Myslimanizmi në Kosovë dhë tërheqja e Tiranës zyrtare nga integrimi brendakombëtar*

Postuar në 09 Qershor, 2018 12:07
Milazim Krasniqi

E ardhmja e Kosovës është pezull, sepse ajo vazhdon të pehatet ndërmjet kërcënimit gjenocidal pansllavist, në njërën anë, dhe kërcënimit islamofobik perëndimor, në anën tjetër. Ky është fati ters i këtij vendi të vogël, të varfër, të izoluar e të papranuar, i cili mbahet në këso gjendjeje për shkak synimeve revanshiste të koalicionit pansllavist (Rusisë e Serbisë) dhe projekteve konvertuese-prozelituese të Perëndimit. Kosova e ka bërë zgjedhjen, pa pasur zgjidhje tjetër, pra ka rënë në prehërin e Perëndimit, por Perëndimi, krahas ndihmës vendimtare që i ka ofruar për çlirim nga Serbia dhe proklamimin e pavarësisë, brenda skemës së vet gjeokulturore e gjeopoltike, ka edhe plane me elemente neokolonialiste, që ia atakojnë Kosovës identitetin kombëtar e fetar. Krahas sponsorizimit okult të projektit për krijimin e “kombit kosovar”, i cili tashmë mund të shpallet si i dështuar, ka vite që në Kosovë funksionojnë krejtësisht të papenguara shumë shoqata e organizata misionariste, pjesëtarët e të cilave në shumë raste, edhe në mes të shëtitores kryesore të Prishtinës, ftojnë njerëzit për konvertim fetar nga muslimanë në të krishterë.

Vetëm gjatë këtij muaji, derisa po shkruhet ky tekst (maj 2018), krahas disa deklaratave islamofobike të politikanëve vendas, ka pasur dy aktivitete me simbolikë konvertuese (kërcënimi i një skocezi dhe vizita në kishën e Llapushnikut e Ranier Vielandit, nënkryetarit të Parlamentit Evropian). Piktura bëhet më e plotë po qe se evokohen edhe këto nuanca: presidenti aktual i vendit (ngjashëm me ish presidentin Rugova) e mban në zyrën e vet në plan të parë foton me papën, në hollin e Kuvendit, aty ku mbahen pres-konferencat, është një fotografi masive e Nënë Terezës, e cila shfaqet në ekran, sa të ketë folës në atë vend, ndërsa kryeministri aktual jep shpesh deklarata kundërthënëse e, madje, edhe fyese lidhur me Islamin. Thënë thjesht, në dy institucionet qendrore të shtetit, Presidencë e Kuvend, ikonografia dominuese është kristiane, ndërsa kreu i qeverisë e plotëson pikturën me retorikë antiislame. Përderisa në njërën anë ende shfaqet si fantazmë kërcënimi pansllavist, në tjetrën është mjaft aktiv presioni mbi ndjenjat dhe liritë e besimtarëve muslimanë. Rrjedhimisht, imunizimi paralel i shqiptarëve të Kosovës ndaj këtyre dy kërcënimeve, njërës si kërcënim për zhdukje biologjike e tjetrës për ndryshim të bindjes fetare, është sfidë e madhe, sepse jemi një popull i vogël dhe menaxhojmë një shtet të dobët, të cilin ende nuk e kanë pranuar pesë shtete të BE-së, nuk e ka pranuar OSBE-ja, as NATO-ja e as OKB-ja.

Gjendje nogdauni

Sa i përket kërcënimit pansllavist serbo-rus, situata është më e qartë, sepse Kosova aktualisht e ka mbrojtjen e Perëndimit. Por, sa i përket planit konvertues të vetë Perëndimit ndaj shqiptarëve muslimanë të Kosovës, nuk ka mekanizma mbrojtës të jashtëm, pasi e gjithë bota muslimane duket si e rënë në kolaps. Turqia, për aq sa ka ndonjë projekt në drejtim të Kosovës, e ka si projekt filoturk ose neootoman, e jo për të krijuar një partneritet të mirëfilltë e korrekt me shqiptarët, aq më pak për të na ndihmuar që ta mbrojmë identitetin mirëfilli shqiptar.
Në këtë sfond mjaft pesimist presionet e deritashme ndaj fesë islame dhe ndaj ndjenjave të shqiptarëve muslimanë në Kosovë, pas vitit 2008, planifikohen me instruksionet e Perëndimit, ndërsa zbatohen nga institucionet e vendit. Nga shqiptarët myslimanë këto presione po përjetohen si një lloj nogdauni. Pyetja jonë hutuese është: kush po na godet kështu, ata që na ka ndihmuar të çlirohemi e të arrijmë pavarësinë e vendit dhe ata që i kemi zgjedhur t’i përfaqësojnë interesat dhe idealet tona?! Përderisa reagimi dhe rezistenca ndaj veprimeve të Serbisë ishte instiktive, si duhet të sillemi ndaj sponsorëve të çlirimit e të pavarësisë sonë dhe të përfaqësuesve tanë, kur ata po na i fyejnë sistematikisht ndjenjat tona më sublime fetare? Është situatë absurde, sepse nuk ke as ku ankohesh, pasi nuk ke aleatë të tjerë dhe nuk ke përfaqësues të tjerë!

