Përmbytja e bibliotekës, drejtoresha Persida Asllani rikonfirmon: Fajin e ka godina
Biblioteka Kombëtare është përmbytur për shkak të gjendjes së saj së rënduar. Kjo është ajo çfarë raporti i inspektimit të Institutit të Ndërtimit vëren dhe që sipas drejtoreshës së Bibliotekës, Persida Asllani konfirmon në mënyrë profesionale inxhinierike, atë për të cilën specialistët e Bibliotekës Kombëtare kanë tërhequr vëmendjen prej kohësh: mbingarkesën shumë të madhe të hapësirave depozituese të librave, pamundësi për t’i shërbyer dhe kujdesur siç duhet.
"Në raport bëhet e qartë amortizimi për shkak të vjetërsisë dhe disa specifika nga këndvështrimi i sotëm mangësi që në projekt të kësaj ndërtese në lidhje me hidroizolimin apo me elementë të tjerë të qendrueshmërisë së strukturave. Me sa kemi kuptuar në këtë raport vjen dhe një sqarim i natyrës gjeologjike të strukturave të zonës në të cilën flitet për një ngritje të konsiderueshme të nivelit të ujrave nëntokësore. Gjithashtu në këtë raport por dhe nga informacionet që ne kemi marrë paralelisht, në periudhën që ka ndodhur depërtimi i ujit në nivelin 2-3 cm në sallën që është në kuotën më të ulët nëntokësore të Bibliotekës Kombëtare, në atë periudhë kemi të bëjmë me një intesitet të reshjeve jashtë mesatares", deklaroi drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare.
Asllani bën me dije se bashkë me specialistë të Institutit të Ndërtimit po punojnë që të marrin masa, që të mos përsëriten situata të ngjashme në të ardhmen e afërt.
"Për sa i përket një zgjidhjeje me natyrë afatgjatë, ajo tashmë mendoj se është e qartë për të gjithë, thjeshtë rikonfirmojmë atë qe kemi thënë prej kohësh një Bibliotekë e re Kombëtare është zgjidhja e duhur afatgjatë, një bibliotekë e re zgjidhjet teknike dhe profesionale të jepen që në projekt dhe mos të rrimë vazhdimisht të arrnojmë po të risistemojmë një problem që na shfaqet. Është po aq e domosdoshme nevoja e themelimit të bibliotekës së qytetit të Tiranës", tha Asllani për mikrofonin e "TemA Tv".
Ajo flet edhe për kthimin e hapësirave publike private Bibliotekës, një premtim i bërë kohë më parë nga Ministrja e Kulturës, por që sipas saj, nuk e zgjidh problemin real.
"Me sa di unë vazhdojnë të jenë tratativa të natyrës juridike por dhe ekonomike dhe gjithsesi nuk janë zgjidhja reale e Bibliotekës Kombëtare", tha më tej drejtoresha.
Asllani nuk mund të flasë konkretisht se kur mund të fillojë rikonstruksioni i Bibliotekës aktuale, apo ndërtimi i një Biblioteke të re Kombëtare, por ripohon se zgjidhja e vëretë është ndërtimi i një Biblioteke Kombëtare.
Intervista e plotë e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani për "TemA Tv"
Add new comment