PD: Harta e pazarit Rama-Fusha
Refuzimi i kryeregjistruesit të Tiranës për të dhënë informacion mbi statusin e zonës ku qeveria kërkon t‘i falë kompanisë Fusha një sipërfaqe të konsiderushme prone publike mbi të cilën do të ndërtohen disa kulla sipas Partisë Demokratike është një përpjekje për t’i fshehur publikut aferën që lidh kryeministrin Rama me biznesin e ndërtimit.
Ky plan ka marrë vëmendje publike për shkak të vendimit të qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar në funksion të ndërtimit të kullave. Qeveria pretendon në projektligjin e posaçëm se kompania Fusha, e cila zotëron një sipërfaqe prej 298 metrash katrorë në zonën pas Teatrit, është e justifikuar pasi konsiderohet si pronare kufitare.
Por përmes një harte mbi statusin kadastral të zonës, PD thotë se Kompania “Fusha” ka në pronësi të saj vetëm 298 metra katrorë jo kufitarë me Teatrin, ose thënë ndryshe më pak se 3 përqind të të gjithë sipërfaqes që qevria kërkon t’ia falë me ligj.
“Mashtrimi i Parlamentit me ligj nga kryeministri është një fakt i mjaftueshëm që çdo prokurori e pavarur dhe e pakontrolluar politikisht do të merrte sot në ndjekje penale Edi Ramën dhe çdokënd që ka mbrojtur këtë mashtrim skandaloz, duke përfshirë Erion Veliajn dhe Mirela Kumbaro”-thuhet në deklaratën e deputetes Albana Vokshi.
Sipas Partisë Demokratike plani i kryeministrit është i hershëm dhe i mirëmenduar, ku me kullat tek Teatri do të përfitohenj të paktën 205 milionë euro. Opozita i quan fakte të mjaftueshme që presidenti të mos e dekretojë ligjin e miratuar me urgjencë në kuvend.
Add new comment