Shqipëria 2018, një dyqan ku na kërkohet të jemi thjesht Blerës
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, konfirmon të gjitha kritikat dhe akuzat që janë bërë ndaj qeverisë në vitin që lamë pas. Në përmbledhjen e bërë, DASH flet për korrupsionin, administratën e korruptuar, ndryshimet e shpeshta legjislative dhe për të drejtën e pronës që është e pagarantuar. Në raport thuhet qartë se ndaj investitorëve të huaj ka patur presione që të lidhen me nënkontraktorë që kanë lidhje politike të forta, ndërkohë që shtimi i kontratave të formës së Partneritetit Publik Privat, që kaq shumë mbrohet nga qevria e z. Rama, thuhet se kanë goditur konkurencën.
Nga një panoramë e përgjithshme rezulton se Shqipëria formalisht, në aspektin legjislativ, është një ekonomi tregu, por në të cilën tregu diktohet nga politikat e qeverisë, aq sa ai kontrollohet. Në raport përmendet p.sh edhe Autoriteti i Konkurencës por i cili nuk ka asnjë fuqi reale. Vitin e kaluar Autoriteti u detyrua, edhe pas presionit të medias, të pranonte situtanë oligopol në tregun e sigurimeve, por asgjë nuk ka ndryshuar, përveç largimit të drejtueses së AMF-së për arsye që ende janë disi të paqarta.
Po dje, Partia Demokratike i bënte jehonë një raporti tjetër, atij të Gjykatës Europiane të Auditit, sipas të cilit rezulton se 1 në çdo 3 tendera jepen pa garë. Pra paraja publike në Shqipëri administrohet përtej rregullave për të cilat është rënë dakord. Është fjala për 250 milionë euro që janë dhënë pa garë dhe këtu nuk po përmendim aferën e Teatrit Kombëtar ku përfliten në një dorë 200 milionë euro.
Në një vend si Shqipëria, shifra të tilla prishin balancat dhe ristrukturojnë hierarkitë. Por mbi të gjitha ato prekin në themel sistemin që bazohet te konkurenca dhe liria ekonomike. Qeveria e z. Rama ka lëshuar dorën e konçesioneve duke ofruar për kompani private shërbime deri më tani publike, për afate që shkojnë deri në 20 vjet, me klauzola shumë favorizuese. Kujtojmë këtu koncesionin e kontrollit mjekësor bazë, që i faturon kompanisë së zonjës Vilma Nushi para për çdo vit, pavarësisht sesa është numri i personave që marrin shërbimin.
Praktika të tilla ndiqen edhe në sektorë të tjerë. Sektori minerar p.sh është shumë i errët dhe zgjatja e afatit për konçesionin e kromit që menaxhohet nga kompanitë e Samir Manes, u bë pa ndonjë arsyetim real. Z. Rama dha me konçesion rrugën Durrës-Kukës për kompaninë “Kastrati” me një afat 30 vjeçar dhe me klauzola avantazhuese, thuajse monopolozuese mbi aksin në fjalë në të cilin subjekti privat imponon rregulla për çdo gjë. E njëjta kompani pritet të marrë edhe aeroportin e Kukësit që e bën raportin e saj me qeverinë sipas parimit monarkik: Kukësin ta kam dhënë ty. E ke ti në patronazh.
Merret lehtë me mend se me çfarë kundërshpërblehet kjo dhuratë, pasi ne e dimë që politika përveç parave është përherë në nevojë për kapitalin elektoral.
Mund të vazhdohej gjatë me listën e kontratave me ndikim në buxhetin e shtetit, që janë lëshuar në këtë formë për kompani të cilat kanë qenë klientë të qeverisë që shkoi dhe vazhdojnë të jenë klientë të kësaj qeverie. Shumë prej tyre janë kompani kryesore në tregun përkatës dhe në përgjithësi, logjika e do që një qeveri që mbron interesin publik, sidomos një qeveri e majtë, do të synonte diversifikimin e tregut dhe jo likujdimin e tij, apo kalimin e tij në një dorë të vetme. Të njëjtat kompani shfaqen kudo, edhe në sektorë si ndërtimi, apo në investimet srategjike.
