Pilulat e lumturisë…

Postuar në 30 Korrik, 2018 13:43
Agim Baçi

Në librin “Mendja e robëruar” nobelisti Çesllav Milosh rrëfen për librin e shkrimtarit dhe filozofit polak Stansilav Vitkieviç, “Pangopësia”, botuar në vitin 1932. Në këtë libër, heronjtë e Vitkieviçit janë njerëz fatkeq: ata nuk besojnë në asgjë dhe gjithçka që bëjnë u duket krejt e pakuptimtë. Ndërkohë, një atmosferë e tillë absurditeti dhe paralize ka pllakosur krejt vendin. Pikërisht në këtë kohë, nëpër qytete të ndryshme, të pushtuara nga kjo atmosferë absurde, shfaqen tregtarë shëtitës të shumtë, të cilët shesin fshehtazi pilulat Murti-Bing.

Emrin e kanë marrë nga një filozof mongol, që paskësh gjetur mënyrën për të përçuar botëkuptimin e tij në rrugë biologjike. Ky botëkuptim, që përbënte forcën më të madhe të ushtrisë kino-mongole, ngërthehej në mënyrë tejet të koncentruar në ato pilula. Çdo njeri që i përdor ato, transformohet; ai gjen qetësinë shpirtërore dhe lumturinë. Problemet që e shqetësonin më parë i duken papritmas gjëra të kota, të parëndësishme. Ai veç buzëqesh plot zemërgjerësi me ata që ende vazhdojnë e merren me të tilla probleme, sidomos ato pikëpyetje që kanë të bëjnë me vështirësitë e pakapërcyeshme të ontologjisë…

Kushdo që gëlltit pilulat Murti-Bing, fiton imunitet ndaj çdo tundimi për vramendje metafizike. Kërkimet në fushën e artit ai i shikon si budallallëqe… Një situatë e tillë, e parashikuar nga Vitkieviçi, duket se shfaqet në shoqëritë e sotme, sikundër dhe në të gjitha ato shoqëri ku pikëpyetjet ontologjike janë gjithnjë e më të lëna pas dore apo të papërfillshme për të qenë pjesë e zgjidhjes së problematikave që shfaqen. Në një shoqëri të tillë duket se je vetëm përpara dy alternativave: ose duhet të vdesësh fizikisht apo shpirtërisht, ose duhet të rilindësh sipas metodës së Murti-Bing-ut, me pilula lumturie dhe indiference.

Përndryshe, nëse nuk zgjedh një nga dy alternativat, shoqëria do të shohë si një fantazmë që bredh nëpër qytet, ku ai që nuk pajtohet më kotësinë, ai do të ndihet shumë shpejt i mërguar edhe në atdheun e tij. Sepse shmangia e pyetjeve ontologjike, e sidomos mënjanimi i fuqisë së besimit fetar në jetën e përditshme, shkakton më pas kotësinë e akademikëve, filozofëve dhe shkrimtarëve- pra, mendimit në përgjithësi. Në vend të tyre lulëzon vetëm lloji i “intelektualit që përshtatet”. Për këtë kontribuon direkt spektakli që zë vendin e çdo mënyre të menduari dhe të debatuari në shoqëri.

Një intelektual i tillë, i ngërthyer me spektaklin e gjithanshëm, nuk denjon të kalojë kufirin e kërkesave dhe nevojave fiziologjike. Sepse Murti-Bing-u modern është ushqimi i përditshëm përmes propagandës, që krijon realitetin e ri, ku nuk është më e rëndësishme ajo që ti sheh, por është e rëndësishme ajo që të thonë se duhet të shohësh. Filozofi amerikan Noam Çomski thotë se beteja në këtë realitet nuk është më kërkimi i llogarive ndaj të zgjedhurve, ndaj drejtuesve lokalë apo qendrorë, por vetëfajësimi që qytetarët i bëjnë vetvetes për atë që nuk arritën dot.

Pra, qytetarët vetëfajësohen se nuk ishin më të zotët të shfrytëzonin shansin që iu dha në punë, që iu dha përballë të tjerëve për të marrë gjithçka që u ka parë syri. Inkurajimi i injorancës për të mos u fshehur më, por të dalë lirisht për të konkurruar në çdo fushë mendimi apo vendimmarrje e bën të mundshme pilulën e Vitkieviçit në ditët e sotme. Pilula ka garancinë te largimi gjithnjë e më shumë i qytetarit nga të menduarit në mënyrë të pavarur e, sidomos nga të menduarit në mënyrë historike.

Pilulat e komunikimit të sotëm janë për një mendim të shpejtë dhe pa fakte, pa përfillur të vërtetat historike, e aq më pak të vërtetat shpirtërore. Nga ana tjetër, gjithçka shoqërohet me idenë se rendi ku jetohet është një rend normal e nuk ka pse dikush të habitet me atë që ndodh me të dhe me miqtë e tij. Në Shqipëri, e shkuara 50-vjeçare në diktaturë, ku njerëzit “urdhëroheshin të paraqiteshin në publik si të lumtur”, ka rrezikuar që nga viti 1990 të shoqërojë mënyrën tonë të mendimit dhe të gjykimit, edhe pse që atëherë kanë ndryshuar marrëdhëniet në prodhim, në familje e në shoqëri.

Zhgënjimet në liri të njeriut të edukuar në diktaturë – ku ai urdhërohej për lirinë, sjelljen, gëzimin e mendimet që duhej të kishtejanë kthyer në një magazinë dekurajimi gjatë gjithë këtyre viteve. Arti i fshehjes së ndjenjave, që dikur arrinte majat më të larta, ka trashëguar artin e përshtatjes së pafundme, duke udhëhequr njerëzit në një humbje të sensit të mendimit ndryshe, të humbjes së besimit se ballafaqimi është i shëndetshëm për të gjetur një rrugë sa më të mirë për veten dhe të tjerët.

Ndërkohë që entuziazmi i urrejtjes së vazhdueshme monitorohet nga disa institucione, që me mosveprimin apo fshehjet e tyre shkaktojnë futjen në një thes të të ndershmit dhe të pandershmit, të të drejtit dhe të padrejtit, me qëllim që askush të mos dënohet e që urrejtja t’i përfshijë të gjithë. Përmes urrejtjes, mekanizmi i udhëheqjes bëhet më i lehtë, pasi admiruesit përmes urrejtjes janë aplikuesit dhe mbështetësit e parë të dhunës.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.