Mediat serbe: SHBA hyn në dialogun Serbi-Kosovë. Mogherini jashtë loje...
Mediat serbe, por mesa duket edhe politika aty, po komplikojnë përditë e më shumë ecurinë e dialogut me Kosovën duke mbajtur nën presion informative me lajme që paralajmërojnë tensione. Në krye të diskutimit qëndron gazeta Vecernje Novosti, e cila citon shpesh burime diplomatike të nivelit të lartë.
Së pari, dje u njoftua me të madhe se tri fuqi kryesore europiane po nxisin dialogun dhe kërkojnë intensifikimin e tij, ndonëse pak ditë më parë, “Prishtina deklaronte se nuk do të dërgonte përfaqësues në Brukesl për të vijuar dialogun”.
Sipas gazetës në fjalë, Franca, Gjermania dhe Hollanda duan të përfshihen në procesin e dialogut Serbi-Kosovë, deri më tani nën menaxhimin e Përfaqësueses së Lartë për Sigurinë në BE-së, me qëllim përfundimin e procesit deri në fund të vitit.
Ndërkohë sot, e njëjta gazetë shkruan se në procesin e dialogut dëshiron të hyjë edhe SHBA, e cila do të përfaqësohet me një zyrtar në nivel Këshilltari. Njësoj si në rastin e ndërhyrjes franko-gjermano-hollandeze, edhe nga SHBA-të do të përdoret e njëjta taktikë: do të shprehen pakënaqësi për punën e bërë nga Mogherini, në mënyrë që t’i hapet rruga ndërmjetësimit tradicional të fuqive të mëdha. Paradoksi shkon më tej, kur raportohet se sipas gazetës tre vendet europiane kanë nisur të premtojnë afrim me BE-në në këmbim të marrëveshjes, në dritën e përfundimeve të Samitit të Sofjes, duke dëshmuar se edhe për politikat e zgjerimit, Brukseli nuk ngre më peshë. Janë këto vende që vendosin tashmë se çfarë do të ndodhë, një provë kjo e hidhur edhe për Shqipërinë, që ndonëse mori një PO nga Komisioni, përballet me JO-në e kancelarive kryesore.
Edhe pse përfaqësuesi amerikan nuk do të ketë rol zyrtar, prezenca eventuale e tij, pritet të sjellë kërkesë të ngjashme nga Rusia, që ka deklaruar se do të hyjë në proces nëse SHBa vendo të veprojë. Nga një çështje e sigurisë europiane, Kosova po rrëshket njësoj si Bosnja, në një çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe të përballjes mes dy fuqive kryesore. Dështimi i BE-së në këtë sektor është evident dhe në këtë kuadër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, po ndjen se po humbet terren.
Në një konferencë për shtyp Vuçiç, ka lënë të kuptohet se ka njëplan konkret në tyrezë për zgjidhjen finale mes Serbisë dhe Kosovës, por nuk bërë të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Por Vuçic ka zbuluar një tjetër aspekt të rrezikshëm sipas tij: shqiptarët mund të ndërmarrin një sulm për të rimarrë Veriun e Kosovës më mbështetjen e partnerëve të tyre. Në këtë pikë, Serbia nuk do të dinte sesi të vepronte.
Kosova është një tmerr për të gjithë ne dhe mbi të gjithë për mua, si përgjegjësi kryesor dhe në fund fare si komnandani supreme. Çfarë do të bëjmë ne nëse shqiptarët me mbështetjen logjistike që ju e dini të kujt, do të lëvizin për të marrë Veriun?
Pyes ata që komentojnë në shtyp: çfarë do të bëjmë ne? Cili është reagimi ynë? Kjo është arsyeja pse dua të arrij në një marrëveshje…Detyra ime është të ruaj paqen dhe të mos u jap atyre asnjë shkas për veprim
është shprehur Vuçiç.
Presioni i kohës i vënë nga tri fuqitë europiane, duket se ka shtrënguar më shumë hapësirën e veprimit për palën serbe, por ndërkohë që Vuçiç flet për marrjen e Veriut nga shqiptarët, duke pretenduar se Kosova është ende Serbi, askush nuk thotë se çfarë koncesionesh i janë kërkuar palësh shqiptare. Ne pamë sesi vetëm për lëvizjen pa viza, Kosovës iu shtua kushti i demarkacionit me Malin e Zi. Ndaj nuk është pa sens të pyetet se çfarë do të kërkohet kësaj radhe?
Add new comment