Koha që kompania “Fusha” të sqarojë publikisht projektin e vet
Dje kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka deklaroi në formë premtimi se kullat që do të ndërtohen në zonën ku ndodhet Teatri Kombëtar do të shemben në zbatim të një ligji të amenduar AntiMafia.
Z. Basha iu përgjigj një apeli të një dite më parë të studiuesit Aurel Plasari që e kushtëzonte sinqeritetin e PD-së në këtë kauzë me këtë premtim.
Situata e krijuar nga qëndrimi më i ri i PD-së e zhvendos protestën në një aspekt juridiko-penal që tanimë ka të bëjë kryesisht me kompaninë që ka propozuar projektin në zonën në fjalë. Kompania “Fusha” akuzohet pra sot nga opozita parlamentare shqiptare se ajo po bëhet pjesë e një zinxhiri ekonomiko-financiar që do të hetohet dhe që lidhet me afera mafioze. Për çdo kompani një akuzë e tillë do të ishte shumë e rëndë. Për çdo bankë që operon në Shqipëri kjo akuzë duhet normalisht të bllokojë çdo operacion financimi.
Për një ekonomi të integruar në bursë, një mesazh i këtillë do të trondiste bilancin e kompanisë dhe me gjasë do ta zhvlerësonte atë.
Por edhe në kontekstin e tanishëm, pra atë pa rregulla siç është Shqipëria, akuza të tilla do të stepnin çdo kompani serioze. “Fusha” duhet të ishte duke rimenduar projektin e vet, pasi nuk ka asnjë qeveri që të garantojë suksesin e realizimit të tij që do të kërkojë disa vite.
Për të gjitha këto arsye protesta me stadin e ri që ka arritur përbën sukses në aspektin se sforcon biznesin që qëndron në heshtje dhe ngjan deri më tani si mashë e këtij operacioni ku po bie si viktimë godina e Teatrit Kombëtar.
Me ligjin anti-Mafia nuk hetohen vetëm paratë dhe qarkullimi i tyre. Me të duhet të shtrohet me forcë pyetja: cila është ajo kompani që ndërton projekte pune dhe plane biznesi mbi një supozim kaq teorik siç është kërkesa që pjesa më e madhe e truallit të investimit të jetë pronë publike e për të cilën do të duhet në çdo rrethanë një ndërhyrje shumë komplekse?
Është koha që kompania të japë disa sqarime për publikun, të publikojë projektin dhe të përgjigjet për dyshimet dhe akuzat që po ngrihen.
Biznesi është aty për të fituar, padyshim. Por biznesi nuk mund të kuptohet në luftë me komunitetet. Nuk është as fitimprurëse dhe as e mençur. Dhe nuk është zgjidhje serioze as edhe heshtja e kompanisë apo mbrojtja e saj indirekte përmes mediave pranë qeverisë që më shumë sesa avokati ndaj projektit, thjesht luajnë lojëra dhe intriga të vetat me pushtetin.
Add new comment