Meqë pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008) këto presione e sulme ndaj fesë islame ndër shqiptarët e Kosovës organizohen me dorën e medieve, politikanëve dhe intelektualëve vendas, sponsorët e huaj po i lajnë duart shumë ngjashëm me atë që thuhet se pati bërë Ponc Pilati. Edhe përfaqësuesit tanë politikë po ashtu “po i lajnë duart” duke thënë se qasjen antiislame po ua imponojnë ndërkombëtarët. E vërteta është se ndërkombëtarët i planifikojnë, i nxisin dhe, në shumë raste, i financojnë mediet, politikanët dhe intelektualët që bëjnë kujdestari islamofobike kundër fesë islame ndër ne shqiptarët e Kosovës. Për pasojë, përçarja e shoqërisë shqiptare të Kosovës, me forcimin enorm të krahut islamofobik, servilë ndaj të huajve, tashmë është realitet. Jemi bërë shoqëri e përçarë, me një përçarje të sponsorizuar nga jashtë. Ky është një model tipik i kolonializmit, sipas të cilit nëse nuk mund të ndryshohet e tërë shoqëria e kolonizuar, në favor të mentalitetit të kolonizatorit, duhet të krijohet një shtresë që e përfaqëson atë mentalitet të kolonizatorit dhe e zbaton praktikisht, kundër pjesës tjetër të popullit. Këtë model e kanë zbatuar më së shumti kolonizatorët britanikë, pikërisht në botën muslimane, që nga India e deri në Gadishullin Arabik. Këtë model po e testojnë, ndonëse tash për tash në mënyrë shumë më subtile edhe në Kosovë, faktikisht që nga viti 1999, por më fort nga viti 2008. Krijimi i një shtrese politikanësh, gazetarësh e intelektualësh dhe “shoqërisë civile”, që mendojnë e veprojnë ashtu si duan të huajt, tashmë në Kosovë është rrumbullakuar e është vënë në veprim të plotë.

Shumica e medieve më të fuqishme në Kosovë janë në duart e personave që janë pjesë e agjendës antiislame. Politikanët kryesorë po ashtu kanë rreth vetes këshilltarë e bashkëpunëtorë me precedencë antiislame/islamofobike të theksuar. Ata edhe vetë japin sistematikisht deklarata antiislame. Ndërsa intelektualët antislamë frekuentojnë rregullisht debatet në medie dhe promovohen në institucione arsimore e shtetërore, deri në ASHAK. Tash që qarqet antiislame në sferën e politikës, medieve, shoqërisë civile dhe elitës intelektuale janë konsoliduar plotësisht dhe kanë kaluar në një ofensivë të ashpër, ne shqiptarët myslimanë në Kosovë i kemi dy mundësi: të hyjmë në konflikt me provokuesit e sponsorizuar dhe sponsorët e tyre, gjë që do ta shtonte edhe më shumë përçarjen e shoqërisë e do ta shpinte shtetin direkt drejt dështimit apo të durojmë e të presim me shpresë se këto plane do të zbehen disi në vitet në vijim. Nga ajo që shihet, kemi zgjedhur rrugën e dytë, pra të durimit. Kjo edhe për arsye se nuk ka zgjidhje tjetër për Kosovën, përveç mbështetjes në bllokun atlantik, për t’i shpëtuar rrezikut gjenocidal pansllavist. Projekti konvertues i Perëndimit shihet si më pak vrastar sesa projekti gjenocidal serbo-rus.

