmi gabim me reformën. Nuk është vetëm kjo arsyeja që opozita duhet t’i qëndrojë larg ofertave të z. Rama. Kushdo e kupton se ato janë oferta që synojnë qetësimin e stresit të qeverisjes që ka jo pak probleme. Z. Rama po luan sërish kartën e vitit 2017 nga e cila përfitoi jo pak.  Por me dallimin se oferta e tij është e papranueshme sepse ofron shumë pak, sado e lartë që të jetë.  Edhe sikur me të ofrohet Pazari i radhës me spastrimet që po provokon Vettingu, kjo marrëveshje do të ishte vdekjeprurëse për PD-në.   

Do shpresuar që z. Basha nuk do e bëjë edhe këtë gafë por do të tentojë zgjedhjet lokale me forcën e vet, pavarësisht se sot kanë nisur t’i kujtojnë dorëheqjen, po ata njerëz që lodhen e çlodhen nga politika si të kurdisur. PD-ja – edhe kjo që është kështu si është - ka të gjithë të drejtën dhe argumentin që ta kundërshtojë atë, qoftë edhe duke respektuar vullnetin e shqiptarëve që pranuan zgjedhjen e një Timonieri të vetëm. Le ta çojë ai Shqipërinë drejt përfundimit të mandatit, le ta lëmë z. Rama të Bashkëqeverisë me shqiptarët derisa kontrata e tij të përfundojë.  Është edhe rruga më e ndershme për të gjithë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.