Plani holandez, plani francez...kursi i Harvardit*
Disa kolegëve të mi, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, forum ky që i kontribuon përmirësimit të strategjive diplomatike të vendit në shërbim të interesave kombëtare, u kishte tërhequr me të drejtë vëmendjen një fakt i çuditshëm: Gjithë ambasadorët, aktualisht shefa të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në vende të ndryshme, urdhëroheshin t’i nënshtrohen pa përjashtim një “kursi” online për t’u provuar dhe pajisur “kultura e munguar” me dije mbi diplomacinë ekonomike. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja se më në fund qeveria paska gjetur zgjidhjen fatlume, mekanizmin e duhur, përmes një niveli të ri organizimi, pas konstatimit se ambasadorët kanë dije të pamjaftueshme të kësaj diplomacie. Kësaj i thonë, siç thotë populli: “o Çeço të hëngërt tenja, e ke të keqen brenda”.
Në këtë shkrim nuk do të ndalemi se si e qysh emërohen ambasadorët, pasi nuk është ky objekt i këtyre radhëve, por tek ajo çka tërheq më shumë vëmendjen nga nisma e mësipërme. Duket dikujt i shkrepi në mendje: t’i fusë në një vathë tërë ambasadorët dhe mënyra më e mirë – t’i bëjë kursantë. Kështu, me një gur vret dy zogj: Së pari, i vë ata në rresht, duke u hequr çdo autoritet tjetër për t’i shndërruar në ushtarë të thjeshtë e të bindur. Së dyti, kthimi në studentë i bën ambasadorët të kalojnë apo të mos kalojnë klasën dhe u jep dorë vendimmarrësve të justifikojnë nesër, sipas midesë apo qejfprishjes, heqjen e atyre që i kanë “zhgënjyer”.
Ambasadori, siç është e njohur, ka një rol të pazëvendësueshëm sepse është përfaqësuesi më i lartë i shtetit të vet në vendet ku është i akredituar, koordinatori numër një i strategjisë së marrëdhënieve midis vendeve. Dhe ti si qeveri duhet ta njohësh e para realisht këtë rol. Në rast se nuk bëhet zgjedhja e duhur e tyre, por emërohen miq të Iksit apo Ypsilonit, militantë të partisë në pushtet, si të ishte diplomacia strehë partiake, dihet ç’do të korrësh. Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk i mungojnë kapacitetet intelektuale, madje personalitete në fusha të ndryshme, por… që kanë një “mungesë” të madhe: nuk u bëjnë fresk titullarëve. Apo, siç e thotë bukur një diplomat e poet i njohur në mjaft vende të botës, i ngujuar prej shumë vitesh në këtë Ministri dhe i ndaluar për jashtë vendit, këtyre kapaciteteve mund t’u buzëqeshte fati, sikurse ka ndodhur dhe me të, nëse: “…do të kish në shtëpi jo hartë Shqipërie, por vetëm sepete, sikur një copë lumi, deti e toke t’i vidhja për vete… sikur të isha apostull hileje, kurvërie, harbimi…”.
Ky mosvlerësim e nëpërkëmbje e ambasadorëve në çfarëdo forme që shfaqen, doemos do të merrnin dhe trajtat që përmendëm të kursantit, të studentit, që e kalon ose nuk e kalon klasën. Pyetja tjetër që të lind pas kësaj: Po a është vetë qendra aq e ndriçuar për të vlerësuar ambasadorët tanë, kur mungesat e diplomacisë ekonomike janë të pranishme te vetë ajo? Ku e gjetën këtë diplomaci ministrat, anëtarë të qeverisë, që drejtojnë dikastere të rëndësishme me fakultete të Gjuhëve të Huaja apo degëve të tjera e kurrsesi me atë të Ekonomisë? Në të vërtetë, ky komision apo çfarëdo emri tjetër që do t’i vësh, është një grup inekzistent qendror, i veshur me emra afatshkurtër, që çdo diplomat i ka kaluar disa herë në kurset e veta.
Atëherë, a mund të jenë kursantë të tillë, bie fjala, ambasadorët tanë në Pekin, në Londër, Uashington, Tokio e gjetkë, të cilët kanë drejtuar sektorë të rëndësishëm, duke veçuar atë të ekonomisë? Këta dhe të tjerë i kemi parë gjithashtu jo rrallë si panelistë, ku kanë referuar me kompetencë përvojën e tyre para një audience ambasadorësh më pak të kualifikuar. Sot, po këta i fut tashmë në një sallë kursantësh. Ç’qëllim tjetër mund të ketë kjo, përveç depersonalizimit, poshtërimit të tyre? Cili “instruktor” do t’i “instruktojë” ata dhe “kursantët” e tjerë ambasadorë? Pra, ky brumë është në të vërtetë aty, mes ambasadorëve. Atëherë, ku kërkohet ai? Dikush mund të thotë pas kësaj se “janë instruktorët e Harvardit”. Thjesht kjo, për të mbyllur gojën. Çuditërisht, kështu bëhet gjithnjë për të justifikuar, për mendimin tim, projekte hileqare. A nuk është kjo e njëjtë me çka kemi dëgjuar e dëgjojmë deri sot për “planin francez”, për “planin holandez”, “arkitektët danezë”…? Me siguri dhe këtij kursi do t’i vishet petku “është kursi i Harvardit”. Por, po këta ambasadorë dhe të tjerë e kanë kryer këtë kurs, madje jo me këta “stazhierë” që vinë rrotull korridoreve të Kryeministrisë dhe ministrive, por me profesorë me dy pëllëmbë mjekër në Boston, ku është Harvardi i vërtetë apo në Oxford dhe universitete të tjerë me shumë emër.
Dhe në fund. Nuk e di nëse këta ambasadorë kanë ulur kokën dhe kanë pranuar të bëjnë detyrat e këtij kursi të çuditshëm apo e kanë refuzuar atë. Por ajo që duket açik e nuk ka nevojë për shumë komente, mendoj se është përpjekja e ulët depersonalizuese dhe heqja e çdo autoriteti edhe këtij segmenti që i kishte mbetur një fije erzi dhe dinjiteti, sikurse janë ambasadorët. Qëndrimi ndaj këtij kursi është gur dinjiteti. Me sa duket, ky është vetingu për ta; depersonalizim dhe shkarkim apo lirim nga detyra.
Pse e themi këtë? Sepse në qoftë se qeveria do të dëshironte përmirësim real të punës në diplomacinë ekonomike, e ka fare të thjeshtë: mjafton të matë performancën e çdo ambasadori dhe të trupit diplomatik të ambasadës që ai drejton. Publikimi i një raporti për kapacitetet e diplomacisë ekonomike, se kush e ka vlerësuar dhe kush jo këtë të fundit, pas dy takimeve që u bënë për këtë qëllim vitin e kaluar me shefat e misioneve diplomatike, do të ishte fare normal. Çdo nismë fillon me gjendjen ekzistuese. Kështu, do të kishim një vlerësim real të vetë shërbimit diplomatik si pasuri kombëtare në tërësi dhe aq më tepër të ambasadorëve, pa u stisur kurse atyre si ai që u ndalëm në këtë shkrim, që kurrsesi nuk i respekton, por i nëpërkëmb ata.
Burimi: Panorama
*Titulli i ResPublica
Add new comment