Vetmia e Kosovës

Në këtë pozitë ku është, nën goditjen antiislame të elitave të veta dhe të sponsorëve të pavarësisë së vet, Kosova është krejt e vetmuar. Kosova nuk mund të llogaritë ndihmën e Shqipërisë (përveç individëve idealistë dhe ndonjë organizimi joqeveritar) pasi që në atë vend ka avancuar projekti i konvertimit-prozelitimit të shqiptarëve muslimanë. Prandaj, Kosovës do t’i duhet të rezistojë e vetme ndaj planeve të huaja dhe presioneve bizare vendase për konvertim fetar. (Ndoshta në një koordinim instiktiv me shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës.) Por, definitivisht, nuk mund të funksionalizohet një projekt kombëtar i plotë në këtë rezistencë. Fatkeqësisht, nuk ka mundur si të ishte ndryshe, kur dihet se ne shqiptarët nuk arritëm të formonim shtetin komb, ku Islami do të ishte shtresë legale e kombformimit.

Mbetja e Kosovës dhe e viseve të tjera nën sundimin sllav nga viti 1912 e deri në vitin 1999 ka lënë pasoja, ka prodhuar divergjenca dhe dinamika të ndryshme. Në këtë kuadër, defetarizimi, përkatësisht deislamizimi i shoqërisë shqiptare në Shqipëri, në periudhën e sundimit komunist, ka lënë pasoja, që mbase nuk do të mund të riparohen kurrë më. Procesi i deislamizimit në Shqipëri ka shkuar shumë larg, aq sa tashmë llogaritet se Islami është i pacifikuar, duke pasur parasysh në këtë mes edhe fuqizimin e bektashizmit gjoja si fe më vete dhe sponsorizimin galopant nga shteti të katolicizmit e të ortodoksisë

Nga ana tjetër, për strategët e konvertimit të shqiptarëve në Kosovë, rrethanë lehtësuese paraqet edhe fakti që Kosova është nën mbikëqyrje civile e ushtarake ndërkombëtare, gjë që u mundëson hartuesve të projektit konvertues të punojnë pothuajse të papenguar. Natyrisht, mbajtja aktive e kërcënimit serbo-rus kundër Kosovës ua lehtëson punën strategëve të konvertimit fetar të shqiptarëve muslimanë në të krishterë.

Kosova duhet ta planifikojë të ardhmen e vet në këso kushtesh, pra e kërcënuar nga Serbia e Rusia dhe e kontrolluar nga prezenca ushtarake e KFOR-it, me dominim të NATO-s. Por, edhe në këto rrethana, Kosova duhet t’i gjejë mënyrat se si prezenca e huaj civile dhe ushtarake të mos bëhet pengesë për zhvillimin dhe forcimin e saj si shtet dhe, veçmas, për ruajtjen e identitetit të vet fetar e kombëtar, sepse të dyja këto identitete do të jenë nën presion edhe në të ardhmen. Siç duket, strategjia për krijimin e “kombit kosovar” nuk u ka funksionuar ashtu si e kanë menduar e planifikuar, prandaj në të ardhmen do të angazhohen më shumë në zbehjen e identitetit kombëtar sesa në krijimin e një identiteti të ri kombëtar.

Tashmë është evidente se Shqipëria me Edi Ramën, nën ndikimin e aleatëve të njëjtë perëndimorë, është tërhequr fort nga integrimi brendakombëtar dhe mban distancë të fortë ndaj Kosovës

