Integrim personal në BE - Brenda perimetrit të Tepsisë...

Postuar në 01 Qershor, 2018 15:11

Europa nuk është në ditët e vet më të mira. Kjo gjë dihet, por edhe shihet në llojin e politikanëve që e drejtojnë dhe vendosin për të, paaftësia e të cilëve po përcakton kursin e ri të shoqërive që po orientohen drejt populizmit.

Kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i konsideruar një karagjoz ndërkombëtar në disa media, ka lëshuar thagmën e radhës kur duke folur për situatën në Itali, ka thënë se “italianët duhet të punojnë më shumë dhe të jenë më pak të korruptuar”. Dhe këto këshilla i thotë dikush që është akuzuar gjerësisht për manovra korruptive gjatë kohës kur ka qenë kryeministrër i Luksemburgut.

Nga buron kjo papërgjegjshmëri e fjalës publike? Një arsye është karakteri: Juncker është konsumator pa orar i alkoolit dhe duket se e merr veten me shumë sportivitet.

Një tjetër është karriera politike, ecuria e së cilës ndikon në vizionin për politikën dhe shoqërinë. Kur kjo karrierë e suksesshme vjen falë koninkturës dhe luftës së korridoreve, pa besimin më minimal, atëherë do të kemi cinikët në krye të institucioneve. Dhe Juncker nuk është pak cinik.

Ai nuk është i vetmi në këto dërdëllisje. Nëse e shohim sjelljen e Juncker, e dalë tashmë në sipërfaqe dhe që vetëm këto ditë ka provokuar reagime të ashpra nga Italia, si kriter apo perspektivë morale të politikës europiane, na duhet të pranojmë se Shqipëria ka aktualisht një anëtar me të drejta të plotë në Bashkimin Europian. Ky është kryeministri Edi Rama, një personazh i teatrit politik, një akrobat kotësish që synojnë vetëm vetëpromovimin. Një antropo-emetues fjalësh dhe llafesh me shumë zhurmë, një politikan që thotë dy herë në javë “më fal, nuk e dija”, që fyen dhe ofendon pa dashje edhe veten, pse shpesh nuk kupton apo harron pozicionin që ka e që çuditërisht, njësoj si Juncker nuk e fsheh dot kënaqësinë e tavolinës.

Ky arketip i babaxhanit fodull, kontradiktor po aq sa personazhi i Sanço Pançës, këmbëngulës në një ëndërr që synonte ta realizonte përmes një Tjetri, ka hyrë tashmë në BE. Ai madje qeveris aty dhe nga kjo pikëpamje mund të shpjegohet disi edhe miqësia befasuese e z. Rama me zyrtarët e BE-së që venë e vinë në Ballkan me idenë e turizmit politik.

Sigurisht që këtë valle hedonistësh dhe sarhoshësh politikë në Ballkan e heq shumica e njerëzve, vetëm se kjo do të ishte një piramidë që nuk zgjat dhe nuk mund të ekzistojë veçse në rrëfime biblike. Ndaj edhe z. Juncker, ashtu si z. Rama, e kanë kulmin e mençurië- dredhisë së tyre, thirrjen për më shumë punë dhe më pak korrupsion. Pasi këtë thirrje nuk mund ta bëjë kush tjetër veç atyre që janë në qendër të tepsisë të cilën na e shesin për timon.  

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.