Nga një analizë sipërfaqësore e kontratave konçesionare që janë lëshuar këto vite, mund të konkludohet se z. Rama ka siguruar mbijetesën dhe fuqizimin e këtyre subjekteve që janë bërë me ndihmën e tij administratorë të shërbimeve publike. Pra të parasë publike, diçka që do të shqetësonte seriozisht çdo politikan që është në detyrë për të bërë diçka për vendin. Këto janë kompani që sigurojnë kontrata dhe para nga qytetarët shqiptarë, por për të cilat ne nuk dimë gjë realisht sesi është bilanci i tyre. Nëse do të shohim klauzolat e tyre, do të vihet re se ato janë monopolizuese dhe në kushtet e një tregu të vërtetë, këto dokumente do të ishin kundërshtuar me forcë. E kundërta ndodh në Shqipëri, pikërisht sepse nuk ka treg dhe kompani të reja nuk lejohet të krijohen dhe iniciativa e lirë shkurajohet me çdo mënyrë.
Një shembull që ndihmon për të kuptuar kritikën e SHBA-së në këtë drejtim – kritikë e cila është përsëritur vazhdimisht nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë – dhe që ndryshon shumë edhe nga qëndrimet e BE-së, është rasti i Amazon. Kompania e Jeff Bezzos po vendos dominimin global, me fitime që rriten shumë shpejt. Nëse do të shohim shifrat e fitimeve dhe përshtypjen për kontrollin e saj në treg, mund të mendohet se Amazon po i afrohet kufijve të ligjit antitrust që imponon ndarjen e kompanisë me synim shmangien e situatës monopol. Në një shkrim në Forbes vihet në dukje pikërisht kjo gjë. Por ajo që është për t’u shënuar është fakti se Amazon është, sipas kritereve ligjore, shumë larg të qenit një monopol. Sipas shifrave ajo kontrollon vetëm 5% të rrjetit të shitjeve në SHBA, 1% në shkallë globale dhe mendohet se këto të dhëna në vitin 2020 do të shkojnë në 10% në SHBA. E megjithatë për Amazon “ka një mendim se është e pandalshme”. Që gjykatat amerikane të vihen në veprim duhet që ajo të kapë 50% të tregut të shitjeve dhe të vërtetohet sjellja e saj monopol, duke ndaluar të tjerët që të ofrojnë në treg produkte dhe shërbime. "Forbes" vëren se Amazon nuk e manifeston këtë sjellje, por ajo është e orientuar drejt përmirësimit të shërbimeve.
E megjithatë autori i shkrimit thotë se SHBA dhe Presidenti amerikan duhet të ndërhyjnë për të ndarë kompaninë në pesë kompani për t’i hequr kapacitetin e saj konkurues si korporatë. Konkurenti kryesor i saj është "Walmart", një tjetër emër shumë i njohur, por që nuk duket se po ecën në ritmin e Bezzos, ndonëse ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për diversifikim produktesh me "Microsoft".
Sipas autorit, nëse Trump fiton një mandat të dytë, ai mund të bëjë presion mbi Kongresin dhe Gjykatat që të rishikojnë qëndrimet dhe madje të adoptohen ligje të reja që do të mundësonin goditjen e Amazon, për arsyen e thjeshtë se rritja e përshpejtuar e saj godet stabilitetin e tregut dhe shkurajon operatorët e tjerë.
Shembulli ngjan i largët nisur nga fakti se flasim për treg shumë të madh dhe ku funksionojnë rregulla të vërteta. Por modeli nuk është I vështirë për t’u kuptuar: asnjë qeveri e përgjegjshmëe nuk mund të lejojë që kompani që krijojnë situate monopol të vijojnë të qëndrojnë si monarkë të tregut. Ato duhen goditur si një formë e diskriminimit pozitiv për mbijetesën e tregut dhe sistemit. Këtë gjë në Tiranë e kuptojnë shumë mirë, s’do mend. Thjesht në një vend ku konkurenca është parim i refuzuar në çdo qelizë, edhe në ekonomi ajo nuk lejohet. Qeveria e z. Rama nuk ka për të patur ndonjë raport pozitiv sa kohë që po nxit krijmin e një ekonomie të mbyllur, në krye të të cilës është po ajo duke shpërndarë kontrata, aksionerët e të cilave nuk i njohim asnjëherë dhe ku publikut i refuzohet jo vetëm aksesi, por edhe investimi në formën e bursës. Të dyja kanë si parakusht transparencën, diçka që është kaq e huaj për këtë qeveri. Dhe e cila preferon që ne jo të investojmë, por thjesht të blejmë.
Add new comment