 Afrimi i saj me Serbinë është shndërruar në një presion direkt mbi Kosovën, për ta detyruar ta zbehë ideologjinë kombëtare e fetare. Në këtë sfond, goditja mbi identitetin fetar islam do të jetë gjithnjë e më sistematike dhe më e ashpër. Gjithsesi kjo nuk është një gjendje normale për një popull dhe një shtet shumë miqësor dhe lojal ndaj NATO-s e ndaj Perëndimit, sikundër është Kosova dhe shqiptarët e saj. Por, kjo është gjendja konkrete dhe si e tillë duhet të kuptohet e të vlerësohet.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Me gjithë problemet e kësaj natyre, mënyra më adekuate për ta ruajtur identitetin dhe rëndësinë e vet është që Kosova të vazhdojë të jetë aleat i SHBA-ve dhe NATO-s, para së gjithash si faktor antirus në rajon. Kosova nuk ka tjetër ofertë atraktive për SHBA-të dhe NATO-n, por kjo ofertë është e rëndësishme përderisa të vazhdojnë rivalitetet e tensionet ndërmjet SHBA e NATO-s, në njërën anë, dhe Rusisë, në anën tjetër. Ndërsa, për t’u fuqizuar nga brenda si shtet e për t’u aftësuar që të rezistojë edhe ndaj synimeve konvertuese të aleatëve të vet strategjikë, Kosova duhet të përpunojë platformë politike, ideologjike, kulturore, fetare e kombëtare mbi të cilën duhet të mbështetet. Elemente të saj mund të jenë edhe këto që po skicohen shkurt e shpejt këtu:
Kosova duhet të heqë dorë nga ideologjia irredentiste për bashkimin mekanik me Shqipërinë. Kosova duhet ta forcojë konceptin indepedentist të shtetit. Bashkimi me Shqipërinë mbetet një ëndërr, por vetëm kur të bëhen Kosova e Shqipëria shtete të suksesshme e të fuqishme dhe kur të hyjnë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, ku barrierat për bashkëpunim eliminohen pothuajse tërësisht. Por, duhet të hiqet iluzioni për një bashkim mekanik a me dhunë i dy shteteve shqiptare gati të dështuara. Thjesht, këtij iluzioni duhet t’i vihet pikë. Kosova duhet të profilizohet qartësisht si shtet i pavarur, duke hequr dorë nga kompleksi i inferioritetit edhe në raport me Shqipërinë (si shteti amë!) dhe duhet të krijojë instrumentariumin e miteve që e mbajnë kompakt e të fuqishëm një shtet në kohën tonë. Mitet dhe narracionet e mëdha e të rreme, të stisura me ngjyra romantike e propagandistike, nuk funksionojnë në kohën postmoderniste. Prandaj duhet të afirmohen narracione më praktike e më të kuptueshme, për gjeneratat e reja të shqiptarëve, të ndikuara edhe nga globalizimi.

Respektimi i diversitetit etnik e fetar është arma më e fuqishme e Kosovës për fuqizimin e saj si shtet, derisa të jetë nën ombrellën e NATO-s dhe nën sponsorizimin e SHBA-ve. Pra, në këtë model duhet të mbështetet e gjithë arkitektura e institucioneve dhe e vlerave tona shoqërore. Edhe kjo mënyrë e konceptimit të shtetit e shoqërisë, krahas heqjes dorë nga ideja irredentiste, mund t’i zbutë paragjykimet dhe dyshimet e NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ndaj shumicës muslimane të shqiptarëve. Kjo ka shumë rëndësi, sepse ato paragjykime dhe dyshime janë aktive dhe, nëse zhvillohen më tutje, mund të prodhojnë keqkuptime serioze. Nëse ato paragjykime zbuten, kjo mund ta frenojë edhe projektin e konvertimit, të cilin Perëndimi e ka aplikuar ndaj popujve të kolonizuar, më së shumti në rastet kur ka dyshuar në lojalitetin e tyre.

Praktikimi i një Islami paqësor, adekuat me kontekstin tonë gjeokulturor, gjeopolitik dhe të postmodernizmit, është mënyra e duhur për një bashkëjetesë paqësore ndërmjet shqiptarëve muslimanë dhe sponsorëve/mbikëqyrësve të pavarësisë së Kosovës. Për këtë objektiv duhet të bëhet një reformë rrënjësore e bashkësisë fetare, futja e edukimit fetar në shkolla publike dhe përmirësimi i arsimit publik, që kështu të nxirren gjenerata qytetarësh të dijshëm e të aftë për gjykime kritike mbi realitetin ku jetojnë

Kultivimi i një kulture shqiptare më lokale, duke e forcuar ndjenjën për gjuhën shqipe dhe duke e mposhtur albanofobinë, të cilën tashmë prezenca ndërkombëtare e ka imponuar në Kosovë, si një gjendje të pashpallur pushtimi.
Dekriminalizimi i shoqërisë, me pjesëmarrje shumë më aktive qytetare në zgjedhje dhe në kontrollin demokratik të pushtetit, po ashtu do të ndihmonte në forcimin e vetërespektit të qytetarëve dhe të identitetit shtetëror të Kosovës, i cili do të duhej të spikaste në plan të parë, pasi ne kemi krizë të theksuar të identitetit shtetëror, e jo aq të identitetit kombëtar.

