Për çfarë po negociohet dhe kush po negocion realisht?
Prej ditësh tashmë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka nisur atë që po quhet negociata me artistët për teatrin kombëtar. Veliaj nuk ka shkuar në propozimet e veta më larg sesa ajo që tha kryeministri Rama disa muaj më parë kur në një takim me një përfaqësi artistësh tah se sipërfaqja e teatrit të ri trefishohet krahasuar me godinën ekzistuese dhe se mbi të nuk do të ketë kullë.
Këtë gjë e përsëriti sërish Veliaj dje, duke shtruar në tryezë një propozim që duket se është final dhe nga I cili nuk mund të lëvizet.
Qeveria propozon prishjen e godinës ekzistuese duke argumentuar se ajo nuk mund të rikonstruktohet dhe se është e tejkaluar. Në mbështetje të këtij pozicioni ajo ka një firmë të Institutit të Ndërtimit, agjenci kjo në varësi të qeverisë dhe po mbledhe përditë e më shumë opinione artistësh që janë të përvëluar për një godinë të re.
Është e lehtë të kuptohet se lufta mes dy palëve po zhvillohet në pozita jo të barabarta dhe në mungesë ndershmërie e transparence. Edhe sikur të pranojmë se një pjesë e artistëve që kundërshtojnë prishjen e teatrit, janë njerëz të PD-së, sërish pozicioni I tyre është më koherente në raport me interesin publik sa kohë që qeveria nuk vë në dispozicion asnjë informacion për projektin. Jo vetëm kaq, por ajo ka shpërfillur procedurat e konkursit, të cilat formalisht I aplikoi edhe për një projekt personal të Edi Ramës siç është ai për sheshin “Skënderbej”.
Por negociata ku është përfshirë z. Veliaj ka edhe disa aspekte juridike të cilat zbardhin të vërtetën e të ashtuquajturit “propozim I kompanisë “Fusha sh.p.k”. Z. Veliaj është ulur në tryezë me artistët ndërkohë që ka një projektligj të propozuar dhe të hedhur për konsultim publik që parashikon zhvillimin urban të zonës dhe ndërtimin e një teatri të ri kombtëar. Projektligji sanksionon pra prishjen e godinës ekzistuese, ndërkohë që në të gjitha dispozitat e tij, ai ndërtohet mbi një raport negociimi mes propozuesit që është Fusha sh.p.k dhe një Komisioni të Negociimit që përbëhet nga Ministria e Drejtësisë, e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e Kulturës, Avokatura e Shtetit, Teatri Kombëtar dhe që drejtohet nga Bashkia e Tiranës.
Në nenin 5 të projektligjit thuhet qartë se:
Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit
Pra ky komision i cili nuk është ngirtur ende ka për detyrë të negociojë me kompaninë e cila ka paraitur një propozim. Siç shohim, e kundërta po ndodh. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës po negociojnë me artistët duke dhënë garancitë e tyre se ku do ketë kullë dhe ku jo, sesa do të jetë sipërfaqja e teatrit të ri dhe madje si është projekti për të. Komisionit i janë dhënë të drejta për vlerësimin dhe tjetërsimin e pronave shtetërore për këtë projekt duke e bërë atë një organizëm të përkohshëm të paprecedentë në dekadata e fundit.
Përveçse propozimi i kompanisë “Fusha” nuk publikohet, e çuditshme është sjellja e qeverisë dhe e kryetarit të Bashkisë që e quajnë atë të negociueshëm në çdo formë, sa kohë që mbrojnë një variant të caktuar. Çka shpjegohet vetëm me një mënyrë: propozimi i kompanisë është formal dhe bashkërenduar me qeverinë dhe në këtë rast kompania vetëm sa vendos emrin dhe merr paratë. Nuk dihet se çfarë do të negociojë Komisioni pasi të ketë kaluar ngërçin me artistët, nëse propozimet me të cilat del z. Veliaj sot pasqyrohen në propozimin origjinal. Nga ana tjetër nuk është e qartë sesi komisioni do të negociojë në rastin eventual të dakordësimit me artistët dhe versionin e tyre. Që do të thotë: mbi cilin marzh do të negociojë komisioni që duhet të rishikojë propozimin pa një godinë si teatri? CIla është ajo kompani që pranon të ndryshojë projekte të këtilla, ku një godinë më pak apo më shumë lëviz të gjithë ekuilibrin financiar dhe jo vetëm?
Nisur nga ajo që është thënë deri më tani, rezulton se sipërfaqja e teatrit trefishohet dhe në këtë kuadër është sërish shumë e paqartë se për cilën arsye qeveria po do të prishë godinën e teatrit kur ajo nuk ka sesi të kushtëzohet në këtë çështje nga propozimi i kompanisë “Fusha”?
Një tjetër element që e trazon qartësinë e situatës ligjore është edhe fakti se projekti I teatrit është bërë publik nga studio e Bjarke Ingels.
Të gjitha këto element ngrenë dyshime serioze mbi vlefshmërinë e propozimit të kompanisë “Fusha” e cila është ndoshta e vetmja kompani që pranon që në një projekt të vetin të kushtëzohet me propozime dhe negociata me palë të treta. Është shumë e qartë se sipërfaqja që ajo përfiton ngjitur me teatrin është e tillë që sjell fitime të mëdha dhe në këtë kuadër çdo ide për një teatër të ri është vetëm dhe vetëm e qeverisë. E cila pretendon se po kushtëzon ndërtimin falas në këmbim të një sipërfaqeje të cilën kompania mund ta shfyrtëzojë fare mirë pa e prekur godinën ekzistuese të Teatrit. Një histori interesi dhe trillesh personale që po mpleks për të disatën herë nervat e opinionit publik, apo të një komuniteti të cilit nuk i thuhet asnjëherë e vërteta.
Add new comment