Asnjë kompromis për Teatrin. Velo: Godina mund të rikonstruktohet
Arkitekti Maks Velo ka deklaruar sot gjatë një fjale të mbajtur në protestën e artistëve kundër prishjes së Teatrit, se godina ekzistuese mund të rikonstruktohet. Mendimi i dhënë prej tij shko kundër idesë së promovuar së fundmi se godina nuk mund veçse të prishet.
Më poshtë edhe deklarata e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit dhe Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Teatrit Kombëtar që hedh poshtë pretendimet e z. Veliaj se kompromisi është afër.
Dje, kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, gjatë një takimi privat me kryetarin e SASE, z. Alert Çeloaliaj, ka ftuar artistët të marrin pjesë në një dëgjesë të organizuar prej tij, me artistë dhe arkitektë, të hënën e ardhshme.
Sot, mediat kanë raportuar deklaratat e z. Veliaj, sipas të cilit jemi shumë pranë arritjes së një kompromisi për pranimin e idesë së shembjes së ndërtesave historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Për sa më lart, sqarojmë se:Së pari, nuk ka në horizont asnjë kompromis, madje asnjë afrim në pozicionet e palëve. Sindikatat mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre, se ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental duhet të shpallen monument kulture dhe, pas një debati të gjerë publik, me pjesëmarrjen e arkitektëve, konstruktorëve, restauratorëve, artistëve por edhe qytetarëve, të merret vendimi nëse ato duhet të rikonstruktohen, apo restaurohen. Çdo opsion tjetër, është i panegociueshëm për ne!
Së dyti, me deklaratat e sotme, z. Veliaj ka e kompromentuar dëgjesën pa filluar ende. Ai nuk vjen për të dëgjuar, pra, duke qenë i hapur edhe të tërhiqet nga pozicioni i tij fillestar, por për të na bindur, ose manipuluar.
I kujtojmë zotit Veliaj, se sindikatat e artistëve iu përgjigjën ftesës së tij të parë për dëgjesë dhe morën pjesë masivisht. Mbi 90% e folësve në atë dëgjesë u shprehën kundër ndërtimit të teatrit të ri, mbi truallin e teatrit të vjetër. Dy ditë më pas, z. Veliaj bëri një farsë, me nëpunës të shtetit dhe arkitektë e inxhinierë përfitues të fondeve, ku spikasnin drejtori i Institutit të Ndërtimit, ish-kryetari i diskredituar i Shoqatës së Arkitektëve dhe autorët e projektit “Turbina”. Asnjë zë kundër nuk ishte ftuar në atë dëgjesë. Z. Veliaj, u mundua ta shiste këtë si dëgjesë finale me këtë grup interesi. Tani z. Veliaj po mundohet të shesë farsën e radhës si mundësinë e sheshimit të divergjencave dhe arritjen e kompromisit final.
Në këto kushte, sindikatat e artistëve refuzojnë të bëhen pjesë e farsës së radhës, rezultati i së cilës është paracaktuar nga organizatori dhe i bëjnë thirrje të gjithë artistëve, arkitektëve dhe qytetarëve të Tiranës ta bojkotojnë këtë farsë.
Sindikatat e artistëve mbeten të vendosura për dialog, në të mirën e komunitetit të artistëve dhe interesit më të mirë publik, mbrojtjen e trashëgimisë dhe kursimin e fondeve publike që krijohen nga taksat e shqiptarëve. Për këtë qëllim, ne e ftojmë z. Veliaj në një dëgjesë të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, me një panel artistësh, arkitektësh, restauratorësh dhe intelektualësh, të ftuar nga sindikatat. Në dëgjesë do të jetë e mirëpritur edhe zonja ministre e kulturës, së cilës ia kemi drejtuar këtë ftesë qysh në 8 shkurt.Duke marrë parasysh axhendën e ngjeshur të z. Veliaj dhe znj. Kumbaro, ua lemë atyre në dorë të caktojnë datën dhe orën e dëgjesës. Nëse ftesa jonë do të refuzohet ose injorohet, publiku do ta ketë shumë të qartë se kush është për dialog, e kush për diktat, kush është për mbrojtjen dhe kush është për grabitjen e pronës publike, kush e mbron dhe kush po i ve kazmën trashëgimisë sonë kulturore.
Add new comment