Vlerësimi shkencor i ngjarjeve historike, veçmas lëvizjeve çlirimtare të Kosovës nga Lidhja e Prizrenit e deri në ditët e sotme, me theks tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe simbolet e saj, duhet të jetë pjesë e projektit të forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj, bashkë me partneritetin me NATO- n, duhet të mbetet shtylla kurrizore e historisë së shtetit të Kosovës. Nëse mbetet aktiv dhe fuqizohet miti i saj, ai mit bëhet diga më e fortë kundër projekteve për zbehjen e identitetit shtetëror të Kosovës, po edhe kundër projektit për ndërrimin e identitetit tonë kombëtar e fetar. Në këtë kontekst, evokimi i figurave të heronjve, evokimi i ngjarjeje dhe betejave, evokimi i masakrave të okupatorit serb, çështja e të zhdukurve, çështja e shkatërrimit të objekteve fetare e kulturo-historike, duhet të jetë i vazhdueshëm. Natyrisht, evokimet dhe kremtimet do të duhej të bëheshin më me shije estetike, si një projekt shtetëror, e jo spontanisht e me ngjyrime provinciale. Natyrisht, ky projekt shtetëror duhet të begatohet edhe me referimin tek ngjarjet dhe figurat e mëdha të Rilindjes Kombëtare, që shteti i Kosovës të qëndrojë edhe mbi një trashëgimi të fortë atdhetare.

Përpjekja e gjithanshme e elitave dhe e popullit duhet të vazhdojë, që kështu të finalizohet e të rehabilitohet Kosova si shtet me shumicë muslimane të popullsisë, por edhe si shtet mirëfilli demokratik në truallin e Evropës dhe në strukturat e saj. Ky shtet, i afishuar si shtet me shumicë muslimane në Evropë, do të ishte test për Perëndimin, se a ka hequr dorë nga taktikat kolonialiste. Në truallin e Evropës ka pasur shtete me shumicë muslimane që nga shekulli VIII (Andaluzia) që me trashëgiminë e vet është inkorporuar në mënyrë unike në rrjedhën e qytetërimit të këtij kontinenti. Pra, Kosova – si shtet i ri e me shumicë myslimane – nuk është kurrfarë precedenti, nuk paraqet kurrfarë rreziku, nuk ka asgjë kundërthënëse me qytetërimin perëndimor. Shqiptarët e Kosovës janë me shumicë muslimane, por kanë brenda korpusit të vet nacional edhe pjesëtarë të krishterë, me të cilët jetojnë në harmoni me shekuj. Kjo bashkëjetesë harmonike fetare e shqiptarëve, në përgjithësi, dhe e shqiptarëve të Kosovës, në veçanti, është një model i shkëlqyer edhe për Perëndimin, ku islamofobia ende nuk është mposhtur. Pra, Kosova e këtillë si është, është një shans për Perëndimin, që ta menaxhojë edhe paragjykimin e vet. Në rast se do të hiqte dorë nga taktikat neokolonialiste dhe islamofobike në Kosovë, ajo përvojë do t’i shërbente Perëndimit si model edhe për qëndrim më korrekt ndaj shteteve të shumta muslimane anekënd botës, duke vënë harmoninë ndërmjet besimit islam të popullsisë dhe demokracisë.

Konkluzion

Fitorja e Kosovës mbi pansllavimzin ka qenë dhe mbetet spektakulare. Kosova ka mbijetuar në atë ballafaqim të pabarabartë dhe është aftësuar të luftojë për identitetin, lirinë dhe pavarësinë e vet. Prandaj, tash mund të mbrohet edhe më lehtë jo vetëm nga rreziku i armiqve, por edhe nga projektet hileqare të miqve.
E sigurt është se në një Kosovë të deshqiptarizuar e të deislamizuar sërish do të triumfonte ortodoksia sllave, sepse Perëndimi pa shqiptarët e Kosovës, shumica absolute e të cilëve janë muslimanë, nuk ka asnjë shans ta ruajë fitoren mbi ortodoksinë dhe pansllavizmin këtu. Bile, pa fuqizimin e Kosovës si shtet, pa shndërrimin e saj në një “Izrael të vogël” në rajon, Perëndimi nuk e ka të sigurt se mund ta ruajë epërsinë strategjike ndaj Rusisë as në Shqipëri e Maqedoni, e aq më pak ta mbajë në darë Serbinë rusofile.

Burimi: http://shenja.tv/beteja-e-radhes-eshte-me-neokolonializmin/

*Titulli është i ResPublica

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.